Kardinali Parolin: paqja nuk është fryt i traktateve, mirëpritet në zemër, për t’u dëshmuar
R.SH. / Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, shuguroi ipeshkëv në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, at Rolandas Makrickas. Me origjinë nga Lituania, prelati ishte në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Në periudha të shënuara nga konfliktet, bazilika liberiane është pikë referimi për harmoninë ndërmjet popujve, kujtoi Kardinali Parolin, i cili i kërkoi ipeshkvit të ri të përhapë kudo mëshirën dhe faljen.
Kardinali Parolin: paqja nuk është fryt i traktateve, mirëpritet në zemër, për t’u dëshmuar
Ishin të pranishëm edhe disa besimtarë dhe ipeshkvij nga Lituania, dje pasdite, në Romë, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u shugurua ipeshkëv Imzot Rolandas Makrickas, me origjinë nga Biržai, komisar i jashtëzakonshëm i Bazilikës. Liturgjinë e kryesoi Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, në bashkëkremtim me kardinalin Stanislaw Rylko, kryeprift i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe dhe Imzot Edgar Peña Parra, zëvendës për Punët e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit. Kardinali Parolin e nisi predikimin duke i përcejllë Imzot Makrickas bekimin e Papës Françesku. Më pas u ndal veçanërisht tek paqja që resh Krishti mbi botë të Dielën e Pashkëve “duke e pajtuar njerëzimin me Atin Hyjnor”. Paqe e cila, siç shkruan Shën Pali, "nuk është vetëm ndërprerje e konfliktit - shpjegoi kardinali - por vepër e re bashkimi dhe pajtimi".
Ipeshkvi duhet të jetë shpërndarës i mëshirës
Kardinali Parolin kujtoi edhe të Dielën e Mëshirës Hyjnore - lindur me shtytjen e Shën Faustinës Kowalska e cila, në vitin 1934, në Vilnius të Lituanisë, mori nga Krishti porosinë për ta kremtuar festën e Mëshirës Hyjnore të dielën e parë pas Pashkëve. Prej këndej, e nxiti imzot Makrickas të jetë në “çenakullin e Kishës dhe në shtëpinë e përbashkët të botës”, shpërndarës i mëshirës dhe i faljes, bari që i shikon me dhembshuri plagët e njeriut dhe të shoqërisë, shërbëtor i aftë për ta dalluar gabimin nga i gabuari dhe i gatshëm të shërojë "plagët e errëta të njeriut të sotëm, me ëmbëlsinë ndriçuese të plagëve të Jezusit".
Paqja duhet dëshmuar
Komisioneri i jashtëzakonshëm i Shën Marisë së Madhe, të cilin Papa Françesku më 11 shkurtin e kaluar e emëroi ipeshkëv titullar të Tolentinos, duke i dhënë titullin personal të kryeipeshkvit, shërbeu në përfaqësi të ndryshme papnore si dhe në seksionin e çështjeve të përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, prandaj Kardinali Parolin kujtoi edhe rolin e tij si diplomat, duke e ftuar "në mënyrë të veçantë, të jetë veprimtar i paqes", i një paqeje, që bota fatkeqësisht sot "nuk e ka, ndonëse e dëshiron shumë". "Një paqeje që nuk mund të arrihet as me traktatet më të mira - vuri në dukje kardinali - por mirëpritet në zemër, për t'u transmetuar më pas përmes dëshmisë".
Misioni i posaçëm i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe
Së fundi, kardinali Parolin uroi që Bazilika e Shën Marisë së Madhe "dhe ata që i shërbejnë", të kenë si mision "edhe përmes promovimit, frymës krijuese dhe nismave të kultit Marian", "të tërheqin forcën e paqes së Zotit përmes ligështisë, në dukje, të lutjes, faljes, adhurimit”. “Në një periudhë të ngarkuar me konflikte, bazilika liberiane është pikë referimi për paqen” - pohoi Kardinali - i cili kujtoi, në këtë vend kulti, edhe “grupin skulpturor të Marisë, Mbretëreshë e Paqes, realizuar me dëshirën e Benedikti XV, që i kërkoi Virgjërës Mari ndërmjetësimin për t'i dhënë fund Luftës së Madhe, të cilën e pati cilësuar masakër të kotë”.
Falënderim nga ipeshkvi i ri
Në përfundim të Meshës, ipeshkopi i ri falënderoi Zotin "për dhuratën e jetës dhe thirrjen meshtarake", duke kujtuar edhe se si moto ipeshkvore kishte zgjedhur fjalët “Deus Fidelis Manet - Zoti mbetet besnik". “E ndjej thellësisht se, në jetën time, Ai ishte e mbetet Besniku: Zoti ynë – shtoi. Këtë realitet e pashë dhe e përjetova në historinë e kombit tim dhe në jetën time personale. Më shoqëroi dhe më mbështeti me hirin e Tij - vazhdoi - si në çastet e gëzimit, ashtu edhe në ato të vajit”. Më pas, Kryeipeshkvi Makrickas ia besoi shërbesën e tij ipeshkvnore Zotit dhe falënderoi familjen e tij, në gjirin e së cilës e ruajti fenë edhe "gjatë viteve të errëta të persekutimit sovjetik". "Edukata e krishterë, e marrë në familje dhe në famullinë vendase të Birzhait, e thjeshtë, por pamposhtur - përfundoi prelati - ishte dhe mbetet një pikë e patundur referimi për mua".