Kërko

Giornata internazionale per l'eliminazione della violenza contro le donne 2022 Giornata internazionale per l'eliminazione della violenza contro le donne 2022

Selia e Shenjtë pranë OKB-së: gjithnjë e më shumë dhunë ndaj grave, rezoluta, e pazbatuar

Vëzhguesi i Përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, duke folur në debatin për rrugën drejt 25-vjetorit të rezolutës 1325, nënvizoi se përfaqësimi i grave në proceset e paqes, një nga objektivat e dokumentit, është ulur, ndërsa dhuna, duke përfshirë edhe dhunën seksuale, është rritur

R.SH. / Vatikan

Axhenda “Gratë, Paqja e Siguria” e Kombeve të Bashkuara "nuk mund të zbatohet me sukses, nëse nuk shqyrtohen faktorët kryesorë që ndikojnë në keqësimin e kushteve, në të cilat jetojnë gratë dhe vajzat", siç janë luftërat, ekstremizmi dhe burimet e devijuara për shpenzimet e armëve. Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit, e nënvizoi këtë gjatë fjalimit në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për rrugën drejt 25-vjetorit të rezolutës 1325. Përfaqësuesi i Vatikanit kujtoi se "vitet e fundit, dhuna - përfshirë dhunën seksuale - ndaj grave dhe vajzave, është rritur, ndërsa përfaqësimi i grave në proceset e paqes, është ulur, duke treguar kështu se përpjekjet aktuale janë të pamjaftueshme"

Rezoluta e parë për ndikimin e luftës mbi gratë

Rezoluta 1325, e miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 31 tetor 2000, është e para që kujton ndikimin e luftës mbi gratë dhe kontributin e tyre në zgjidhjen e konflikteve për paqe të qëndrueshme. E fikson katër objektiva: të njohë rolin themelor të grave në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, të parashikojë pjesëmarrjen e tyre më të madhe në proceset e ruajtjes së paqes dhe sigurisë kombëtare, të adoptojë një "perspektivë gjinore" dhe të formojë personelin për të drejtat e grave. Një masë paraprake, e cila forcon, duke i shtrirë për të gjitha Palët në konflikt e edhe për Palët "e treta", angazhimet e rëndësishme që rrjedhin nga "Konventa për zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit të grave" (CEDAW), miratuar nga Kombet e Bashkuara më 18 dhjetor 1979, si pjesëmarrja e plotë e grave në proceset vendimarrëse, ndalimi i përdorimit të dhunës kundër  grave, nevoja për mbrojtjen e tyre dhe vlerësimi i përvojave femërore.

Papa: në shumë vende "gratë janë qytetare të dorës së dytë"

Për imzot Caccia-n, me afrimin e 25-vjetorit të rezolutës, "është i nevojshëm dhe i menjëhershëm rivlerësimi i mënyrës më të mirë për  përballimin e kërkesave të veçanta të grave në konflikte dhe roli i rëndësishëm në parandalimin dhe zgjidhjen e tyre". Vëzhguesi i përhershëm më pas kujtoi fjalët e Papës Françesku në fjalimin e tij të janarit para trupit diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë: “Kur të drejtat e njeriut njihen plotësisht për të gjithë, gratë mund të ofrojnë kontributin e tyre unik në jetën e shoqërisë dhe të jenë të parat aleate të paqes”. Fatkeqësisht, pati vërejtur Papa, "në shumë vende gratë konsiderohen si qytetare të dorës së dytë". Vuajnë, prandaj dhunën, shpërdorimin dhe pranimin e kufizuar në arsim, punë, në kujdesin shëndetësor dhe nevojat e tjera themelore. Selia e Shenjtë - nënvizoi akoma Kryeipeshkvi Caccia - e dënon një trajtim të tillë si dhe situatën në të cilën jetojnë shumë gra dhe vajza, të cilave u mohohet sistematikisht përfitimi i arsimit.

Janë kundër grave konfliktet, ekstremizmi dhe devijimi i burimeve

Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kujtoi, gjithashtu, se gjatë shtegtimit të tij të fundit apostolik në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, Françesku nënvizoi aftësinë e grave për të transformuar shoqëritë e dhunshme, në shoqëri paqësore, kur "mbrohen, respektohen, vlerësohen dhe nderohen". Për ta çliruar këtë potencial, sipas Caccia-s, Këshilli i Sigurimit i OKB-së "duhet t’u sigurojë grave, veçanërisht nënave që dinë se si krijohet dhe mbrohet jeta, mundësia për të marrë pjesë më plotësisht në proceset e paqes, në të gjitha aspektet e jetës politike dhe në proceset vendimarrëse. Faktorët kryesorë që kontribuojnë në keqësimin e kushteve të grave dhe vajzave - për vëzhguesin e përhershëm - "përfshijnë jo vetëm konfliktet - siç është lufta e dhunshme në Ukrainë dhe konfliktet shpesh të harruara në Afrikë dhe Lindjen e Mesme - por edhe ekstremizmin si dhe shpenzimet gjithnjë e më të shumta të burimeve për armë, duke përfshirë armët bërthamore, efektet e të cilave kanë ndikim të pallogaritshëm mbi gratë dhe vajzat”.

09 mars 2023, 09:55