Kërko

Papa Gjoni XXIII Papa Gjoni XXIII  Editorial

"Pacem in terris", enciklikë tejet aktuale, e papërfillur

Gjashtëdhjetë vjet pas publikimit, dokumenti i Gjonit XXIII "Pacem in terris" mbetet tejet aktual në botën e luftës së pjesshme, që nuk mund “ta çarmatosë zemrën".

R. SH. - Vatikan

"Përhapet gjithnjë më shumë në mbarë botën bindja se mosmarrëveshjet  ndërmjet popujve nuk mund të zgjidhen me armë, por përkundrazi, me bisedime". Gjashtëdhjetë vjet më parë Papa Shenjt Gjoni XXIII, asokohe në prag të vdekjes, i dorëzoi botës enciklikën e tij për paqen, pjesë e hapave të para në rrugën drejt çarmatimit dhe uljes së tensionit. Përfundonte, kështu, doktrina e "luftës së drejtë" dhe Papa Bergamask paralajmëronte, me realizëm të thellë, rreziqet që krijoheshin nga armatimet e reja, të fuqishme bërthamore.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë ai tekst mbetet tejet aktual, ndonëse fatkeqësisht, i shpërfillur. Bindja për efektet shkatërruese të një lufte të mundshme atomike nuk duket sot aq e pranishme, sa ishte në atë prill 1963: bota u trondit nga dhjetëra konflikte të harruara e vijon të tronditet nga një luftë e tmerrshme, e cila filloi me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, në zemër të Evropës së krishterë. Kultura e mospranimit të dhunës përpiqet të krijojë hapësirën e vet, ndërsa deri fjalët "bisedime” e "negociata" për shumëkënd tingëllojnë si blasfemi. E në vend të forcimit të një autoritetit politik botëror, të aftë për të favorizuar zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, në botë është shtruar këmbëkryq skepticizmi. Diplomacia hesht e lufta dhe gara e çmendur e armatimeve konsiderohen si të pashmangshme.

E megjithatë, pavarësisht nga kjo tablo e zymtë, parimet e renditura nga Papa Roncalli në "Pacem in terris" jo vetëm se vijojnë t’i sfidojnë ndërgjegjet, por vihen në praktikë çdo ditë nga ata që nuk  dorëzohen para urrejtjes, dhunës, paragjykimit, luftës. Nga ata "artizanë të paqes" që sot janë me mision në Ukrainë dhe në shumë vende të tjera të botës, duke vënë shpesh në rrezik jetën e tyre. E dëshmohen nga të gjithë ata, që i marrin seriozisht fjalët e Papës Françesku, shqiptuar në nunciaturën e Kinshasës kur takohej me viktimat e dhunës së papërshkrueshme:

“Për t’i thënë me të vërtetë 'jo' dhunës, nuk mjafton të shmangësh aktet e dhunshme; duhen zhdukur rrënjët e dhunës: po mendoj për pangopësinë, zilinë dhe, mbi të gjitha, inatin. Duhet të kemi ‘guximin për të çarmatosur zemrën’”.

11 prill 2023, 09:12