Si të përgatitemi për Treditëshin e Pashkëve?
R.SH. – Vatikan
Kjo Javë e Madhe e Pashkëve është ‘thelbi i fesë së krishterë’, ‘zemra e strumbullari i gjithë vitit liturgjik’, e Kisha ngjitet me Jezusin në Kalvar, zbret në varr dhe ringjallet me Krishtin. E njëkohësisht, kujtimi dhe kremtimi i këtyre mistereve të fesë së krishterë do të thotë edhe t’i jetosh si ngjarje të së sotmes së historisë personale e kolektive, me bindjen se gjithçka kremtojmë, është realitet i gjallë e aktual.
Si të përgatitemi për Treditëshin e Pashkëve
Me shumë fe, me shumë vëmendje, me pjesëmarrje në kremtime e ndjekjen e kujdesshme të teksteve biblike që përdor këto ditë Kisha: nga e Diela e Larit dhe deri në të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Në këtë Javë të Madhe të Pashkëve përmblidhet kremtimi liturgjik kishtar i misterit të shëlbimit tonë: mundimi, vdekja mbi kryq dhe ngjallja e Jezu Krishtit. Kisha, pra, na fton të përgatitemi për Pashkë me një rrëfim të mirë, detyrë e rëndësishme kjo, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë në Zotin, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Pashkëve dhe në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti Ngjallur.
Java e Madhe na ndihmon të kuptojmë krishterimin
Kush e ndjen me fe e në shpirt Javën e Madhe, e kupton krishterimin. Po t’i vështronim nga afër ritet e shenjta dhe simbolet e liturgjisë së kësaj jave të madhe të Pashkëve, askush nuk mund të thotë se gjithë këto rite e simbole nuk flasin për vetë dashurinë e pakufishme dhe shpëtimprurëse të Jezu Krishtit Zot, figurën dhe veprën e të cilit, pikërisht përmes riteve e simboleve liturgjike fetare të kësaj Jave të Shenjtë, Kisha na propozon në një mënyrë krejt të veçantë e mahnitëse, duke na ftuar të marrim pjesë në misteret e shëlbimit shpirtëror.
Prandaj ngjarjet e Javës së Shenjtë të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes e të dashurisë në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për t’u pajtuar me Zotin dhe të afërmin.
Pashkët vënë në dukje fitoren e Krishtit mbi vdekjen
Kështu, Java e Madhe dhe e Shenjtë e posaçërisht Treditëshi që i paraprin Pashkëve, vënë me forcë në dukje vlerën e amshuar të fitores së Jezu Krishtit mbi vdekjen. Këto ditë në shpirtin tonë lind shpresa e madhe: Krishti i kryqëzuar u Ngjall, e mundi botën. Dashuria, që është më e fortë se urrejtja, fitoi, e edhe ne duhet të marrim pjesë në gëzimin e fitores së dashurisë. Duhet të nisemi nga Krishti e të punojmë në bashkim me Të për një botë që mbështetët mbi themelet e paqes, të vëllazërisë, të drejtësisë e të dashurisë.