Kërko

Papa Françesku në një takim me të moshuarit Papa Françesku në një takim me të moshuarit

Dita e Gjyshërve, De Paula Souza: rast për t’u dhënë dinjitet të mënjanuarve

"Mëshira e tij, brez pas brezi": kjo, tema e edicionit të tretë të Ditës Botërore të Gjyshërve, dashur nga Françesku. Ajo do të kremtohet më 23 korrik me një meshë të kryesuar nga Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit. Sekretari i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën: "Tema është e lidhur me DBR-në e Lisbonës për të nënvizuar dialogun me të rinjtë. Dita është rast për të reflektuar me dhe për të moshuarit, jo vetëm si Kishë: edhe gjyshërit kanë nevojë për mbështetje politike"

R.SH. – Vatikan

         Nga dhjetë vitet e papnisë, takimi me të moshuarit në Sheshin e Shën Pjetrit, në vitin 2014, ka qenë "një nga çastet më të bukura": kështu pohoi Papa Françesku kohët e fundit. Ai vetë themeloi një Ditë Botërore kushtuar të gjithë gjyshërve, për të sensibilizuar botën, e cila shpesh, i mënjanon ata, në vend që t’i vlerësojë për moshën dhe përvojën. Tani, kjo Ditë është në edicionin e saj të tretë, që do të kremtohet më 23 korrik, me një meshë të kryesuar nga Ati i Shenjtë, në Sheshin e Shën Pjetrit.

"Mëshira e tij, brez pas brezi": kjo është tema e zgjedhur këtë vit, marrë nga Ungjilli sipas Lukës (1,50). Temë, që synon ta lidhë takimin e Romës me ngjarjen madhështore të Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë (1-6 gusht), duke i vënë idealisht të rinjtë e të moshuarit në dialog, siç këshillon gjithnjë Papa Françesku. Këtë nënvizon edhe Sekretari i Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, Gleison De Paula Souza, në një intervistë për Radio Vatikanin.

Cili është kuptimi i kësaj teme?

         Tema u zgjodh në harmoni me atë të Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë: “Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim”, marrë nga Ungjilli sipas Lukës. Edhe fragmenti i vogël "mëshira e tij brez pas brezi" është marrë nga Ungjilli sipas Lukës dhe është fundi i pjesës së parë të Magnificat-it, kur Maria, menjëherë pas njoftimit të Engjëllit, shkon për të takuar kushërirën e saj të moshuar, Elizabetën. Pra, është temë, që nxjerr në pah rëndësinë e dialogut ndërmjet brezave, themelor për të kuptuar dhe për të medituar mbi veprën e mëshirshme të Zotit në favor të qenieve njerëzore. Në fakt, dialogu ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve ndihmon për të pasur një vizion më të plotë në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore dhe më vëllazërore.

Përmendët DBR-në e Lisbonës. Në ç’mënyrë Dita e Gjyshërve lidhet me ngjarjen e madhe, që do të mbledhë në Portugali të rinj nga pesë kontinentet?

         Së pari, janë ngjarje afër njëra-tjetrës: Dita Botërore e Gjyshërve do të kremtohet më 23 korrik dhe ajo e Rinisë, më 1 gusht. Por nuk është thjesht lidhje kalendarike.... Pyeta dhe më thanë se Papa Françesku ka folur publikisht për të moshuarit, për herë të parë, pikërisht në DBR-në e Rio de Zhanejros, më 2013, duke vënë në pah nevojën e marrëdhënieve ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, pasi të parët transmetojnë urtinë dhe përvojën e jetës; të dytët, forcën dhe shpresën për të ardhmen. Lidhja e dy ngjarjeve rrjedh, pra, nga kjo vetëdije: të rinjtë dhe të moshuarit kanë nevojë për njëri-tjetrin.

         Të kthehemi te Dita e Gjyshërve. Papa e themeloi për të promovuar një kategori që shpesh lihet mënjanë, braktiset, ligështohet edhe më shumë. Si e ka nxitur kjo nismë veprimtarinë dhe vëmendjen për të moshuarit?

Papa e ka pasur gjithmonë për zemër këtë temë. Që nga fillimi i papnisë, nguli këmbë të kapërcehej “kultura e hedhurinave”, duke e zëvendësuar me “kulturën e marrëdhënieve”. Të gjithë e dimë se jetojmë në një shoqëri ku të moshuarit nuk vihen në qendër. Reflektimi i Atit të Shenjtë na shtyn të bëjmë disa pyetje: “Çfarë bëjmë ne për të moshuarit? Si kujdesemi për ta? A ndihen të vetmuar? A kanë vërtet dinjitet?”. Ja pra, duhet t’i vendosim të moshuarit në qendër dhe të mësojmë prej tyre, të mendojmë për ta dhe të marrim vesh si po e kalojnë ditën, a janë mirë. Këto, sipas meje, janë disa nga frytet e reflektimit të Papës. Kjo Ditë shërben edhe për të ngjallur në zemra dëshirën për të menduar dhe për të kërkuar zgjidhje, që u japin më shumë dinjitet gjyshërve.

Në ç’mënyrë mund t’u japim konkretisht dinjitet? Kronikat flasin për raste të moshuarish të braktisur si para, ashtu edhe pas vdekjes, për njerëz të vetmuar... Papa denoncoi këto ditë edhe përjashtimin e disave prej tyre nga trajtimi mjekësor. Pra, si mund të zbatohet në praktikë ftesa e Papës për t’i vendosur të moshuarit në qendër, edhe në nivelin kishtar?

Fatkeqësisht jo të gjithë njerëzit, jo të gjitha institucionet, tregojnë vëmendje për gjendjen e "gjyshërve". Fatkeqësisht… Kjo është arsyeja pse Papa Françesku flet gjithnjë për plagën e shëmtuar të “kulturës së hedhurinave”. Në këtë çast, Kisha e ka për detyrë t’i shoqërojë, t’u qëndrojë pranë dhe t'u japë mbështetjen e duhur të moshuarve. Ati i Shenjtë i fton të gjitha dioqezat ta organizojnë konkretisht kujdesin baritor për të moshuarit, duke i lënë ata të jenë protagonistë. Për shembull, çdo dioqezë, çdo famulli dhe çdo bashkësi kishtare duhet ta kremtojë Ditën e Gjyshërve duke bërë festë, duke i falënderuar gjyshërit për gjithçka kanë bërë dhe bëjnë ende për Kishën e për shoqërinë. Kjo Ditë është edhe mundësi e shkëlqyer për të filluar një reflektim baritor mbi ta, për ta dhe me ta. Çështja e të moshuarve nuk ka të bëjë vetëm me Kishën, të moshuarit kanë nevojë edhe për mbështetje politike.

Si Dikaster, çfarë propozimi u bëni institucioneve, edhe për të arritur diçka konkrete? Ndoshta bashkë...

Po, ne flasim si dikaster, por vetë Ati i Shenjtë ka thënë shumë herë në fjalimet e tij se duhen menduar politika publike në favor të të moshuarve. Kërkesat kanë të bëjnë me pensionet, për shembull, që mund të përmirësohen, me mundësinë për barna falas ose më lirë, me mbështetjen fizike të të moshuarve, me krijimin e rasteve për të ndenjur me ta. Me pak fjalë, ka shumë mjete, përmes të cilave mund t’u jepet më shumë dinjitet të moshuarve. Detyra e Dikasterit tonë është t’u kërkojë gjithë Kishave dhe institucioneve të kujdesen për të moshuarit, t’u rrinë afër, të luftojnë edhe për ta.

13 prill 2023, 17:34