Në gjunjë te këmbët e Kryqit
R.SH. - Vatikan
E Premtja e Madhe është dita e kryqit, e mundimeve, e vdekjes së Krishtit! Prej andej i Kryqëzuari e shikon sonte botën, për ta shpëtuar! E Premtja e Madhe e Pashkëve është Dita e flijimit më të madh, për dashurinë më të madhe, për shëlbimin e çdo njeriu. Ditë heshtjeje e kundrimi, agjërimi e lutjeje!
Ditë, kur mendimi nuk mbyllet në vetvete, por shkon larg, shumë larg, në vise të pashkelura, tek kuptimi i fundit i jetës, tek vuajtja, tek ngjarjet që shqetësojnë botën, por pa guxuar të na i kryqëzojnë shpresat!
Duke parë si vuan Jezusi, shikojmë si në pasqyrë vuajtjet e njerëzimit të sotëm e gjejmë përgjigjen hyjnore të misterit të së keqes, të dhimbjes, të vdekjes, që në këtë të Premte të Madhe shtegton më turrshëm se kurrë nëpër botën tonë e nëpër shpirtin tonë!
Kundrojmë e lutemi:
“O Krisht, ne shpresojmë se kryqi yt do t’i shndërrojë zemrat tona prej guri në zemra njerëzore, të afta të ëndërrojnë, të falin, të duan. Shndërroje, o Zot, këtë natë të errët të mbarë njerëzimit, të ndriçuar vetëm nga flaka e armëve, në agimin e ringjalljes Sate! E me të, edhe të mbarë popujve të tokës!
Na mëso se Kryqi është udha e Ringjalljes, se e Premtja e Madhe është udha që çon drejt Pashkëve të dritës; që na kujton se Zoti vonon, por nuk e harron kurrë asnjë nga bijtë, se nuk lodhet kurrë duke falur e duke e rrokur botën me mëshirën e Tij të pambaruar. Mësona të mos lodhemi kurrë duke kërkuar falje.
Sot mbarë bota kundron një kryq, të ngulur në qendër të historisë. Prej andej i Kryqëzuari e shikon sonte botën, për ta shpëtuar!
Lërja, prandaj, sot urrejtjen atij, që nuk është i zoti për të dashur! E kujto se mundimet e Jezu Krishtit na mësojnë të vuajmë, për të rilindur një ditë në Jetë të re.
Sepse, të besosh në Pashkët
s’është feja e vërtetë!
Tepër i bukur Je për Pashkë!
Feja e vërtetë
është në të Premtën e Madhe,
kur Ti nuk ishe
atje poshtë,
e asnjë jehonë
s’i gjegjej
britmës sate!
E vetëm asgjëja
i jepte formë
mungesës Sate”
(David Maria Turoldo)
Atë ditë njeriu kuptoi se Kryqi sjell dhimbje e gëzim: dhimbje për një çast të vetëm, gëzim për amshim!