Kërko

Besimtarë në lutje Besimtarë në lutje

Selia e Shenjtë në OKB: një ndër shtatë të krishterë, viktimë e persekutimeve

Nunci Fortunatus Nwachukwu, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, foli në Gjenevë, në sesionin e 52-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut: "Vitet e fundit, dhuna dhe masat shtypëse janë intensifikuar. Besimtarëve u mohohet shpesh e drejta për t'u shprehur dhe për të praktikuar fenë, edhe kur kjo nuk vë në rrezik sigurinë publike e nuk cënon të drejtat e të tjerëve"

R.SH. – Vatikan

“Sot, një ndër shtatë të krishterë vuan nga persekutimi”. Kështu deklaroi nunci apostolik, imzot Fortunatus Nwachukwu, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe në Organizatat e tjera ndërkombëtare, gjatë fjalës së mbajtur në Gjenevë, në Sesionin e 52-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Në emër të Vatikanit, imzot Nwachukwu - i emëruar kohët e fundit nga Papa si Sekretar i Dikasterit për Ungjillëzimin, në seksionin për ungjillizimin e parë dhe për Kishat e reja të veçanta - denoncoi "gjendjen e shumë njerëzve dhe bashkësive, që vuajnë nga persekutimi, për shkak të besimit të tyre fetar”. Kryeipeshkvi përmendi fjalët e Papës: "Paqja – pohoi ai - kërkon edhe njohjen universale të lirisë fetare. Shqetëson fakti që njerëzit persekutohen vetëm pse e deklarojnë publikisht fenë dhe në shumë vende, liria fetare është e kufizuar. Rreth një e treta e popullsisë së botës jeton në këto kushte”, denoncoi nunci apostolik.

Forcimi i masave shtypëse dhe i abuzimeve

“Vitet e fundit jemi dëshmitarë të përforcimit të masave shtypëse dhe të abuzimeve kundër pakicave fetare në shumë vende të botës, madje edhe nga autoritetet kombëtare”, nënvizoi përfaqësuesi i Vatikanit. “Besimtarëve u mohohet shpesh e drejta për të shprehur dhe për të praktikuar fenë, edhe kur kjo nuk vë në rrezik sigurinë publike e nuk cënon të drejtat e grupeve apo të njerëzve të tjerë". Për më tepër, "përdhosja dhe shkatërrimi i vendeve të kultit dhe i objekteve fetare, si edhe sulmet kundër krerëve të fesë, janë intensifikuar dhe po bëhen të frikshme kohët e fundit”.

Diskriminim i hollë e tinëzar

Jo më pak shqetësuese, sipas imzot Nwachukwu-t, është "gjendja e besimtarëve në disa vende ku, pas fasadës së tolerancës dhe të përfshirjes, ushtrohet një diskriminim më i hollë e më tinëzar. Gjithnjë e më tepër vende imponojnë forma të ndryshme censure, që reduktojnë mundësinë e shprehjes së bindjeve si publikisht, ashtu edhe politikisht, me pretekstin e shmangies së fyerjes për të tjerët”. Në këtë mënyrë, pohoi prelati, ngushtohet hapësira për dialog dhe aftësia për të shprehur të drejtën themelore për lirinë fetare, lirinë e mendimit dhe të ndërgjegjes, të cilat janë premisë e domosdoshme për arritjen e paqes dhe për ndërtimin e një shoqërie të drejtë.

Dhuna në vendet ku besimtarët nuk janë pakicë

Duke kujtuar thirrjet e Papës, nunci nënvizoi se "dhuna dhe aktet e diskriminimit kundër të krishterëve janë në rritje edhe në vendet ku ata nuk janë pakicë. Liria fetare kërcënohet aty ku besimtarëve u kufizohet mundësia për të shprehur bindjet rreth shoqërisë” me pretekstin se ato prekin ndjeshmërinë e ndokujt. Liria fetare, vijoi imzot Nwachukwu, nuk mund të reduktohet thjesht në lirinë e kultit, pasi është kërkesa minimale për një jetë dinjitoze. "Qeveritë - përfundoi ai - kanë për detyrë ta mbrojnë këtë të drejtë dhe të sigurohen që çdo njeri, pa cënuar të mirën e përbashkët, të ketë mundësinë për të vepruar sipas ndërgjegjes, edhe në sferën publike e në ushtrimin e fesë”.

21 mars 2023, 15:04