Reliket e Kryqit të Jezusit, shtegtim shekullor, ndërmjet fesë dhe arkeologjisë
R.SH. / Vatikan
Kryqi: shenja që u duk në qiell e, siç ishte premtuar, i siguroi Kostandinit fitoren e betejës në urën Milvio, në vitin 312, duke u bërë shpejt simboli i perandorisë së tij, si dhe i fesë së re. Kryqi, simbol i Krishtit dhe i planit të Tij të shëlbimit mbi tokë. Asnjë simbol tjetër nuk është më përçarës, as më tronditës. Asnjë, më i njohur e më i pashlyeshëm.
Kërkimi i kryqit të vërtetë
Për këtë arsye perandori, duke dashur ta gjente drurin mbi të cilin qe kryqëzuar Krishti, e mbështeti udhëtimin e nënës së tij, Elenës, në vendet e shenjta pikërisht për të kërkuar prova të prekshme të fesë së re. Perandoresha u nis për në Palestinë, ku ishte ndërmjet viteve 326 dhe 328. Ishte shtegtim sa fetar, aq edhe arkeologjik në gjurmët e Jezusit: të jetës, mundimeve dhe ringjalljes së Zotit.
Kërkimi u përqendrua pikërisht në zbulimin e Kryqit të vërtetë. Nisi, kështu, një histori e jashtëzakonshme, e treguar nga disa shkrime të shekullit të katërt, për t’u përfshirë, më pas, në Legenda Aurea (LXIV; CXXXII) e për t’u realizuar në disa vepra të mrekullueshme arti, si në afresket e Agnolo Gaddi-t në Bazilikën e Santa Croce në Firence. (1380-90) dhe të Piero della Francesca, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Arezzo (1452-66). Historia e kryqit të vërtetë pasqyrohet edhe në afresket e absidës të bazilikës Santa Croce in Gerusalemme, realizuar ndërmjet viteve 1492 dhe 1495.
Antoniazzo Romano, Historitë e Kryqit të Vërtetë (fundi i shekullit të 15-të) absida e bazilikës së Santa Croce in Gerusalemme, Romë
Elena, siç na tregon tradita, arriti ta zbulonte varrin, ku ishte varrosur Krishti e ta gjente kryqin, duke përdorur edhe prova, të paprovuara ndonjë herë. Kish gjetur tre kryqa. Cili ishte i vërteti? Mendoi të prekte një grua të sëmurë me to. Pas prekjes së njërit prej tyre, trupi i sëmurë fitoi shëndetin. Ishte Kryqi i Krishtit! Dy të tjerët duhet të ishin të dy hajdutëve. Një hollësi interesante është se kryqi u gjend pranë varrit: e, gjithnjë sipas traditës, te varri i Zotit u gjetën edhe shumë objekte. Ndaj flitet edhe për zbulimin e gozhdave, si dhe për Titulus Crucis, të cilin e kujtuam në emisionin e kaluar.
Reliket e ekspozuara në pallatin perandorak
Elena i ekspozoi reliket e shenjta, duke përfshirë fragmentin e kryqit, në një kishëz të pallatit të saj Sessorianum. Prandaj, Bazilika Santa Croce në Romë është si skaj i Jeruzalemit në Qytetin e Amshuar. U ndërtua dhe u zgjerua duke nisur nga një kapelë e ngritur mbi dheun e sjellë nga Toka e Shenjtë. Peshtah thesari, relikesh dhe veprash arti, kjo hapësirë u krijua si himn për simbolin më të njohur dhe më të shenjtë të të gjithë krishterimit.
Fasada, siç e shohim sot, e punuar në shekullin e 18-të, në kohën e papnisë së Benediktit XIV, u projektua nga arkitektët Domenico Gregorini dhe Pietro Passalacqua. Me kalimin e kohës pësoi disa ndryshime, si kapela e relikeve, në stacionin e fundit të shtegut të Udhës së Kryqit, realizuar në epokën moderne për të strehuar objekte të shenjta, të cilat më parë mbaheshin në një mjedis të lagësht dhe të papërshtatshëm. Ndërmjet relikeve, përveç Titulus Crucis, ka disa fragmente të Kryqit të Krishtit të mbajtura në një "stauroteca", pra një relike në formën e kryqit, sipas etimologjisë nga greqishtja, stauròs, d.m.th. kryq dhe theke, koleksion.
Një relikuar i çmuar
Relikuari i vendosur në Santa Croce in Gerusalemme është një kryq i çmuar i praruar, vepër e Giuseppe Valadier, realizuar në fillim të shekullit të 19-të, sipas porosisë së Dukeshës spanjolle Villehermosa për të zëvendësuar atë të mëparshmin, konfiskuar në 1798. I realizuar me argjend të praruar dhe lapis lazuli, paraqet Virgjëreshën tek këmbët e kryqit, rrethuar me figura engjëjsh në fluturim.
Fragmente të kryqit në botën e krishterë
Copëzat e drurit të çmuar gjenden jo vetëm në Santa Croce in Gerusalemme ose në Shën Pjetër, në relikuarin e Shën Justinit, por edhe në shumë vende të tjera në Itali, Evropë e më tej. Më të famshmet mund të soditen në Shën Marinë e Parisit, ku kohët e fundit shpëtuan mrekullisht nga zjarri, në Katedralen e Pizës dhe në Santa Maria del Fiore, në Firence. Në një katekizëm të vitit 348, Kirili i Jeruzalemit pohon se "e gjithë toka është plot me reliket e Kryqit të Krishtit…”. Pohim ky, që u shikua me vështrim shumë kritik nga Calvini, teolog reformues i krishterimit protestant, në gjysmën e shekullit XVI, i cili pati pohuar se po të bashkoheshin të gjithë fragmentet e Kryqit, të shpërndara nëpër botë, do të duheshin 300 burra për t’i mbartur!
Fragmentet e njohura të kryqit nuk mjaftojnë për të bërë një kryq të tërë
Nga ana tjetër, Rohalt de Fleury, pas një pune të përpiktë të katalogimit të të gjitha fragmenteve të njohura të Kryqit të Vërtetë, vuri në dukje se vëllimi i tyre i përgjithshëm ishte i barabartë me një kub me brinjë 16 cm, pra 0,17 metra kub të një kryqi të tërë, pothuajse 4 kg, në rast se ishte bërë me dru më të rëndë si ulliri. Pra, fragmentet e njohura, të mbledhura së bashku, nuk formojnë një kryq të vërtetë, të bërë sipas masës për një njeri, dhe aq më pak atë të Krishtit, i cili duhet të ketë qenë i llojit më të gjatë - dhe për këtë arsye, edhe më i rëndë - siç dëshmohet nga Ungjijtë (Mk 15, 36; Gjn 19:28-29): “kur Krishti ishte i etur dhe ushtari ia lagu buzët me ujë dhe uthull, d.m.th. me posca, pije e ushtarëve romakë, ai e bëri këtë duke e fiksuar sfungjerin e njomur mbi një kallam". Kryqi i Krishtit dukej nga larg sepse shtylla vertikale, mbi të cilën ishte vendosur trau horizontal, ishte shumë e lartë.
Kulti i relikteve nuk lidhet me vetë materien
Reflektimi ndalet për të kuptuar vlerën që kanë reliket për besimtarin. Vlera nuk kufizohet vetëm me objektin, madje as me tërësinë e tij. Mjafton që një fragment i shenjtë të prekë këdo, për t’i transmetuar shenjtërinë. Pikërisht mbi bazën e këtij transmetimi nisi copëtimi i objekteve të shenjta dhe i relikeve mortore të shenjtorëve dhe martirëve. Në këtë mënyrë shpjegohet pse pjesë të ndryshme anatomike, që i përkisnin një shenjtori, gjenden në vende të ndryshme ekspozohen për nderim nga ana e besimtarëve. Janë dëshmi të gjalla shpirtërore e, prej këndej, të shkëputura nga koncepti material i integritetit.