Kërko

Tryeza e rrumbullakët “Guxoni për paqen. Rrugët e edukimit” Tryeza e rrumbullakët “Guxoni për paqen. Rrugët e edukimit”

Parolin: edukimi është forca e paqes, vajzave u duhet garantuar arsimimi

Me një videomesazh, Sekretari i Shtetit të Vatikanit hapi tryezën “Guxoni për paqen. Rrugët e edukimit”, promovuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Fakulteti Papnor “Auxilium”, me tetë ambasadore të akredituara në Selinë e Shenjtë, të cilave u kërkoi të dëshmojnë “praktikat e mira” edukative në pesë kontinente

R.SH. – Vatikan

Edukimi nuk është vetëm "përmasë thelbësore për zhvillimin personal, por edhe një nga mënyrat më të mira dhe më të fuqishme për të promovuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe kombeve". Këtë theksoi kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, në videomesazhin për tryezën e rrumbullakët “Guxoni për paqen. Rrugët e edukimit”, promovuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, nga Fakulteti Papnor i Shkencave të Edukimit “Auxilium”, në bashkëpunim me tetë ambasadore të akredituara në Selinë e Shenjtë, nga pesë kontinente.

Ndërmjet tyre, edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, zonja Majldinda Dodaj. Në videomesazhin, që hapi tryezën e rrumbullakët, e cila përkon me Ditën e 36-të të Fakultetit "Auxilium" të Kongregatës së Bijave të Marisë Ndihmë e të krishterëve, kardinali Parolin nënvizoi se arsimi "u jep të rinjve e të rejave mjetet, jo vetëm për të kuptuar realitetin e sotëm, por edhe për të ndërtuar së bashku realitetin e së nesërmes”.

“Katastrofa edukative”, t’u garantohet të gjithëve arsimi

Ai vuri në dukje edhe "katastrofën edukative" aktuale, pasi në shumë vende mungojnë shkollat, ose jo të gjithë mund të shkojnë në to. Gjithashtu “si rezultat i vendimeve ideologjike”, denoncoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “shumë fëmijë nuk kanë marrë arsimin e duhur” e, shpesh, “vajzat paguajnë çmimin më të lartë”, sepse nuk i çojnë në shkollë. Kjo sjell "pasoja të rënda për gjithë shoqërinë", prandaj, për kardinalin Parolin, "objektivi që të gjithë të kenë mundësi të barabarta për arsimim kërkon ende përpjekje të mëdha dhe impenjim të konsiderueshëm politik".

Së fundi, prelati kujtoi fjalët e Papës Françesku për rëndësinë e rolit të gruas, sidomos në fushën e “ruajtjes dhe të promovimit të paqes në shoqëri e ndërmjet kombeve, veçanërisht në proceset e paqes, në parandalimin e konflikteve dhe në diplomaci". Për këtë arsye, përfundon videomesazhi i kardinalit Parolin "arsimimi i grave dhe i vajzave është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të garantohet" për të gjithë.

08 mars 2023, 12:17