Françesku dhe Tawadros së bashku për 50-vjetorin e takimit midis Palit VI dhe Shenouda III
R.SH. -Vatikan
Patriarku Tawadros II, Papa i Aleksandrisë dhe kreu i Kishës Kopte Ortodokse të Egjiptit, mbërrin nesër më 9 maj në Romë për një vizitë gjashtë-ditore. Më 10 dhe 11 maj - siç njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë - ai do të përkujtojë së bashku me Papën Françesku pesëdhjetëvjetorin e takimit historik të paraardhësve të tyre, Papës shën Pali VI dhe Papës Shenouda III, që u mbjat në maj 1973.
Me këtë rast, Patriarku Tawadros do të marrë pjesë në audiencën e përgjithshme papnore të mërkurën më 10 maj. Të enjten më 11 maj ai do të ketë një takim privat me Papën Françesku, me të cilin do të ketë një moment lutjeje dhe më pas do të shkojë në Dikasterin e Vatikanit për promovimin e Unitetit të Krishterëve. Patriarku do të takojë edhe besimtarët e komunitetit koptik me banim në Romë, për të cilët do të kremtojë një Liturgji Eukaristike të dielën më 14 prill në Bazilikën Papnore të Shën Gjonit në Lateran në Romë.
Në një intervistë me mediat e Vatikanit prillin e kaluar, At Hyacinthe Destivelle, zyrtar i Dikasterit të Vatikanit për Unitetin e të Krishterëve, ilustroi këtë vizitë të rëndësishme, të përcaktuar si "një moment historik" në udhëtimin ekumenik. Ati Destivelle kujtoi Marrëveshjen Kristologjike të nënshkruar nga Papa Montini dhe Patriarku Shenouda më 10 maj 1973, "e cila shërbeu si model për marrëveshje të ngjashme me Kishat e tjera ortodokse lindore, të cilat njohin tre Këshillat e parë". Prandaj, ai nënvizoi se kjo vizitë bëhet edhe 10 vjet pas takimit të parë mes Françeskut dhe Tawadros.
Në qendër të takimit të lutjes më 11 maj do të jetë tema e ekumenizmit të gjakut, në kujtim të martirëve të shumtë të besimeve të ndryshme të krishtera: "Për Papën Françesku - tha At Destivelle - gjaku i martirëve është fara e unitetit. Martirët tashmë janë tç bashkuar në parajsë, thotë Papa gjithmonë, ata nuk vriten sepse janë katolikë, ortodoksë apo protestantë, por sepse janë të krishterë. Pra, ata tashmë janë mbledhur e të bahskuar në lavdinë e Hyjit, sepse kanë vuajtur në emrin e Krishtit. Gjaku i martirëve bërtet më fort se përçarjet tona”.
Kisha Ortodokse Kopte e Egjiptit - nënvizon Zyra e Shtypit e Vatikanit - është një nga realitetet më të rëndësishme në panoramën kishtare të Lindjes së Mesme, ku, kohëve të fundit, komunitetet e krishtera janë përballur me situata të vështira.