Kërko

Libri i Papës, që do të hyjë në orbitë Libri i Papës, që do të hyjë në orbitë

Vatikani do të nisë në Kozmos mesazhin e shpresës së Papës në bordin e Spei Satelles

Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin së bashku me Agjencinë Italiane për Kozmosin po organizojnë nisjen në orbitë të mesazhit të Papës Françesku për paqen dhe shpresën, më 27 mars 2020, gjatë pandemisë së koronavirusit. Teksti do të transmetohet radiofonikisht nga sateliti Spei Satelle, ose “Rojtari i Shpresës”

R.SH. – Vatikan

         Mesazhi i Papës Françesku për shpresë dhe paqe në botën tonë të trazuar është gati të fluturojë në hapësirën kozmike. Sateliti “Spei Satelles”, ose “Rojtari i Shpresës”, do të mbajë në orbitë rreth tokës një regjistrim të Statio Orbis të Papës, mbajtur në kulmin e pandemisë Covid-19, si sot, më 27 mars 2020.

SpeiSat 3U CubeSat do të niset më 10 qershor 2023 nga Baza Kozmike Vandenberg në shtetin amerikan të Kalifornies, në bordin e një rakete SpaceX Falcon 9, e cila do ta çojë në Orbitën e Ulët të Tokës (LEO), në një lartësi prej 525 km.

Ngarkesë paqësore

Sateliti do të marrë me vete një version "nanolibër" të tekstit “Pse keni frikë? A nuk keni fe?”, libër i Papës Françesku, që përmban pamje dhe fjalë nga Statio Orbis, nga i cili e kujtojmë mirë hapin e ngadalshëm të Atit të Shenjtë, ndërsa ngjitej në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në sheshin bosh e nën një shi të ngadalshëm e të imtë. Ndërkaq, në gjithë botën, shtoheshin viktimat e koronavirusit, për të cilin ende nuk kishte trajtime të përshtatshme mjekësore.

Nanolibri është krijuar nga Universiteti Politeknik i Torinos, ka madhësinë e majës së një stilolapsi dhe mund të lexohet vetëm nga pajisje me nanoteknologji shumë të avancuar. Megjithatë, kushdo ka një radio amatore me bandën UHF mund ta dëgjojë transmetimin e dhënë nga sateliti në frekuencën 437,5 MHz, pra, mund të dëgjojë fragmente nga libri i Papës ndërsa sateliti i kalon sipër.

Nanolibri me tekstin e Papës
Nanolibri me tekstin e Papës

Shpresë dhe veprim

Nisma është ftesë për të gjithë njerëzit që ta jetojnë mesazhin e Ungjillit të shpresës në jetën e tyre. Faqja e internetit www.speisatelles.org u jep njerëzve mundësinë të ndjekin përparimin e misionit dhe të kenë emrin e tyre të regjistruar në një çip USB të veçantë në bordin e SpeiSat.

“Për të marrë një biletë virtuale, të interesuarve do t'u kërkohet të zotohen se do të bëjnë një vepër mëshire në emër të paqes dhe të shpresës,” thuhet në notën për shtyp. “Çdo njeri i përfshirë në këtë nismë mund të bëhet kështu, farë konkrete shprese në jetën e përditshme”. Sateliti mund të qëndrojë potencialisht në orbitë deri në 12 vjet, por transmetuesi i radios do të transmetojë vetëm nga 6 muaj deri në një vit, për shkak të baterisë, e cila do të shkarkohet brenda asaj periudhe.

Ikonë profetike e shpresës

Sot (27 mars), në selinë e Radio Vatikanit – Vatican News, u organizua një konferencë për shtyp, që paraqiti nismën, pikërisht tre vite pas lutjes së rëndësishme papnore, në sheshin e Shën Pjetrit. Dikasteri vatikanas për Komunikimin, nga i cili varet Radioja e Papës, e promovon nismën në bashkëpunim me Agjencinë Kozmike Italiane, Këshillin Kombëtar të Kërkimeve, Universitetin Politeknik të Torinos, Instituto para el Diálogo Global y la Cultura del Encuentro – IDGCE, Institutit Universitar Salezian të Venedikut – IUSVE, dhe Apostullimit Dixhital të kryedioqezës së Torinos.

Át Luca Peyron, i cili drejton Apostullimin Dixhital të Torinos, u tha gazetarëve se SpeiSat mbart një mesazh profetik shprese, që do të përhapet përmes teknologjisë më të përparuar.

"Edhe pse nanolibri nuk mund të lexohet me sy të lirë", theksoi ai, "do të rrotullohet rreth planetit. Kështu, bëhet shenjë dhe ikonë, ashtu si Papa Françesku, kur qëndroi i vetëm, në sheshin bosh të Shën Pjetrit”.

27 mars 2023, 17:25