Kërko

Papa Françesku takon migrantët Papa Françesku takon migrantët

Tema e Ditës së Migrantëve: Të lirë për të zgjedhur nëse migrojmë apo qëndrojmë

Bëhet e ditur tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën e 109-të Botërore të Migrantit e të Refugjatit. Ajo është “Të lirë për të zgjedhur nëse migrojmë apo qëndrojmë” e synon të sensibilizojë botën për të drejtën e çdo njeriu që të qëndrojë në vendin e vet, ku duhet t’i krijohen të gjitha kushtet e jetesës

R.SH. – Vatikan

“Të lirë për të zgjedhur nëse migrojmë apo qëndrojmë”: kjo është tema e Ditës së 109-të Botërore të Migrantit e të Refugjatit, që u bë e njohur sot nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor. Papa Françesku e ka zgjedhur atë për Ditën, që do të kremtohet më 24 shtator 2023, me synimin për të nxitur reflektimin për një të drejtë, që ende nuk është kodifikuar në nivelin ndërkombëtar: të drejtën për të mos emigruar, pra, të drejtën për të qëndruar, secili, në vendin e vet, pa qenë i detyruar të largohet për ndonjë arsye, sidomos për arsye ekonomike.

Pikërisht, ky lloj detyrimi, që shoqëron flukset migratore - shpjegohet në komunikatën për shtyp të Dikasterit vatikanas - kërkon shqyrtimin e kujdesshëm të shkaqeve të emigracionit në kohën tonë. “E drejta për të qëndruar është e mëparshme, është më e thellë dhe më e gjerë se e drejta për të emigruar”. Kjo do të thotë që secili duhet të ketë mundësi të kontribuojë në të mirën e përbashkët, të jetojë me dinjitet dhe të marrë pjesë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit të vet. Këto janë të drejta, që natyrisht, duhet të garantohen nga çdo vend, por kanë nevojë edhe për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e saj.

Për të favorizuar përgatitjen për kremtimin e kësaj Dite, Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor do të nisë një fushatë komunikimi, që synon promovimin e kuptimit të thelluar të temës së Mesazhit, përmes mjeteve ndihmëse multimediale, materialeve informative dhe reflektimeve teologjike.

21 mars 2023, 12:11