Kërko

Speceria (a farmacia e lashtë) e Shën Çeçilies në Trastevere dhe Salla e Qeramikave hapen për herë të parë Speceria (a farmacia e lashtë) e Shën Çeçilies në Trastevere dhe Salla e Qeramikave hapen për herë të parë

Erëza dhe qeramikë e lashtë. Muzetë e Vatikanit krijojnë dy salla të reja

Speceria (a farmacia e lashtë) e Shën Çeçilies në Trastevere dhe Salla e Qeramikave hapen për herë të parë për dashamirët e këtij arti gati-gati të panjohur. Dy mjedise plot sharm dhe histori tani mund të vizitohen nga dashamirët e bukurisë! Me biletë natyrisht!

R.SH. - Vatikan

Muzetë e Vatikanit pasurohem me një thesar të ri arti e feje, me dyer të hapura. Koleksionet papnore zbulojnë rishtas thesare deri më sot të panjohura, të ruajtura ndër shekuj. Pas studimit të gjatë, kërkimit, restaurimit dhe krijimit të muzeut, mund të vizitohen Spezeria - a farmacia e lashtë - e Shën Çeçilies dhe Salla e Qeramikave. Dhomat, të përshtatura për muzeun dhe të organizuara sipas kërkesës, për studim ose për turne me prijës, ndodhen përgjatë korridorit, që të çon në Kapelën Sikstine.

Farmacia e Lashtë e Santa Cecilia © Muzetë e Vatikanit
Farmacia e Lashtë e Santa Cecilia © Muzetë e Vatikanit

Farmacia e murgeshave benediktine

Kompleksi i "Farmacisë" së lashtë vjen nga manastiri i murgeshave benediktine të Santa Cecilia-s në Trastevere, lidhur me bazilikën ngjitur, titullar i së cilës për tridhjetë vjet, nga 1560 deri në 1618, ishte kardinali Paolo Emilio Sfondrati. Në vitin 1936, për të shmangur rrezikun e shkapërderdhjes, ‘thesaret artistike’ të farmacisë u zhvendosen nga Piu XI, në koleksionin e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Vetëm në vitin 1999 me një Reskript të Gjon Palit II, hapësirat muzeale të Bibliotekës kaluan në Muzetë e Vatikanit, në Repartin aktual të Arteve Dekorative, krijuar njëzet vjet më parë.

Farmacia e Shën Cecilias në Muzetë e Vatikanit
Farmacia e Shën Cecilias në Muzetë e Vatikanit

Një hap prapa në kohë

Për ata që sot hyjnë në dhomën e Spezerisë, koha duket se është ndalur në vend. Asnjë çap përpara…. Dollapët, presat, kutitë dhe vazot prej qelqi e qeramike të farmacisë, që përmbajnë erëza, pomada, ilaçe bimore dhe preparate mjekësore, janë në të njëjtat kushte, në të cilat i lanë murgeshat benediktine kur u ndërpre aktiviteti i farmacisë dhe e gjithë “pasuria” u transferua në Vatikan. Në qendër të dhomës bie menjëherë në sy një shtypës i madh, i marrë që në mesjetë nga një kapitel  i epokës romake.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

“Ne restauruam, u kujdesëm dhe pajisëm Farmacinë e Shën Çeçilies”, shpjegon drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, “për ta bërë të njohur mençurinë dhe vëmendjen e murgeshave benediktine, të cilat, duke përdorur bimët mjekësore dhe erëzat, shëruan jo vetëm papët, por gjithë popullsinë romake”.

Dyshemeja e projektuar nga Raffaello

Një derë të çon në Sallën e Qeramikave. Pas saj, mund të vizitosh për herë të parë koleksionin e qeramikës mesjetare dhe moderne të Vatikanit në tërësinë e tij. 34 pjatat, pjesë e Koleksionit Carpegna ekspozohen së bashku me vazot e tryezës mesjetare prej qeramike delikate, me tullat e çmuara të dyshemesë në majolikë arkaike dhe dyshemetë Della Robbia që formonim dyshemenë e Logge të Vatikanit, të njohur si “të Rafaelit”. “I gjithë koleksioni”, vazhdon Barbara Jatta, “është i dokumentuar tani në katalogun e botuar nga Edizioni Musei Vaticani dhe redaktuar nga Otto Mazzucato, qeramiolog në Muzeun e Romës, vdekur në vitin 2009, dhe nga Luca Pesante i Departamentit të Arteve Dekorative. Kështu i ofrohen publikut një mijë vjet qeramikë, gjë që na bën shumë krenarë”.

Ndiqeni intervistën me Luca Pesante

“Dëshirojmë” - shpjegon Luca Pesante për Vatican News - “që ta përmirësojmë çdo objekt të koleksioneve tona. Edhe fragmenti më i vogël i qeramikës tregon një histori. Shpesh, histori të jashtëzakonshme, që na ndihmojnë të kuptojmë, në disa raste, edhe epoka të tëra. Me hapjen e këtyre dy dhomave pasurohet itinerari i Muzeve të Vatikanit: janë dy vende të pazakonta, që pak e kush pret t’i gjejë brenda  një shtegtimi muzeor në kohë. Në takim me një bukuri të re, të paparë!”.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit

Cila është historia e farmacisë Santa Cecilia në Trastevere?

Kompleksi i Farmacisë Santa Çeçilia është diçka e jashtëzakonshme, që hapet për herë të parë.  Një nga farmacitë më të kompletuara që ekzistojnë, sigurisht në Romë dhe ndoshta në të gjithë gadishullin. Thesare të shekujve të kaluar, në këtë rast të shekullit XVII. Lindur brenda Manastirit të Santa Cecilia-s në Trastevere, me nxitjen e kardinalit Paolo Emilio Sfondrati, titullar dhe mbrojtës i Bazilikës dhe i Manastirit. Edhe sot Farmacia ruan shumë objekte të  kësaj periudhe: dollapë, kontejner, llaç, peshore, çanta farmacie majolike, objekte të punuara nga mjeshtra poçarësh, që banonin dhe punonin në furrat dhe dyqanet në pronësi të të njëjtit manastir. Manastiri ishte qendër e jashtëzakonshme ekonomike:  zotëronte pellgje peshku dhe mullinj drithi në Tiber, furra, kopshte perimesh dhe tokë. Kjo farmaci, një nga rreth 80 që ekzistonin në të gjithë qytetin e Romës, kujdesej kryesisht për shëndetin e murgeshave dhe më pas, të gjithë grupit të njerëzve që rrotulloheshin rreth manastirit, nga artizanët, tek bursarët, priftërinjtë, etj.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

Ajo që të bie më shumë në sy kur viziton Apotekarinë, është se brenda, përveç vazove, dollapëve, mortajave e kontejnerëve, në disa raste ruhet edhe përmbajtja: preparate, pomada, pluhura, barishte... Një pasuri e vërtetë historike e asaj, që ishte tradita farmaceutike në shekujt e kaluar. Aty janë “gati për të shëruar sëmundjet e lashta” si enët, ashtu edhe ilaçet e përdorura për trajtimin e sëmundjeve… Kohë më parë…A është ky qëllimi për të dokumentuar dhe për të treguar historinë?

Po, ky është! Kur, në vitin 1936, u transferua nga Santa Çeçilia në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, jeta, veprimtaria e farmacisë sikur u ndal në kohë, në një kohë kur aktiviteti ishte ende në vazhdim. Prandaj shumë përbërës, materiale, erëza gjenden ende brenda vazove, gotave, kutive. Ky është një aspekt vërtet unik për sa i përket historisë së farmakopesë e, në përgjithësi, historisë së strukturave antike të farmacisë në përgjithësi.

Dyshemetë robiane  të Lozheve të dyta vatikanase, me emrin e Raffaello-s
Dyshemetë robiane të Lozheve të dyta vatikanase, me emrin e Raffaello-s

Një mjedis ngjitur me Spezerinë e Santa Cecilia-s, gjithashtu plot hijeshi, është Salla e Qeramikave. Për çfarë bëhet fjalë?

Po, dhoma ngjitur përmban koleksionin e qeramikës mesjetare dhe moderne të Muzeut të Vatikanit: një koleksion i jashtëzakonshëm për heterogjenitetin e tij. Këto janë objekte me vlerë të madhe historike dhe artistike. Mjafton të thuhet se këtu janë ekspozuar dyshemetë e projektuara nga Raphael-i dhe të bëra nga Luca della Robbia i riu, për Seconde Logge, deri te koleksioni i famshëm i pjatave nga Castel Gandolfo, një grumbull pjatash të dekoruara nga tradita Urbino, me vlerë të madhe edhe për historinë e tyre të grumbullimit: në vitin 1879 patën krijuar grindje ndërmjet shtetit dhe kishës, madje u bënë objekt i parlamentit për një shitje të paligjshme të një punonjësi të Castel Gandolfo dhe disa tregtarëve që merreshin me tregtimin e objekteve të lashta. Ruhen edhe dyshemetë antike në majolikë arkaike të shekullit XIV deri në shekullin XVIII-XIX.

27 maj 2023, 14:26