Kërko

2015-02-22 Esercizi Spirituali Casa del Divin Maestro 2015-02-22 Esercizi Spirituali Casa del Divin Maestro

Ushtrimet shpirtërore, të nevojshme për çdo të krishterë

Papa e Kuria Romake, çdo vit në kohë të Krezhmëve mbajnë ushtrimet e shpirtit. Po jo vetëm Papa e bashkëpunëtorët e tij por edhe ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë traditë të mbajnë ushtrimet shpirtërore disa herë në vit, varësisht nga kalendari kishtar e nga ngjarjet e nevojat shpirtërore personale e komunitare

R.SH. / Vatikna

Papa e Kuria Romake, çdo vit në kohë të Krezhmëve mbajnë ushtrimet shpirtërore. Po jo vetëm Papa e bashkëpunëtorët e tij por edhe ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë traditë të mbajnë ushtrimet shpirtërore disa herë në vit, varësisht nga kalendari kishtar dhe nga ngjarjet e nevojat shpirtërore personale, në mënyrë të veçantë në kohët e posaçme liturgjike siç është koha e Ardhjes dhe koha e Krezhmëve.

Po pse ka kaq shumë rëndësi që i krishteri t’i ndërpresë veprimtaritë e përditshme e t’ia kushtojë një pjesë të kohës Zotit, përmes ushtrimeve shpirtërore, ose në mënyra të tjera të mundshme? Përgjigja është se ushtrimet shpirtëror janë vendimtare për jetën e çdonjërit. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij – sikur na e dëshmojnë Ungjijtë – tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Atin Qiellor.

Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjen nevojën për të medituar dhe reflektuar mbi momentet e rëndësishme të jetës, ka çaste ku ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin, i zvogëlohen forcat. Atëherë e ndjen nevojën  për një rishikim të jetës, për ta marrë përsëri shpirtërisht veten, duke iu kushtuar Fjalës së Zotit,  lutjes, në mënyrë që jeta jonë të gjallërohet rishtas.

Mësuesi i madh i ushtrimeve shpirtërore është pa dyshim shën Injaci i Lojolës, themeluesi i Jezuitëve, por praktika e këtyre ushtrimeve është jetuar në mënyra të ndryshme që në agimet e krishterimit. Mjafton të mendojmë për jetën murgare, për shën Bazilin e Madh, shën Antonin, Abat, shën Françeskun, për dominikanët, karmelitanët e kështu me radhë…

Pra, sigurisht është shën Injaci i Lojolës ai që përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtërore, pak a shumë në formën që përdoret edhe sot. Por për këto ushtrime shpirtërore flitej shumë kohë përpara tij. Për këtë traditë na flet gjithë historia murgare e Kishës. Është fjala për të ndjekur këshillin që jepnin etërit e shkretëtirës: “Ik, hesht, qetësohu!” – që do të thotë hiqu mënjanë, zhytu në heshtje, rigjej paqen e shpirtit në bisedë me Zotin.

Duke medituar Fjalën e Zotit, Shkrimin Shenjt - Biblën e duke u lutur, njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë Qiellore. Për murgjit ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë e të lutjes; edhe shën Françesku i Asizit i vinte rëndësi të dorës së parë lutjes, ndërsa në ushtrimet shpirtërore të përcaktuara nga shën Injaci i Lojolës ka shumë peshë meditimi e ndër karmelitanë, kundrimi. Janë mënyra të ndryshme, por që të çojnë në të njëjtin cak: të ndihmojnë të bësh kthesën e madhe të jetës, të gjesh në Fjalën e Zotit, limfën për jetën personale shpirtërore!

01 mars 2023, 12:10