Kërko

Cristo Risorto Cristo Risorto

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja! Për shumë vjet Pashkën!

Për Shumë Vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja! Nё festёn e Pashkёve kremtojmë misterin e madh, themelin e fesë e të shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u Ngjall prej së vdekuri në të tretën ditë, sipas Shkrimeve

R.SH. - Vatikan

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!

Për shumë vjet Pashkët  nga redaksia shqipe e Vatican News – Radio Vatikanit, tё gjithё ju vëllezër e motra, miq e dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, kudo qё jeni.

Paqja e të Jezusit të Ngjallur qoftë me ju!

Nё festёn e Pashkёve kremtojmë misterin e madh, themelin e fesë dhe të shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u Ngjall prej së vdekuri në të tretën ditë, sipas Shkrimeve. Lajmin që engjëjt i dhanë Marisë nga Magdala dhe grave që kishin rendur tek varri në agimin e ditës së parë pas së shtunës, e dëgjojmë edhe sot me emocion: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? Nuk është këtu! Është ngjallur!”. (Lk. 24, 5-6). Nuk është e vështirë të përfytyrojmë çka ndjenë atë çast këto gra: trishtim e tronditje për vdekjen e Zotit të tyre, mosbesim e habi për faktin aq të jashtëzakonshëm e aq të vështirë për t’u besuar. Gjithsesi varri ishte i hapur, i zbrazët: trupi nuk ishte më aty. Pjetri e Gjoni, të njoftuar nga gratë, vrapuan tek varri dhe vërtetuan se ato kishin të drejtë.

Besimi i Apostujve në Jezusin, në Mesinë e pritur, ishte vënë në provën e vështirë të shkandullit të kryqit. Në sa Jezusi arrestohej, dënohej e vdiste, ata qenë shpërndarë, ndërsa tani ishin përsëri bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë i Ngjalluri erdhi t’i takonte e t’u shuante etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi erdhi, u ndal midis tyre e u tha: “Paqja qoftë me ju!” (Gjn 20,19).

Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm: Po, Zoti e përmbushi premtimin që na pati bërë; vërtetë u ngjall dhe ne e pamë dhe e prekëm! Kështu thanë Apostujt, por Toma vijoi të dyshonte e të ngurronte. Kur Jezusi erdhi për herë të dytë, tetë ditë më pas, në Çenakull, i tha: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim e mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Përgjigja e Apostullit është besojmë prekëse feje: “Zotëria im e Hyji im!”. (Gjn 20, 27-28). “Zotëria im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën personale të fesë sonё së bashku me Tomën.

Si urim për Pashkët e këtij viti, menduam të zgjedhim pikërisht fjalët e kёtij apostulli, sepse njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të Ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se me këtë Apostull mund të davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u Ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti Ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë, nё çdo njeri dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të Tij të amshuar shëlbues.

Krishti Ngjallur është i Gjallë mes nesh, Ai është shpresa për një ardhmëri më të mirë. Ndërsa me Shën Tomën apostull themi : « Zoti im e Hyji im ! », të jehojë edhe ne, të bashkuar me Të, të gatshëm për të shkrirë jetën për vëllezërit tanë (cfr. 1Gjn 3,16), të bëhemi apostuj të paqes, lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja, gëzimit të Ngjalljes. 

Redaksia shqipe e Vatican News – Radio Vatikanit, tё gjithё ju miq e  dashamirё, kudo që jeni, për shumë vjet Pashkët! Krishti u Ngjallë! Vërtetë u Ngjall! Aleluja

08 prill 2023, 18:37