Kërko

Imzot Gallagher në Tiranë: Vatikani mbështet të ardhmen evropiane të Shqipërisë

Imzot Gallagher gjatë vizitës në Tiranë: Shqipëria, si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, është ndër prioritetet diplomatike të Selisë së Shenjtë.

R.SH. / Vatikan

Shqipëria, si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, është ndër prioritetet diplomatike të Selisë së Shenjtë. Kështu u shpreh Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Paul Richard Gallagher, gjatë konferencës për shtyp sot paradite në Tiranë me ministren e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Imzot Gallagher kujtoi sesi marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë u rivendosën në shtator të vitit 1991 pas "një periudhe dhune dhe tmerri, të shkaktuar nga përjashtimi i detyruar i Zotit nga jeta personale" në vendin ballkanik. Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm, të cilët Selia e Shenjtë i ka ndjekur me shumë vëmendje dhe kënaqësi. E kryeipeshkvi Gallagher shprehu vlerësimin e tij për progresin e bërë nga Shqipëria, e cila në korrik 2022, nisi negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, "një hap ky shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor".

Më pas, imzot Gallagher vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Shtetit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë, duke kujtuar veçanërisht udhëtimet papnore të viteve 1993 e 2014, përkatësisht të Papës Gjon Palit II dhe Papës Françeskut, por edhe vizitën e vitit 2019 në Tiranë të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit. Pietro Parolin si dhe vizitat e shpeshta në Vatikan të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shoqëruar nga ministrja e Jashtme Xhaçka.

Edhe takimi i sotëm, sipas kryeipeshkvit Imzot Gallagher, ishte një rast i volitshëm për të vlerësuar dinamikën pozitive të marrëdhënieve dypalëshe dhe kontributin e Kishës katolike vendase në shoqërinë shqiptare, veçanërisht në promovimin shoqëror dhe në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Tema të tjera diskutimi ishin ndikimi i luftës në Ukrainë në rajonin e Ballkanit dhe e ardhmja evropiane e Shqipërisë si dhe ajo e Ballkanit Perëndimor: Kryeipeshkvi Imzot Gallagher ripohoi më pas mbështetjen e Selisë së Shenjtë ndaj vendeve të zonës "në rrugën drejt unitetit të tyre të plotë me komunitetit evropian”

18 mars 2023, 16:28