Kërko

Papa priti në audiencë kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal

Gjysmë ore bisedë mes Papës dhe kryeministrit ukrainas, i cili u takua edhe me kardinalin Parolin dhe imzot Gallagher, me të cilët foli për çështje të ndryshme që lidhen me luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për rivendosjen e paqes. Si dhuratë për Papën, një riprodhim i një gjeli qeramik, simbol i rezistencës së popullsisë ukrainase. Në një konferencë për shtyp, Shmyhal tha se e ka ftuar Papën në Kiev dhe i ka kërkuar ndihmë për fëmijët ukrainas të internuar në Rusi.

R. SH. Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, në Bibliotekën Apostolike në Vatikan, kryeministrin e Ukrainës Denys Shmyhal. Gjatë bisedës private me Papën, e cila zgjati rreth gjysmë ore, nga ora 9.20 deri në orën 9.50, kryeministri ukrainas Shmyhal - siç kujtoi ai vetë në një konferencë të mëvonshme për shtyp mbajtur në Romë - përsëriti ftesën drejtuar Papës për të vizituar kryeqytetin Kiev dhe i kërkoi atij ndihmë për kthimin e fëmijëve të internuar me forcë në Rusi.

“Për sa i përket takimit që patëm sot me Papën në Vatikan, biseduam për formulën e paqes dhe ndihmën e mundshme të Shenjtërisë së Tij dhe Vatikanit në arritjen e të gjitha hapave të planit të paqes të Presidentit Zelensky. I kërkova gjithashtu Shenjtërisë së Tij ndihmë për kthimin në shtëpi të ukrainasve dhe fëmijëve ukrainas që janë të ndaluar, arrestuar, deportuar me forcë në Rusi. Më tej e ftova Atin e Shenjtë që të vijë dhe të vizitojë personalisht vendin tonë”.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

Në Vatikan, kryeministri ukrainas Shmyhal, pas dialogut me Papën Françesku, u takua me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin, dhe Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher. Gjatë "bisedimeve të përzemërta" në Sekretarinë e Shtetit, njofton zyra e Shtypit e Vatikanit, u fol për "tema të ndryshme në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e Kishave në vend" dhe, natyrisht, për "çështjet e ndryshme që lidhen me luftën në Ukrainë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë aspektit humanitar dhe përpjekjeve për rivendosjen e paqes”.

Dhuratat

Dhurata që Papa i dha kryeministrit ukrainas është një simbol paqeje: një derdhje bronzi e një luleje që lind me mbishkrimin "Paqja është një lule e brishtë". Përveç kësaj, Papa Françesku i dhuroi kryeministrit ukrainas Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2023, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore të nënshkruar në Abu Dabi dhe librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (LEV). Gjithashtu i dhuroi vëllimin "Një Enciklikë mbi paqen në Ukrainë".

Kryeministri Shmyhal iu përgjigj me dhuratën e ‘gjelit në qeramikë’ që pati shpëtuar, në një apartament, nga bombardimet ruse që ranë, në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit të vitit të kaluar, në Borodjanka, në Ukrainën veriore. ‘Gjeli në qeramikë’ u bë kështu një simbol për Ukrainën: një simbol i rezistencës, një simbol i një populli që qëndron pavarësisht dramës së luftës. Pra riprodhimi i "gjelit" në formën e një ene i është dhuruar sot Papës Françeskut nga kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, së bashku me një libër fotografish që rrëfen luftën e vazhdueshme dhe rezistencën e popullit ukrainas.

Kryeministri i vendit të sulmuar edhe dha Papës edhe një dhuratë tjetër me kallinjtë e grurit nga Ukraina, edhe kjo një simbol. Një simbol i marrëveshjes ndërkombëtare, të nënshkruar në korrik 2022, për të lejuar kalimin e anijeve që transportojnë drithëra ukrainase përmes Detit të Zi pavarësisht konfliktit, për transportin e të cilit Selia e Shenjtë ka dhënë mbështetjen e saj, tha kryeministri Shmyhal, duke shprehur mirënjohjen e tij.

27 prill 2023, 14:44