Kërko

Imzot Rino Fisichella Imzot Rino Fisichella

Jubileu 2025: priten 32 milionë shtegtarë

Kalendari i ngjarjeve të mëdha, objektivat e arritura dhe projektet në kuadër të Jubileut 2025: të gjitha këto u paraqitën në konferencën për shtyp, mbajtur paraditen e sotme në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Së bashku me emrin e fituesit të konkursit për himnin zyrtar, faqen e internetit dhe aplikacionet për celular, në shërbim të shtegtarëve

R.SH. – Vatikan

Nga dhjetori vitit 2025 deri në janar të vitit 2026, në Romë e në botë do të kremtohet Jubileu i 27-të në histori të Kishës dhe i dyti gjatë papnisë së Papës Françesku. I fundit ishte Viti Shenjt i Mëshirës, jubile i jashtëzakonshëm, shpallur nga vetë Françesku në vitin 2015.

Gjatë takimit me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit, "Jubileu 2025: objektivat e arritura dhe projektet", u bë bilanci i nismave të fazës përgatitore dhe u vunë në dukje etapat më të rëndësishme drejt Vitit Shenjt më 2025.

32 milionë shtegtarë: ky është numri i njerëzve, që pritet të vijnë në Romë gjatë Jubileut të vitit 2025. E do të kenë nevojë për struktura e për veprimtari të veçanta. Për këtë folën pro-prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, përgjegjës në Seksionin për Çështjet Themelore të Ungjillëzimit në Botë, si edhe Zv.sekretari i të njëjtit Dikaster, imzot Graham Bell. Të shumta, proceset e aktivizuara nga Dikasteri i Vatikanit përmes katër Komisioneve organizative, me përfshirjen e delegatëve të dioqezave italiane, përfaqësuesve të Konferencave Ipeshkvnore Ndërkombëtare, të Komitetit Teknik dhe të 35 Nënkomisioneve.

Faqja e internetit për Jubileun 2025, iubilaeum2025.va

U paraqit edhe faqja e re e internetit për Jubileun 2025, iubilaeum2025.va, aplikacioni për tefelona celular në shërbim të shtegtarëve iubilaeum2025, që mund të përdoret si në sistemin Android, ashtu edhe në atë IOS. Duke filluar nga vjeshta e ardhshme, do të jenë aktive edhe profilet e Jubileut në rrjetet shoqërore. Nëpërmjet faqes së internetit dhe aplikacionit, secili mund të hyjë në një platformë, ku mund të regjistrohet dhe të marrë "Kartën e Shtegtarit", ndërsa të enjten, më 1 qershor, në Romë, do të përurohet Qendra për Shtegtarët - Pikë Informacioni për Jubileun, ku besimtarët dhe turistët, që kalojnë nëpër kryeqytetin italian, do të kenë mundësi të pyesin si dhe ku mund të marrin pjesë, të bëhen vullnetarë apo të organizojnë shtegtimin e tyre në vitin 2025.

“Kjo udhë impenjative, e cila ka nevojë për aftësinë që të dimë si të shohim së bashku, edhe nga këndvështrime të ndryshme, së shpejti do të gjejë konfirmim në fillimin e punimeve” në gjithë qytetin e Romës, sqaroi imzot Fisichella. "Sigurisht, kuptohen vështirësitë e muajve të ardhshëm, me të cilat do të përballen qytetarët dhe turistët, të cilët do të detyrohen të përdorin rrugë alternative për të lëvizur nëpër qytet, për shkak të pranisë së kantiereve të ndërtimit”. Por “jemi po aq të sigurt se shpejt, pasi të kenë përfunduar punimet, të gjithë do të jetojmë në një qytet akoma më të bukur, më mikpritës, me vepra artistike të restauruara dhe më lehtë për t'u shijuar nga të gjithë, pasi rrugët do të përmirësohen dhe do të ketë infrastruktura të reja”.

Imzot Graham Bell, Zv.sekretar i Dikasterit për Ungjillëzimin, ilustroi faqen e internetit të Jubileut, e cila do të jetë gati nesër, në nëntë gjuhë, në adresën “iubilaeum2025.va”. Motoja e Jubileut, siç dihet, është “Shtegtarë të shpresës” e në faqe gjendet shpjegimi i saj dhe të rejat më të fundit, emrat e delegatëve jubilarë për dioqezat e Italisë dhe Konferencat Episkopale ndërkombëtare, si edhe shumë informacione të tjera. Regjistrimi për ngjarjet e ndryshme jubilare do të fillojë nga shtatori i këtij viti. Në Romë, propozohen tre shtegtime: ai tradicional i Shën Filip Nerit me Shtatë Kishat romake; shtegtimi në Kishat, që u kushtohen grave-Dijetare të Kishës dhe Pajtore qiellore të Evropës; Iter Europaeum, pra, 28 Kishat, që u referohen 27 vendeve evropiane, plus Kishën që përfaqëson Bashkimin Evropian.

09 maj 2023, 13:34