Kërko

Papa Françesku dhe Imami i Al Azharit, Ahmad Al-Tayyeb Papa Françesku dhe Imami i Al Azharit, Ahmad Al-Tayyeb

Të krishterët dhe myslimanët: nxitës të dashurisë dhe miqësisë

Ky është titulli i mesazhit të Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar për muajin e Ramazanit dhe ʿīd al-Fiṭr, nënshkruar nga prefekti kardinali Ayuso Guixot: dallimet mund të perceptohen si kërcënim”, por qëllimi është “ta ruajmë shtëpinë tonë të përbashkët si vend të sigurt dhe të këndshëm, ku të jetojmë së bashku në paqe e gëzim"

R.SH - Vatikan

Edukimi i brezave të ardhshëm, respektimi i diversitetit në vetëdijen se dallimet ndonjëherë mund të duken një kërcënim, por qëllimi i përbashkët është të kujdesemi për shtëpinë e përbashkët. Këto janë disa pjesë nga mesazhi i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar me rastin e muajit të Ramazanit dhe të ʿīd al-Fiṭr. Teksti, i nënshkruar nga prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot dhe nga sekretari Imzot Indunil Kodithuwakku Janakaratne Kankanamalage, nënvizon edhe vëmendjen ndaj formave të reja të komunikimit, duke iu referuar veçanërisht mediave sociale.

Një muaj i rëndësishëm për të gjithë

Mesazhi niset nga një supozim se: muaji i Ramazanit "është i rëndësishëm" jo vetëm për besimtarët myslimanë, por "edhe për miqtë tuaj, fqinjët dhe besimtarët e feve të tjera, veçanërisht të krishterët". Në këtë kohë urojmë që të " përforcohen miqësitë ekzistuese dhe të ndërtohen të reja, duke hapur rrugën e një bashkëjetese më paqësore, harmonike e të gëzueshme, pasi e gjithë kjo" përkon me vullnetin hyjnor për komunitetet tona, për të gjithë anëtarët dhe komunitetet që përbëjnë një familje të vetme njerëzore”.

Kërcënimet e kulturës së urrejtjes

Më pas, teksti i mesazhit përmend sfidat me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare sot, nga ekstremizmi te radikalizmi, pa nënvlerësuar polemikat, mosmarrëveshjet dhe dhunën në emër të fesë. "Kërcënimet - thuhet në mesazhin e Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar për muajin e Ramazanit - ushqehen nga kultura e urrejtjes. Prandaj ne duhet të gjejmë mënyrat më të përshtatshme për ta kundërshtuar dhe kapërcyer këtë kulturë, e në vend të kësaj të përforcojmë dashurinë dhe miqësinë, veçanërisht ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, në sajë të lidhjeve që na bashkojnë". Prandaj përfitojmë nga rasti e mundësia për të "bashkëndarë me ju disa mendime për këtë çështje, duke shpresuar t’i marrim edhe mendimet tuaja". Prelatët nënvizojnë se si gjithçka buron nga qëndrimi ndaj njëri-tjetrit, “veçanërisht kur ka dallime mes nesh përsa i përket fesë, përkatësisë etnike, kulturës, gjuhës apo çështjeve politike”. Nëse "ndryshimet mund të perceptohen si një kërcënim", megjithatë, secili "ka të drejtën e identitetit të tij specifik me elementet e ndryshme përbërëse që e karakterizojnë, pa injoruar ose harruar atë që kemi të përbashkët".

Agresioni social

Mesazhi thekson gjithashtu edhe "qëndrimet e sjelljet negative ndaj atyre që janë të ndryshëm nga ne", duke theksuar se për fat të keq ato janë të shumta, të ndërthurura me "dyshimin, frikën, rivalitetin, diskriminimin, përjashtimin, persekutimin, polemika, fyerjet dhe përgojimet, për të përmendur vetëm disa elemente". Në këtë kontekst edhe “platformat e mediave sociale janë hapësira të përbashkëta për sjellje të tilla të dëmshme, duke e çoroditur e shpërftyruar rolin e tyre nga mjete komunikimi dhe miqësie në instrumente armiqësie dhe lufte”.

Në lidhje me këtë, mesazhi i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar për muajit e Ramazanit kujton atë që Papa Françesku ka shkruar në Fratelli tutti: "Pikërisht ndërsa mbrojnë izolimin e konsumimit të rehatshëm, njerëzit zgjedhin të lidhen në një mënyrë konstante dhe të ankthshme. Kjo favorizon grumbullimin e formave të pazakonta të agresionit, ofendimeve, keqtrajtimit, shpotitjeve, goditjeve verbale deri në denigrimin e figurës së tjetrit, me një egërsi që nuk ekzistonte më parë. Agresiviteti social - shkruan Papa - gjen në pajisjet e mediave sociale si celularët dhe kompjuterët një hapësirë ​​difuzioni të pakrahasueshëm”.

Promovoni një kulturë miqësie

“Të kundërtat e sjelljeve negative të sipërpërmendura – vijon mesazhi i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar për muajin e Ramazanit – janë respekti, mirësia, bamirësia, miqësia, kujdesi i ndërsjellë për të gjithë, falja, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët, ndihma për të gjithë ata që janë në çdo lloj nevoje dhe kujdesi për mjedisin, për ta mbajtur shtëpinë tonë të përbashkët si një vend të sigurt dhe të këndshëm për të jetuar së bashku në paqe dhe gëzim”.

Për të arritur që këto sjellje të mishërohen dhe mbizotërojnë, është e nevojshme jo vetëm të kundërshtohet kultura e urrejtjes, por edhe të edukohen brezat e ardhshëm “në të gjitha hapësirat ku ata edukohen: në familje, në shkolla, në objektet e kultit dhe në mediat sociale". Një botë në të cilën – përfundon mesazhi – mbretëron drejtësia, paqja, vëllazëria dhe prosperiteti i pëlqen Zotit të Plotfuqishmin dhe sjell gëzim, duke nxitur kështu angazhimin tonë të sinqertë dhe të përbashkët”.

 

24 mars 2023, 13:12