Drita e fëmijëve me sëmundje të rralla, në orën e errët të kryqi
R.SH. / Vatikan
Në Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe, Jezusi nuk është vetëm, e shoqërojnë shumë njerëz drejt Kalvarit. Edhe sot pranë krevatit të fëmijëve të sëmurë, pranë familjeve që i përkujdesin, pranë mjekëve, që i mjekojnë, mund të gjesh Marinë dhe Kireneun. "Plagët që jetojnë - shpjegon profesor Giuseppe Noia, drejtor i Hospicit Perinatal të Poliklinikës Gemelli - bëhen plagë në të cilat shihet drita e një mënyre të re për ta jetuar vuajtjen".
Fëmijët me sëmundje të rralla, në orën e errët të kryqit
Në çastet e fundit të jetës, para se ta lëshonte shpirtin në duart e Atit, Jezusi tha: “U krye!”(Gjn. 19.30). Këtë shprehje krejt të shkurtër, por kuptimplote, e pati shpjeguar Papa Françeku në audiencën e përgjithshme të 1 prillit 2015, duke nisur me një pyetje retorike: “Ç’deshi të thotë Jezusi me këtë fjalë ‘U krye’”? Deshi të thotë se vepra e shëlbimit u krye me Flijimin e tij, se të gjitha Shkrimet e Shenjta u përmbushen plotësisht në dashurinë e Krishtit, Qengjit të flijuar. Jezusi me flijimin e tij, e shndërroi padrejtësinë më të madhe, në dashurinë më të madhe! E Premtja e Madhe është çasti në të cilin sundon errësira, por edhe çasti, kur njerëzimi pret të shpërthejë drita e Ngjalljes. Poshtë kryqit është Maria, nëna që vuan në heshtje, që rri si e ngrirë para padrejtësisë e poshtërimi pa e kthyer për asnjë çast kokën mënjanë.
E për ta kuptuar këtë, ndihmojnë shumë ritet liturgjike, rrëfimi i historisë së Mundimeve të Krishtit e edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit, që sonte ju ftojmë ta ndiqni në të katër anët e botës, nga Toka Shenjte, pas të krishterëve të martirizuar të atyre viseve, në Koloseum, pas Papës Françesku...
Maritë e sotme
Ashtu si Maria pranë kryqit, edhe sot ka shumë Mari, që shtrëngojnë duart e fëmijëve të sëmurë, që qajnë pa ia treguar botës dhimbjet e padurueshme, por që e dinë se nuk janë vetëm. Po kujtojmë sot Serenën, nënën e Anxhelikës, vajzës që vuante nga Trisomia 18 e që vdiq në Poliklinikën Gemelli një javë më parë. Gruaja që qante e pangushëlluar, e gjeti ngushëllimin në përqafimin e Papës. "Ishte përqafim për të gjitha familjet që kanë fëmijë me sëmundje të rralla - nënvizon profesori Giuseppe Noia, drejtor i Hospice Perinatale - Qendër për Kujdesin Paliativ Prenatal dhe Postnatal, që mba emrin e Shën Nënë Terezës, Fondacion i Spitalit Universitar Agostino Gemelli - sepse këta fëmijë janë ungjillëzuesit e vërtetë. Familjet me pacientë të vegjël tërheqin në jetën e fëmijëve të tyre të brishtë shumë njerëz të tjerë, që luten, rizbulojnë vlerën e dëshmisë e rifitojnë fenë. Duke duke parë mënyrën se si mund të pranohet vuajtja, gjetën arsye të thella për t’u shërbyer, siç thotë Nënë Tereza, më të varfërve ndër të varfër, duke ndriçuar edhe ndërgjegjen e tyre, sepse të mirëpresësh brishtësinë, do të thotë të mirëpresësh fjalën e Jezusit”.
Vlera e dëshmisë
“Këto familje – shton prof. Noia - dëshmojnë shumë kështu me qëndrimin ndaj fëmijëve të tyre, disa në qiell, të tjerë të gjallë, me brishtësinë e me përqafimet”. Prej 40 vitesh, Fondacioni i Poliklinikës Gemelli e ka bërë të vetin edhe mandatin e Nënë Terezës: atë të mirëpritjes së fëmijëve që familjet e kanë të vështirë t'i pranojnë. Vështirësi të kuptueshme: njeriu nuk është kurrë gati për të vuajtur, por gjithnjë për të qenë bashkë! E ky është mesazhi që vjen nga Fondacioni jofitimprurës “Il Cuore in una Goccia” Onlus, në vijë të parë të mbështetjes së çifteve për t’ua bërë rrugën e vështirë më pak e lodhshme dhe më të lehtë. “Jemi gjithnjë pranë tyre - nënvizon drejtori i bujtinës – ndihmuam 5 mijë fëmijë, shpjeguam se ishte e mundur, në mënyrë shkencërish korrekte, t’u ofronim përgjigje të drejta nënave me fëmijë që vuanin nga patologji të rënda fetale. Kështu lindi kujdesi për fetusin në mitër. Diagnoza prenatale synonte trajtimet paliative para dhe pas lindjes. Lindi kështu, edhe telefoni i kuq, linjë telefonike për nënat e ardhshme, e më pas bujtina, e para që u zyrtarizua në Itali dhe po në ato vite, edhe fondacioni “Il Cuore in una drop” që e mbështet”.
"Modeli Gemelli"
Shkenca, familja, feja! Këta, tre krahët e veprës së fondacionit “Modeli Gemelli” i përsëritur edhe në struktura të tjera, që mbështetet në mikpritjen, kujdesin për brishtësinë, por edhe, e sidomos, në lutjen” - shpjegon Noia - përmes çenakujve të përhapur në të gjithë Italinë, por edhe përmes bamirësisë, mbështetjes psikologjike të nënave që ecin në këto shtigje të thepisura, pa hequr dorë nga fëmija, por duke e shoqëruar në mjekim. Nuk mungon as mbështetja financiare me një fond të quajtur Adotta una Lucetta. Hospici nuk është vetëm qendër mjekësore, por edhe vend ndihme e marrëdhëniesh, që nuk e lë kurrë familjen vetëm, por e shoqëron, sidomos në çastin e pohimit të ndonjë diagnoze të vështirë.
Ajo që thonë të gjitha familjet është se vuajtja vazhdon të ekzistojë, megjithatë, jo me dëshpërim, por me paqen e pamasë të zemrave, në mënyrë që përmes plagëve të hapura nga sëmundja të shihet drita e një mënyre të re të përjetimit të vuajtjes. E gjithë kjo ndodh kur ne pranojmë shoqërinë e Zotit dhe të njeriut, të kireneut të kohëve tona, punonjësve të shëndetësisë që vullnetarisht e pa pagesë, mblidhen në bujtinë për t’u ndeshur me vdekjen, në emër të jetës! Për t’u kryqëzuar, në emër të ngjalljes!
Askush nuk është i papajtueshëm me jetën – na kujton Papa Françesku, por ka kushte - nënvizon Noia – që e kufizojnë jetën. Në përfundim, profesori ndalet tek aspekti njerëzor, tek reagimet e shumë familjeve që i shohin sesi fëmijët e tyre të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Është një mbështetje e gjithanshme, e cila hap horizonte shprese. Ato horizonte, që hap në botën e sotme Jezusi me Pashkët e Tij të ngjalljes.