Forca e lutjes
R.SH. - Vatikan
Andrea Tornielli
Një nga karakteristikat e Jorge Mario Bergoglio-s është gjithnjë, për këdo takon, kërkesa që të lutet për të. Që shumë vite përpara se të bëhej Ipeshkvi i Romës, ai nuk e përfundonte bisedën apo letrën pa atë frazë, e cila u bë e njohur në të gjithë botën, gjatë dekadës së fundit: “Një favor, mos harro të lutesh për mua”. Për jezuitin argjentinas, që sot është Pasardhësi i Shën Pjetrit, ato fjalë nuk kanë qenë kurrë rrethanore e, megjithëse të përsëritura mijëra herë, nuk mund të konsiderohen thjesht zakon.
Menjëherë pas zgjedhjes së Papës Françesku, gazetari argjentinas Jorge Rouillón shkroi një artikull për të treguar ç’i kishte ndodhur disa vite më parë, kur Bergoglio ishte kryeipeshkëv i Buenos Airesit. “Një ditë e pyeta kardinalin nëse mund të lutej për mua, sepse në ato kohë po prisja rezultatin e një analize mjekësore për prostatën dhe kishte dyshime për diçka të keqe. Atëherë, rezultati doli pozitiv për mua dhe e pata harruar plotësisht çështjen. Dy ose tre muaj më vonë, e takova përsëri kryeipeshkvin e Buenos Airesit. Sapo më pa, më pyeti 'A duhet të vazhdoj të lutem?'. M’u desh të mendoja mirë para se ta kuptoja për çfarë e kishte fjalën. Ai vazhdonte ta kishte parasysh në lutjen e tij personale atë, që për mua tani kishte kaluar në plan të dytë”.
Lutja, për ata që kërkojnë të shoqërohen dhe të mbrohen, është një mënyrë për t’i qëndruar pranë tjetrit kur ka nevojë dhe përkon me gjithçka na e mësoi dhe na e dëshmoi në Ungjill vetë Jezusi. Ishte 13 tetori i vitit 2013 kur Françesku, gjatë homelisë së një meshe në Shtëpinë e Shën Martës, foli për "guximin e lutjes": "Si lutemi? A lutemi kështu, sa për zakon, me përshpirtëri, por të qetë, apo vendosemi me guxim para Zotit për t’i kërkuar hirin, për t’i kërkuar atë për të cilën lutemi? Guximi në lutje: lutja, që nuk është e guximshme, nuk është lutje e vërtetë. Duhet guxim për të besuar se Zoti na dëgjon, guxim, për t’i trokitur në derë... Zoti e thotë vetë: 'Kush lyp merr dhe kush kërkon gjen. Kujt troket do t’i hapet'. Por duhet të lypësh, të kërkosh dhe të trokasësh”.
Sa shumë kërkesa për lutje, sa përgjërime kanë ardhur nga çdo anë e botës për Pasardhësin e Shën Pjetrit, gjatë këtyre viteve, e janë mbajtur parasysh prej tij në lutjen personale, siç ndodhi me atë të mikut të tij gazetar argjentinas. Por, ka edhe një rrjedhë tjetër, e padukshme dhe e fuqishme, përfaqësuar nga lutjet e miliona besimtarëve në mbarë globin. Gra, burra, fëmijë, të moshuar, familje. Njerëz të thjeshtë, të cilët, duke dëgjuar Papën të kërkojë lutje në fund të çdo Engjëlli të Tënzot, të çdo audience, të çdo fjalimi dhe të çdo takimi, e kanë marrë seriozisht këtë kërkesë dhe vazhdojnë të luten çdo ditë për të dhe për ndjetet e tij. Dhurata më e bukur për Ipeshkvin e Romës, të cilit i pëlqen shumë “të bëjë meshtarin” pa e kursyer veten, siç e pamë edhe gjatë shtrimit të tij të fundit në Poliklinikën Gemelli, është ta mbështesin këto lutje madhështore të më të vegjëlve. Populli i Zotit, që nuk harron kurrë të lutet për Françeskun, u gëzua kur e pa përsëri në sheshin e Shën Pjetrit të dielën.