Kërko

Papa, INPS-it: jo, punës së zezë, tregut të rremë, shfrytëzimit

Papa, duke pritur sot në audiencë drejtuesit dhe punonjësit e Institutit Italian të Sigurimeve Shoqërore, nënvizoi se sistemi pensionistik “është formë e welfare, apo e mirëqenies, që i bashkon breznitë, duke u dëshmuar se varen nga njëria-tjetra”. Ndjehet nevoja për politikë të urtë, të udhëhequr nga kriteri i vëllazërisë, që nuk i lë breznitë e ardhshme në kushte të vështira, duke i shpërdoruar burimet

R.SH. – Vatikan

Bëri tri thirrje Papa Françesku në audiencën e sotme me drejtuesit dhe punonjësit e INPS, Institutit Italian të Sigurimeve Shoqërore, me rastin e 125-vjetorit të themelimit: “Jo, punës së padeklaruar a të zezë, fund abuzimit me pasigurinë e punë e denjë për të gjithë!”.  

Thirrja e parë,  kundër punës së padeklaruar.

Për një çast, duket se puna e padeklaruar a e zezë i sjell përfitime ekonomike punëtorit, por më pas - vuri në dukje Papa - nuk i lejon familjet të kontribuojnë për t’u anëtarësuar, sipas drejtësisë, në sistemin e daljes në pension. Puna e padeklaruar falsifikon tregun e punës dhe i shndërron punëtorët në viktima të shfrytëzimit dhe të padrejtësisë.

Thirrja e dytë: jo shpërdorimit!

Thirrja e dytë ishte një “jo” shpërdorimit të punës së pasigurt, që ndikon mbi zgjedhjen e rrugëve të jetës së të rinjve dhe ndonjëherë i detyron të punojnë edhe kur u mungojnë forcat. Mungesa e punës duhet të jetë kalimtare, nuk mundet as nuk duhet të vazhdojë me tepri; përndryshe, përfundon me mosbesimin e të rinjve, favorizon shtyrjen e zgjedhjes së rrugëve të jetës së tyre, i distancon nga përfshirja në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe rrit pakësimin e lindjeve”.

Thirrja e tretë: po punës!

“Thirrja e tretë - nënvizoi Papa - është një “po” për punën dinjitoze, gjithmonë 'të lirë, krijuese, solidare'. Pensionimi është formë e pjesëmarrjes në mirëqenien tënde e edhe në atë të të tjerëve. Të lësh mënjanë burime financiare dhe të garantosh kujdesin për shëndetin, do të thotë të kesh një pasuri të çmuar, që  të mbron në stinët e ndryshme të jetës. E dimë të gjithë ç’do të thotë pension i mirë  e pension  i keq, të cilët deri Bibla i përshkruan mbrekullisht. I keq është pensioni i njeriut që mendon vetëm për vete, siç na e kujton shëmbëlltyra ungjillore e koprracit, që ndërton hambare gjithnjë më të mëdha për të mbledhur pasurinë e tij, veç për vete!

Kush mbyllet në vetvete, nuk ka të ardhme!

Ata që mbyllen në vetvete, që u besojnë sigurive të rreme, nuk kanë të ardhme. Siguri e mirë është ajo e patriarkut Jozef i cili, pasi u bë guvernator i Egjiptit, kujdeset për të lënë mënjanë drithin e viteve të bollëkut, që të mund të përballohej tmerri i mungesës së bukës në kohë zije. Jozefi jo vetëm që beson në Provaninë e Zotit, por tregon edhe largpamësi për të mirën e njerëzve. Ai di të shikojë përpara;  përfytyron të mirën, edhe kur sundon e keqja; e edhe në kohë zije, kujdeset për njerëzit që i janë besuar!

Prej këndej, qortimi i Papës, me vlerë për të gjitha kohët e për të gjitha vendet:

 "Ne kemi nevojë për politikanë të mençur, të udhëhequr nga kriteri i vëllazërimit, që dinë ta dallojnë stinën nga stina, duke shmangur rrezikun e humbjes së burimeve, kur janë e duke i lënë brezat e ardhshëm në gjendje të vështirë”.

Në përfundim, falënderimi drejtuar të pranishmëve:

“Ju falënderoj për shërbimin që bëni në ndihmë të punëtorëve e të punëtoreve, duke siguruar mbështetjen për të papunët dhe në favor të të sëmurëve, të plagosurve apo të të moshuarve”.

03 prill 2023, 13:22