Selia e Shenjtë: Nikaragua të respektojë të drejtat e të gjithëve
R.SH. – Vatikan
“Delegacioni i Selisë së Shenjtë ka parasysh Raportin e Grupit të Ekspertëve për të Drejtat e Njeriut lidhur me Nikaraguan dhe shpreh shqetësimin e tij të thellë për shtimin e dhunës në gjithë vendin dhe për zvogëlimin e hapësirës për dialog dhe bisedime ndërmjet autoriteteve e shoqërisë civile, gjatë viteve të fundit”.
Kështu thuhet në një deklaratë të 7 marsit nga imzot Fortunatus Nwachukwu, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë, në sesionin e 52-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, i cili vijon në qytetin zviceran.
“Me shqetësim – nënvizon prelati – lexojmë në Raport për keqësimin e situatës shoqëroro-politike dhe të drejtave të njeriut në Nikaragua, ku shtohen kufizimet për lirinë e shprehjes, tubimet paqësore dhe krijimin e shoqatave, si edhe masat shtypëse kundër atyre, që kritikojnë qeverinë, si gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, përfshirë anëtarët e shoqatave të të drejtave të njeriut dhe besimtarët e klerin e Kishës Katolike”.
Përfaqësuesi i Vatikanit kujton edhe “mbylljen e disa mediave të pavarura, të organizatave joqeveritare, të organizatave fetare, si edhe përdorimin sistematik të dhunës nga forcat e rendit në atmosferën e mosndëshkimit të përgjithshëm, me episode të shpeshta arrestimesh arbitrare, shkelje të ligjit dhe mbajtje të paraburgosurish në kushte të këqija”.
Përveç dëbimit të disa diplomatëve nga Nikaragua, përfshirë nuncin apostolik në Managua, Imzot Waldemar Stanisław Sommertag dhe Misionaret e Bamirësisë së Nënë Terezës, “Selia e Shenjtë - pohoi vëzhguesi i përhershëm – shpreh keqardhjen për lajmet më të fundit, lidhur me dënimin e ipeshkvit të Matagalpës, imzot Rolando Álvarez, me 26 vite burg dhe me heqjen arbitrare të nënshtetësisë për më se 300 qytetarë të Nikaraguas – ndër të cilët, edhe ipeshkvi ndihmës i Managuas, në mërgim, imzot Silvo José Baez. 222 prej këtyre nënshtetasve u dëbuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.