Krishti dëshmon se dashuria është më e fortë se vdekja
R.SH. / Vatikan
Vdekje/ringjallja është një akt i vetëm, hop që hap horizontin, që shkon përtej kohës. Fluturim, përmes të cilit dashuria e pastër depërton në histori, duke i zhdukur kufizimet e saj. Krishti dëshmon se dashuria është më e fortë se vdekja: “Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit tanë. Kush nuk do, mbetet në vdekje” (1 Gjonit 3:14). Mundimet e kryqit sjellin në skenën e botës tmerrin, nga i cili shmanget njerëzimi, dhunën e fshehur, që peshon rëndë mbi historinë.
Me zbritjen në ferr, Jezu Krishti Zot hap rrugën e mbyllur që çon drejt dritës, ku merr fund mashtrimi i vdekjes. Bota e krimit është grumbull emocionesh të shëmtuara, që fshihen në hauret e shpirtrave. Sfond, që nuk ka të bëjë vetëm me kohën kronologjike, por edhe me atë kohë të qetë, që nuk rrjedh më dhe që është e përjetshme. Nuk mbaron, kur koha e dhuruar mbaron, por mbetet rob i tmerrit, që mbart me vete, pasojën e ashpër të një testamenti, që nuk do të dëshironte ta shohë. Krishti e sheh. E vuan gjithçka që sheh.
Kryqi Krishtit thyen murin, nxjerr në dritë atë që fshihet pas; në shesh, fytyrën e tmerrshme të dashurisë, kur shndërrohet në urrejtje. E sheh dhe e shndërron! E lejon urrejtjen, që të mund ta njohim njëri-tjetrin, të jemi në gjendje ta shikojmë në sy njëri-tjetrin. Urrejtja kërkon ata, që nuk i frikësohen, që të shikojnë e të lënë t’i shikosh pa iu trembur syri! Vetëm ata nuk ia kanë frikën, nuk i nënshtrohen pushtetit të saj të rremë. Duke mos u nënshtruar, e dobësojnë, e padisin, e bëjnë të tërhiqet. I sapokryqëzuari, i cili duket i mundur, e mposht vdekjen duke mos iu nënshtruar mashtrimit të saj. Jezusi është e vërteta. Ndaj nuk ikën. E ky qëndrim i tij përmbys një botë të tërë! Ai bëhet gur themeli i kthesës shëlbuese. Duke qëndruar, copëton zinxhirin e mallkimit, që e burgos historinë.
Të pranosh Kryqin do të thotë të perceptosh fuqinë shëlbuese të asaj menteshe të palëkundur, që të ndihmon t’i shikosh jetën dhe vdekjen marrë së bashku, si një akt i vetëm. Të ndihmon të kalosh nëpër errësirë, duke i qëndruar besnik dritës.
Të pranosh Kryqin, do të thotë të lindësh për të dyten herë. Pasi provon dhimbjet e lindjes së parë, që të hap portat e jetës tokësore, vijnë dhimbjet e një lindjeje tjetër, dhimbjet e vdekjes, që nuk është tjetër, veçse lindja e dytë, e amshuar, ku nuk ka më tmerre, por vetëm dritë! Një dritë që copëton zinxhirin e mallkimit dhe e çliron nga burgu historinë e njerëzimit. Jezusi e mundi vdekjen! Edhe atë bërthamore, që i kërcënohet sot botës. Sepse Ai është ringjallja. Është dashuria e aftë për të dashur deri në kufijtë e hapësirës e të kohës. Dashuri pa fund, e aftë për të ringjallur edhe trupat e vdekur.
Jezusi është ringjallja!
Evolucioni që shtyn drejt Krishtit, pra e gjithë udha e historisë, arrin kulmin në atë kalim, që janë Pashkët. Nuk vepron mbi masën, si doktrinat apo ideologjitë, për t'i rrafshuar! Të shndërron nga brenda. Takimi me dashurinë e pastër, që është Shpirti Shenjt, të pastron, të shpërfytyron.
Ringjallja e korpit është e barabartë me procesin e pastrimit të strukturës psikofizike nga Shpirti Shenjt, që ngadalë e shndërron trupin njerëzor, në trup shpirtëror. Ringjallja është për Krishtin, si manipulimi dhe përdorimi i papërgjegjshëm i energjisë bërthamore për Antikrishtin.
Njerëzimi është në udhëkryq. Jezusi është ringjallja. Cila është rruga që meriton ta zgjdhim?
Pa harruar se “...ky trup i shkatërrueshëm do të vishet me pashkatërrueshmërinë, e ky trup i vdekshëm, do të vishet me pavdekshmërinë (1, Kor.15,53)
Ata që e duan Jezusin, marrin pjesë në përvojën e ringjalljes përmes kanalit të dashurisë. Sa më shumë ndriçohet shpirti me dashuri të pastër, aq më shumë merr pjesë, i afrohet pragut të gjendjes së re. Krishti i thërret të gjithë me emër!
Ringjallja arrihet përmes dashurisë. "Mos më mbani më mbi dhe!"- kjo është ftesa për të hyrë në gjendjen më të ndritshme të dashurisë. Një dashuri që nuk përendon më, sepse është e aftë të dashurojë përtej kufijve hapësirës e kohës!
(Duke lexuar l'Osservatore Romano, 8 prill 2023)