Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin

Kardinali Parolin: mirënjohës për dhuratën e Zotit, Papninë e Françeskut

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, flet në takimin online organizuar nga Akademia e Udhëheqësve Katolikë, me rastin e dhjetëvjetorit të zgjedhjes së Papës

R.SH. / Vatikan

“Mirënjohja”: kjo është arsyeja kryesore, që na nxit ta kremtojmë dhjetëvjetorin e zgjedhjes së Papës. “Mirënjohja për dhuratën e Zotit”, “një gjest fillestar përballë asaj, që nuk e meritojmë, përballë asaj që është krejt falas e që na bën mirë”. Kështu e nisi kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, fjalimin e tij gjatë takimit online, organizuar dje pasdite nga Akademia e Udhëheqësve Katolikë të njëmbëdhjetë vendeve të Amerikës Latine, me rastin e dhjetëvjetorit të zgjedhjes së Françeskut në fronin e Shën Pjetrit.

Bashkimi kishtar

Duke u ndalur në këtë përvjetor, kardinali nënvizoi se “Papa, me virtytet dhe kufizimet e tij, është pjesë e pedagogjisë providenciale që Zoti zbaton për të na edukuar e për të na korrigjuar”. "Ky Papë", në veçanti, dhe "jo 'papati' abstrakt" - vijoi Kardinali Parolin - "është dhurata që ne e festojmë dhe e mirëpresim pa frikë, nëse duam të jetojmë në bashkim të plotë kishtar dhe në ndjekje të mirëfilltë të Jezu Krishtit". Kushtetuta konciliare Lumen Gentium na mëson: “Papa është zanafilla dhe themeli i përhershëm dhe i dukshëm i unitetit, si i ipeshkvijve, ashtu edhe i besimtarëve të panumërt". “Kjo do të thotë se nuk ka bashkim të plotë kishtar,  përveç atij me Papën Françesku”,  theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit

Humanizmi i Papës

 “Humanizmi i Papës, përmes të cilit realizohet shërbimi i Pjetrit, është padyshim ana e tij më e dobët” - shtoi - "Humanizmi i Pjetrit dhe i të gjithë pasardhësve të tij ka qenë gjithnjë objekt përbuzjeje dhe sulmesh". Teologu i madh, Hans Urs von Balthasar, në veprën Epidemia Anti-Romake të vitit 1974, pohonte se çdo Papë, sado i shenjtë që të jetë, ka gjithnjë edhe një "anë njerëzore", që bëhet shkas për kritika. “Por është mëkat që në Kishën Katolike, e cila përbëhet nga mëkatarë, sapo dikush caktohet në një detyrë më të lartë, humbet gjithë simpatinë që kishte dhe përfundon në duart e kritikave pak a shumë të ashpra”.

Misteri i detyrës

Këto "fjalë të forta" të von Balthasar "janë të vërteta edhe sot" – pohoi Kardinali Parolin: "Çdo Papë, në fillim të papnisë së tij, provon sigurisht marramendjen e atyre, që presin të gjykohen ashpër. Liberalët dhe konservatorët, teologët e mëdhenj ose 'ndikuesit' e modës mund ta sulmojnë, ta kritikojnë, t’i krijojnë vështirësi e pengesa. Po misteri i shërbesës së Pjetrit shkon përtej zhveftësimeve të lehta. Misteri i shërbesës së Pjetrit na jep një parametër objektiv për dishepullimin dhe për jetën në bashkësinë e sinodalitetin e vërtetë. Papa është Bariu universal. Kjo nuk duhet harruar kurrë!”

Jo, leximit  me sytë e botës

Dhjetë vjet pas zgjedhjes së Françeskut, Sekretari i Shtetit mendon se "ia vlen të kujtohen këto gjëra" të cilat "janë pjesë themelore e fesë katolike". Përkundrazi, "një lexim me sytë e botës i shërbesës së Papës Françesku mund të na çojë lehtësisht në lojëra sundimi e  pushteti". Ndërsa "vlerësimi i personit të tij, i bazuar mbi fenë dhe mbi kujdesin baritor është mënyra për të interpretuar drejt dhuratën që e mbështet dhe i prin".

13 mars 2023, 15:04