Në Udhën e Kryqit, zërat e paqes, prej trojesh të plagosura nga lufta
R.SH. / Vatikan
Meditimet e Udhës së Kryqit të këtij viti 2023, janë dëshmi dërguar Papës nga burra dhe gra prej viseve të ndryshme të botës, vise ku sundon dhuna, varfëria, padrejtësia.
Në Udhën e Kryqit, zërat e trojeve të plagosura nga lufta
Vijnë nga toka të plagosura prej bombash, të shtënash, raketash ose prej urrejtjesh vëllavrasëse. Janë burra e gra, të rinj e të moshuar, prindër e njerëz të kushtuar Zotit. Dëshmitë e tyre do të rijetojnë në 14 Stacionet e Udhës, që gjarpëron sot, 7 prill, në Koloseum. Meditimet janë fragmente dëshmish, dërguar Papës nga të katër anët e botës. Françesku deshi që tema të ishte "Zërat e paqes, në kohë lufte". Për zona të ndryshme të globit, u zgjodhën rajonet e mëdha, për Evropën, dy popuj, ukrainas dhe rus, sepse konflikti, që shpërtheu vitin e kaluar, është në qendër të vëmendjes së Papës.
Një “vendim” paqeje në Tokën Shenjte
Udha e Kryqit nis nga Toka Shenjte, ku “dhuna duket se është gjuha e vetme, që flitet”. Në këtë hapësirë “të ngarkuar me urrejtje e inate”, ngrihet drejt qiellit të ngrysur thirrja për të marrë një “vendim” paqeje. E, pas saj, lutja: “Kur i dënojmë vëllezërit tanë pa apel” dhe “kur i mbyllim sytë para padrejtësisë: Ndriçona, o Zot Jezus!”.
Udha e kryqit e një emigranti nga Afrika Perëndimore
Zemërplasur, dëshmia e një emigranti nga Afrika Perëndimore, i cili rrëfen "Udhën e tij të kryqit": udhë me stacione tejet të dhimbshme: me burgim e tortura në Libi, pasuar nga kalimi i detit në stuhi, mbi një gomone, së bashku me 100 fatzinj, si ai vetë: "Çdo mbrëmje pyesja Zotin pse? Pse burrat si ne na shikojnë si armiq?”. “Çlirona, o Zot Jezus”, vijon lutja, çlirona nga “gjykimet e nxituara”, nga “përgojimet shkatërruese”.
"Rëniet" e rinisë së Amerikës Qendrore
Është i të rinjve nga Amerika Qendrore, meditimi i stacionit III, në cilin Jezusi rrëzohet për herë të parë. Këta djem flasin për rrëzimet e tyre: "dembelizmin", "frikën", "dëshpërimin" e edhe për "fjalët boshe që premtojnë një jetë të lehtë, por të ndyrë, të sëmurë nga lakmia dhe korrupsioni". “Shumë familje - shkruajnë ata - vazhdojnë të mbajnë zi për humbjen e bijve të tyre”. Shkruajnë - e luten: nga "dembelizmi", "trishtimi", "rënia", e edhe nga "mendimi se të ndihmojmë të tjerët nuk varet nga ne,“ na ngre përsëri në këmbë, o Zot Jezus!".
Në Amerikën e Jugut, nëna që ndihmon për parandalimin e aksidenteve në minierë
Sërish nga Amerika, këtë herë nga Jugu, lartohet zëri i një nëne, viktimë e një bombe guerile në vitin 2012. Ajo që e tmerroi më shumë, ishte fytyra e vajzës së saj 7 muajshe, me copa xhami të ngulura në fytyrën e saj të njomë. "Çfarë duhet të ketë ndjerë Maria, kur shihte fytyrën e Krishtit të fryrë nga të rrahurat? Të të gjakosur nga kamxhikët!". “Ndihmona të të njohim, o Zot Jezus, në fytyrat e shpërfytyruara të atyre, që pësojnë si Krishti në Kalvar - është thirrja.
Viktima të “urrejtjes” në Afrikë, Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme
Tre migrantë nga Afrika, Azia Jugore, Lindja e Mesme gërshetojnë historitë e tyre: janë të ndryshëm, por të bashkuar, sepse njëlloj viktima të urrejtjes. Çka e jeton, nuk mund ta harrosh kurrë Prej këndej, lutja për falje drejtuar Zotit, sepse "e përbuzën në fatkeqësi" dhe " nuk u kujtuan ta thërrisnin për ndihmë në nevojë".
Meshtari i torturuar gjatë luftës në Ballkan
Një meshtar është zë i gadishullit ballkanik: famullitar në kulmin e luftës, u internua në një kamp, pa ushqim e pa ujë: “Më kërcënuan - tregon - se do m’i shkulnin thonjtë për së gjalli”. Një herë, në kulmin e urisë e të etjes, iu lut një rojeje ta vriste, por një grua myslimane i solli ushqim dhe ndihmë: "Ishte për mua si Veronika për Jezusin" - kujton. E lutet: "Na jep sytë e tu për të parë, o Zot Jezus, “ e na ndihmo të kujdeseni për ata, që pësojnë dhunë" dhe " t’i mirëpresim të penduarit për të keqen që na bënë".
Shpresat e dy djemve nga Afrika e Veriut
Dy adoleshentë nga Afrika e Veriut, Joseph (16 vjeç) dhe Johnson (14 vjeç), të cilët jetuan në kampet e të shpërngulurve, pohojnë se duan të studiojnë dhe të luajnë, por nuk kanë as hapësirë e as mundësi: "Paqja është e mirë; lufta, e keqe. Këtë do të dëshironim t'u thoshim liderëve të botës". "Në përpjekjen për të ndërtuar ura vëllazërimi - është lutja e tyre - na bëj të fortë, o Zot Jezus!".
Populli i Azisë Juglindore, që “e do paqen”
Botës i flasin edhe besimtarët nga Azia Juglindore: “Jemi një popull, që e duam paqen, por jemi të shtypur nën peshën e kryqit të konfliktit...”. Gratë na japin forcë, si ajo murgesha, që “u ul në gjunjë para pushtetit të armëve të rreshtuara para saj”. Na shpëto nga tregtia e paskrupullt e armëve: “Na i kthe zemrat, o Zot Jezus!”, luten këta besimtarë.
Murgesha, që i edukon me vlera fëmijët e Afrikës Qendrore
Po murgeshë është edhe një zë nga Afrika Qendrore, që tregon për paraditen e tmerrshme të 5 dhjetorit 2013, kur rebelët sulmuan fshatin e saj: “Simotra ime u zhduk e nuk u kthye më”. E ajo klithte: “Përse?” Përse o Zot e, ai Zot i dha forcën për të dashur: “Gjithçka kalon përmes Hyjit”. “Na shëro” nga frika se mos “nuk kuptohemi” e “harrohemi”, lutet.
Dëshmia e të riut ukrainas dhe e të riut rus
Në ndalesën e dhjetë të Udhës së Kryqit, meditimet janë shkruar nga një i ri ukrainas dhe nga një i ri rus. I pari tregon për ikjen nga Mariupol drejt Italisë, me të atin të bllokuar në kufi, si edhe për kthimin në Ukrainë. “Ka luftë në të gjitha anët, qyteti është i shkatërruar”. I dyti kujton vëllain e madh të vdekur, si edhe të atin e gjyshin, që konsiderohen të zhdukur: “Të gjithë na thoshin se duhet të jemi krenarë, por në shtëpi kishim vetëm vuajtje e trishtim”. Ata i kërkojnë Zotit t’ua pastrojë shpirtin nga “inati”, “mëria”, nga “fjalët dhe reagimet e dhunshme”.
“Kalvari” i një të riu nga Lindja e Afërt
Për vuajtjen flet edhe një djalë nga Lindja e Afërt, i cili, që nga viti 2012, përjeton një luftë “çdo ditë e më të tmerrshme”. Iku nga vendi, së bashku me prindërit: “Tjetër Kalvar ky...”. “Na shëro o Zot Jezu Krisht” nga “mbyllja”, “izolimi”, nga “mosbesimi e dyshimi”.
Nëna nga Azia Perëndimore, që humbi të birin, por ende ka shpresë
Fjalë shprese nga një grua e Azisë Perëndimore, së cilës i ka vdekur djali i vogël nga një predhë mortaje, së bashku me kushëririn e fqinjën: “Feja më ndihmon të shpresoj, sepse më kujton se të vdekurit janë në krahët e Krishtit”. Pikërisht Atij i kërkon: “Na mëso” të “falim, ashtu si na ke falur Ti vetë”.
Kujtimi i simotrës së vrarë në Afrikën Lindore
Një murgeshë e Afrikës Lindore rijeton vdekjen e simotrës rregulltare nga dora e terroristëve, në ditën kur vendi i saj festonte Marrëveshjen për pavarësinë. “Dita e fitores u kthye në disfatë”. Por, siguron ajo, Krishti është “fitorja jonë e vërtetë”. “Ti, që kur vdiqe e munde vdekjen: Ki mëshirë për ne, o Zot Jezus!”.
Vajzat e Afrikës Australe, që falin rebelët
Së fundi, historitë e vajzave nga Afrika Australe, rrëmbyer e keqtrajtuar nga rebelët: “Të zhveshura nga rrobat e nga dinjiteti, jetonim lakuriq që të mos kishim mundësinë për të ikur”. Por ikën e tani, shkruajnë: “Në emër të Jezu Krishtit, i falim për gjithçka na bënë”. “Na ruaj, o Zot Jezus” në “faljen, që e përtërin zemrën”.
14 “faleminderit”
Udha e Kryqit përfundon me një lutje, gjatë së cilës i bëhen 14 “falënderime” Zotit: “Faleminderit për dritën, që ndeze në netët tona të errta. Duke e pajtuar çdo ndarje, na bëre të gjithëve vëllezër”.