Papa emëron një motër rregulltare në krye të Akademisë së Shkencave Sociale
R. SH. – Vatikan
Papa vazhdon në vullnetin e tij për t’u ofruar përgjegjësi të rëndësishme grave brenda institucioneve të Vatikanit. Të shtunën e kaluar Ati i Shenjtë ka emëruar Presidente të re të Akademisë Papnore të Shkencave Sociale rregulltaren nga Londra motrën Helen Alford, O.P., 59 vjeç në 1 maj të ardhshëm, Dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Papnor të shën Tomës së Akvinit / Angelicum në Romë.
Motra Alford, e cila është anëtare e Motrave Dominikane të Shën Katerinës së Sienës nga Newcastle, pason ekonomistin Stefano Zamagni, të cilin Papa e pati emëruar në mars 2019 President të Akademisë Papnore të Shkencave Sociale. Rregulltarja Dominikane ka diplomuar e doktoruar në Inxhinieri Menaxhimi pranë Universitetit të Kembrixhit. Pjesën më të madhe të misionit e karrierës së saj akademike e ka zhvilluar në Universitetit Papnor Angelicum, si profesoreshë ordinare pranë fakultetit të shkencave shoqërore si dhe Zëvendës-rektore e të njëjtit universitet.
Motra dominikane është një eksperte ndërkombëtare e etikës së biznesit (Business Ethics), ka ligjëruar në universitetet të ndryshme në lëndët që lidhen me etikën ekonomike dhe historinë e mendimit shoqëror të krishterë. Ajo është gjithashtu anëtare e këshillave shkencore të revistave të ndryshme shkencore, duke përfshirë Journal of Catholic Social Thought, Finance and the Common Good, Transforming Business, OIKONOMIA: revista kushtuar etikës së shkencave shoqërore.
Nga viti 2020 ajo ka qenë anëtare e zakonshëm e Akademisë Papnore të Shkencave Sociale dhe në të kaluarën ka qenë konsulente e Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe.