Kërko

 La pietra ribaltata La pietra ribaltata

Papët, në një podcast për Javën e Madhe të Pashkëve

Në katër episodet e "Gurit të rrokullisur", fjalët e Françeskut dhe paraardhësve të tij drejtojnë meditimin për Triditshin dhe të Dielën e Pashkëve

R.SH. – Vatikan

Podkasti, medium i aftë për t'iu drejtuar dëgjuesit në mënyrë intime dhe personale, është veçanërisht i përshtatshëm kur përcillen mesazhe në të ashtuquajturën mënyrë "një-për-një". Kjo është arsyeja pse shikohet si një nga mjetet më efektive për të udhëhequr reflektimin shpirtëror ose lutjen, përmes zërave dhe tingujve. Prej këndej, ideja e redaksive të podcast-it të Radio Vatican-Vatican News për ta vendosur "Gurin e rrokullisur" në internet, gjatë Javës së Madhe: domethënë, katër episode të pabotuara, për të shoqëruar meditimin në Triditshen e Pashkëve e më pas, të Dielën e Ringjalljes. Zërat protagoniste të podkasteve janë ato të Papëve: zëri i Françeskut, i cili shpjegon kuptimin liturgjik të ditës, e më pas, zërat e paraardhësve të tij. Të gjithë zëra të zgjedhur nga arkivi i çmuar audio i Radio Vatikanit. Në këto episode, magjisteri papnor, nga vitet 1950 e deri më sot, rikthehet në jetë si burim i aftë për të frymëzuar jetën e fesë dhe të lutjes, veçanërisht në çastet më të rëndësishme të vitit liturgjik.

Benedikti XVI gjatë kremtimit të Meshës të Darkës së Mbrame të Zotit, në Shën Gjonin e Lateranit, 5 Prill 2012
Benedikti XVI gjatë kremtimit të Meshës të Darkës së Mbrame të Zotit, në Shën Gjonin e Lateranit, 5 Prill 2012

Nata e errët mbi Malin e Ullinjve

Dëgjojmë edhe një herë predikimin e të Enjtes së Madhe mbajtur nga Benedikti XVI gjatë Meshës të Darkës së Mbrame të Zotit, më 5 prill 2012.

“Jezusi, në ‘natën e errët’ të malit të Ullinjve - kujton Benedikti – “sheh baticën e pistë të të gjitha gënjeshtrave, të të gjitha turpeve, të të gjitha të zezave të kësaj bote" që  mbushin përplot "atë kupë të cilën duhet ta pijë me fund" dhe "kryen detyrën e meshtarit: merr mbi vete mëkatin e njerëzimit, të gjithë ne dhe na çon pranë Atit”.

Gjon Pali II drejton Via Crucis në Koloseum, më 4 Prill 1980
Gjon Pali II drejton Via Crucis në Koloseum, më 4 Prill 1980

Kryqi: simbol i refuzimit të Zotit

E Premtja e Madhe! Simbolikisht kthehemi në Koloseum, për Udhën e Kryqit, të udhëhequr nga Gjon Pali II, më 4 prill 1980.

"Erdhëm, në mbrëmje në këto rrënoja, skenë e refuzimit të Zotit dhe e poshtërimit të njeriut përmes kryqit", reflekton Papa Vojtila. “Erdhëm ne, bijtë e këtij shekulli, që u bë teatër i ri i refuzimit”. “A do të balancohet nga pranimi intim dhe i zjarrtë i Zotit, që na foli në kryqin e Krishtit?”.

Pali VI kremton Vigjiljen e Pashkëve, më 17 Prill 1965
Pali VI kremton Vigjiljen e Pashkëve, më 17 Prill 1965

Asketizmi i Natës, në pritje të të Ngjallurit

“Është Nata e Festës, kjo që kremtojmë”, kujton Pali VI në predikimin e Natës së Pashkëve, më 9 Prill 1966, të Shtunën e Madhe:

“Përpjekja për ta mundur gjumin merr, në këtë natë, pamje të theksuar pendestare, thuajse ‘asketike’”- vijon Papa Montini - "Me dëshirën për të shkuar në Misterin e Pashkëve të përgatitur", "duke krahasuar atë që është e zakontë dhe e dashur për ne, me atë që është e pazakontë dhe akoma më e ëmbël: takimin me Krishtin e Ngjallur".

Piu XII jep bekimin Urbi et Orbi të Dielën e Pashkëve, 1 Prill 1956
Piu XII jep bekimin Urbi et Orbi të Dielën e Pashkëve, 1 Prill 1956

Zoti “i bërë njeri" që e rinon Kishën

"Surrexit! U ngjall!” – kjo, thirrja me të cilën Piu XII nis Mesazhin Urbi et Orbi – Romës dhe Botës, për të Dielën e Pashkëve, 10 Prill 1955:

"Kjo Kishë, e cila nuk mund të jetë fryt i planeve njerëzore - vazhdon Papa Pacelli – reziston, sepse në të është dikush që ia përtrin freskinë e jetës dhe të rinisë. Është Zoti i bërë njeri e i ringjallur, i cili fshihet në të, për të ringjallur njerëzimin vazhdimisht e intimisht”.

Episodi i parë i "Gurit të përmbysur" është online nga data 6 prill, e Enjtja e Madhe. Tre të tjerët do të botohen me radhë në Triditshen e Pashkëve. Podkastet, përveçse nga faqja e internetit vaticannews.va, mund të ndiqen  edhe në Spotify, Apple Podcasts dhe Google Podcasts.

05 prill 2023, 15:30