Pashkët: Papa, agjërimi na ndihmon të mbajmë shpirtin në formë
R.SH. – Vatikan
“Agjërimi na ndihmon ta mbajmë shpirtin në formë; na ndihmon t’i japim vlerën e duhur gjërave; na kujton se jeta nuk duhet t'i nënshtrohet skenës kalimtare të kësaj bote. #Kreshmët”, kështu pohon Papa Françesku në një tweet, sot 10 mars, në faqen @Pontifex.
Agjërimi na të nxit t’ia hapim zemrën Zotit e të afërmit
Agjërimi i vërtetë ka për qëllim të na nxisë të mos jetojmë më vetëm për vetveten, por t’ia hapim zemrën Zotit dhe të afërmit: këtë na kujton Kisha në kohën e Krezhmëve, duke na ftuar ta rizbulojmë këtë praktikë të lashtë pendestare.
Kisha fton të rizbulohen vlerat dhe arsyet e agjërimit të krishterë, sepse është fjala për një praktikë moralistike, për zbatimin e përpiktë të disa normave të një ligji fetar, me zemrën larg Zotit, siç bënin farizenjtë në kohën e Jezusit. E aq më pak për një masë, që ka për qëllim t’i shërbejë shëndetit të korpit.
Agjërimi sigurisht i ndihmon mirëqenies fizike, por për besimtarët është sidomos terapi që shërben për të mjekuar gjithçka i pengon të bëjnë vullnetin e Zotit Atë. Në të vërtetë, ashtu si i thotë Jezusi djallit në përfundim të 40 ditëve të kaluara në shkretëtirë “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit”(Mt. 4,4). Prandaj mund të themi se agjërimi i mirëfilltë ka për qëllim ta nxisë njeriun të hajë ‘ushqimin e vërtetë’, që do të thotë të bëjë vullnetin e Hyjit Atë.
Kisha na mëson se agjërimi i trupit shndërrohet në uri e etje për Zotin. Është një formë asketike, që na ndihmon për t’u larguar nga mëkati, nga e keqja dhe për t’u afruar tek Zoti, siç porosiste Shën Agostini, që i njihte mirëfilli prirjet e veta negative, të cilat i quante lëmsh i ngatërruar e i kapërthyer. Kjo praktikë asketike e agjërimit bëhet armë shpirtërore për të luftuar kundër çdo lëshimi që mund t’i bëjmë vetvetes.
Heqja dorë vullnetarisht nga kënaqësia e të ngrënit dhe nga të mirat e tjera materiale e ndihmon dishepullin e Krishtit t’i kontrollojë lakmitë e natyrës së ligështuar nga mëkati i rrjedhshëm, pasojat negative të të cilit ndikojnë mbi gjithë personalitetin e njeriut. Prej këndej ftesa për thjeshtësi, ashtu si na nxit një himn i lashtë i liturgjisë krezhmore: “T’i përdorim me masë fjalët, ushqimet, pijet, gjumin e lojërat, të tregohemi më të kujdesshëm, për t’u ruajtur nga mëkati”. Është fjala për një formë të heqjes dorë nga egoizmi ynë njerëzor që, e ushqyer nga lutja dhe e ndjekur nga lëmosha a bamirësia, e ndihmon njeriun t’ia hapë zemrën Zotit dhe të afërmit.
Duhet të kujtojmë se agjërimi nuk është qëllim në vetvete: agjërim do të thotë të heqësh dorë vullnetarisht nga diçka, për të ndihmuar të tjerët. Kështu dëshmojmë konkretisht se i afërmi ynë nuk është i huaj për ne. Prej këndej, thirrja ta mbajmë gjithnjë gjallë vëmendjen ndaj vëllezërve e çdo personi, të mbledhin lëmoshë, për t’ia dhuruar të varfërve atë, që është vënë mënjanë falë agjërimit.