Kërko

Kardinali Karl-Josef Rauber Kardinali Karl-Josef Rauber 

U shua kardinali Rauber: një jetë në diplomacinë e Selisë së Shenjtë

Ish-kryetar i Akademisë Kishtare Papnore, shërbeu si nunc në vende dhe rrethana të vështira shoqërore. Ndërroi jetë dje, në moshën 88-vjeçare.

Mbrëmë ndërroi jetë kardinali gjerman Karl-Josef Rauber, ish-nunc apostolik. Më 11 prill do të mbushte 90 vjeç.

I lindur më 1934 në Nürnberg, në Kryedioqezën e Bambergut (Republika Federale e Gjermanisë), i shuguruar në vitin 1959, Rauber shërbeu tri vjet në bashkësinë e vogël katolike të Niddës, në Hessen-in e Epërm. Duke nisur nga viti 1962, jetoi në Romë, ku u diplomua në të drejtën kanonike dhe ndoqi Akademinë Kishtare Papnore. Në vitin 1966 nisi karrierën diplomatike, ndërsa deri në vitin 1977 ishte një nga katër sekretarët e kardinalit Giovanni Benelli, kryeipeshkëv i Firences - gjatë periudhës në të cilën Hirësia e Tij ishte në postin e zëvendës-sekretarit të Shtetit të Vatikanit. Benelli dhe vetë Pali VI ndikuan fuqimisht në jetën dhe shërbesën e Rauber-it: gjatë njëmbëdhjetë vjetëve kaluar në Kurien Romake, meshtari i ri fitoi një përvojë të çmuar kishtare, në komunikim të ngushtë me Papën.

Shërbim i gjatë në diplomaci

Nga viti 1977, si këshilltar nunciature, shërbeu pranë përfaqësive papnore në Belgjikë, Luksemburg dhe Greqi. Më 18 dhjetor 1982 Gjon Pali II e emëroi pronunc apostolik në Ugandë, duke i caktuar kryeipeshkvinë titullare të Giubalzianës. Më 6 janar 1983 u shugurua ipeshkëv nga Papa Wojtyła, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në janar 1990 iu besua drejtimi i Akademisë Kishtare Papnore. Tre vjet më vonë u kthye në shërbimin diplomatik aktiv, fillimisht si përfaqësues papnor në Zvicër dhe Lihtenshtajn (1993-1997), pastaj në Hungari dhe Moldavi (1997-2003); më në fund në Belgjikë dhe Luksemburg (2003-2009), duke përfunduar aty ku kishte nisur karriera e tij diplomatike.

Gjithnjë përballë sfidash

Si nunc apostolik, iu desh të përballonte disa situata të vështira për Kishën: në Ugandë, për shembull, ku kreu misionin në vitet  kur shpërtheu dhe u përhap SIDA, me pasoja shkatërruese për popullatën; më pas, në Zvicër, ku ndihmoi për t’i dhënë fund tensioneve lidhur me dioqezën e Chur dhe ipeshkvin Wolfgang Haas; në Hungari, ku dha ndihmesën në fazën e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe kishës pas epokës komuniste; në Belgjikë, ku punoi në një kontekst social dhe politik jo gjithnjë të lehtë e, kur edhe në Bruksel u krijua një përfaqësi papnore pranë Bashkimit Evropian, ai mori përsipër të harmonizojë dhe të ndajë në mënyrë të ndjeshme punën e dy institucioneve diplomatike në trojet  belge.

Kardinal në vitin 2015

Në vitin 2009, 75-vjeç, u tërhoq nga shërbimi. Që asokohe e kreu shërbimin shpirtëror dhe baritor në Gjermani, pranë shtëpisë së Motrave të Marisë së Schönstatt në Ergenzingen, dioqezë e Rottenburg-Stuttgart, gjithnjë në lidhje me Dioqezën e Mainzit.

Në Koncistorin e 14 shkurtit 2015, Papa Françesku e krijoi kardinal të diakonisë së Sh’na Ndout të Padovës, në Udhën Appia.

27 mars 2023, 15:35