Kërko

Tra i Paesi colpiti dalla siccità c'è il Kenya  (AFP or licensors) Tra i Paesi colpiti dalla siccità c'è il Kenya (AFP or licensors)

Selia e Shenjtë: lufta kundër varfërisë duhet të jetë prioritet i bashkësisë ndërkombëtare

Përfundoi në Katar, Konferenca e pestë e Kombeve të Bashkuara për vendet më pak të zhvilluara. Kryeipeshkvi Eugene Nugent: hyrja në një treg më të drejtë ndërkombëtar është themelore dhe për t’u siguruar të gjithëve ushqimin e nevojshëm.

R.SH. / Vatikan

Zhdukja e varfërisë mbetet sfida më urgjente me të cilën përballet bashkësia ndërkombëtare kolektivisht për të siguruar që gratë, burrat dhe fëmijët në vendet më pak të zhvilluara të bëhen, siç i kujtoi Papa Françesku Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në 2015, "veprimtarë dinjitozë të fatit të vet", të mund të zhvillojnë potencialin e plotë, të mbështesin veten dhe fëmijët e tyre dhe të marrin pjesë aktive në shoqëri”. E nënvizoi këtë Imzot Eugene Nugent, kreu i Delegacionit të Selisë së Shenjtë në Konferencën e pestë të Kombeve të Bashkuara për vendet më pak të zhvilluara, mbajtur në Doha të Katarit, nga 5 deri më 9 mars. Ishte ngjarje e quajtur mundësi themelore për bashkësinë ndërkombëtare, që të mund t’i kombinojë përpjekjet për të ndihmuar vendet më të varfra në rrugën e tyre drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe integral.

Numri i të varfërve në botë, gjithnjë në rritje

Në vendet më pak të zhvilluara jetojnë 880 milionë njerëz. Një pjesë e tyre, gjithnjë në në rritje, 32 milionë më shumë se në fillimin e pandemisë COVID-19, jetojnë në varfëri  të skajshme. Gjendje kjo, që nuk ka të bëjë vetëm me aspektin thjesht ekonomik, por edhe me sigurimin e arsimit, të ushqim të sigurt dhe të mjaftueshëm, të ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike. Një tablo komplekse, në të cilën hyrja në tregtinë ndërkombëtare, e kuptuar si forca lëvizëse e ekonomisë, luan rol themelor.

Promovimi i tregtisë më të drejtë

"Potenciali i plotë tregtar i vendeve më pak të zhvilluara nuk është zhbllokuar ende plotësisht - shpjegon Nugent - sepse ka mungesë të integrimit efektiv në sistemin ekonomik global dhe në zinxhirin e vlerës”. Në këtë kuptim, tregtia që mund të përkufizohet si ‘e drejtë" duhet të bazohet në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare që ndjekin kritere etike të tilla, si parimi i së mirës së përbashkët, destinacioni universal i mallrave, drejtësia e tregtisë, vëmendja ndaj të drejtave dhe nevojat e më të varfërve, duke përfshirë edhe shpërndarjen më të drejtë të të ardhurave. “Kjo, mbi të gjitha, do të thotë që politikat ekonomike të vlerësohen për mënyrën si e ngushtojnë distancën ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë asgjë” - përsëriti kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë.

Realiteti paradoksal i pasigurisë ushqimore

E rëndësishme është, atëherë, çështja e pasigurisë ushqimore, e cila prek më shumë se 251 milionë vetë në vendet më të varfra. "Realitet paradoksal", shpjegon Kryeipeshkvi Nugent, "në të cilin ndërsa prodhohet ushqim i mjaftueshëm për të gjithë, mungesa e ushqimit mbetet realitet i përditshëm për miliona njerëz, që vuajnë dhe vdesin nga uria". Prandaj është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të punojë së bashku për të reduktuar ndikimin e paqëndrueshmërisë së çmimeve në tregun global dhe për të zbutur efektet e tij, kur është i pashmangshëm.

11 mars 2023, 17:58