Kërko

Parolin: “Armëpushimi, hapi i parë për paqen në Ukrainë”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit flet me gazetarët, gjatë paraqitjes së librit të Át Spadaros, drejtorit të “La Civiltà Cattolica”. “Po përpiqemi të përdorim gjithë krijimtarinë tonë” për të riaktivizuar bisedimet për paqen, pohon ai. Ndërsa për çështjen e emigracionit, nënvizon se “duhet kaluar në politikën e mikpritjes”. Për marrëveshjen me Kinën: “Të dyja palët duan ta vazhdojnë”

R.SH. – Vatikan

“Po përpiqemi të përdorim gjithë krijimtarinë tonë” për të riaktivizuar bisedimet për paqen në Ukrainë, për të cilat “hapi i parë duhet të jetë armëpushimi”. Këtë pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur para gazetarëve në selinë e revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, ku u paraqit libri “Atlasi i Françeskut. Vatikani dhe politika ndërkombëtare”, me autor drejtorin e revistës, Át Antonio Spadaro.

Të përdorim gjithë krijimtarinë

Selia e Shenjtë – kujtoi kardinali Parolin – “ka një këndvështrim të ndryshëm nga shtetet e tjera”, sepse ka “një vizion universalist” dhe mënyra të ndryshme për të kërkuar paqen. Papa Françesku dëshiron të shkojë si në Moskë, ashtu edhe në Kiev, “pasi beson se shërbimi për paqen mund të bëhet vetëm nëse arrin t’i takojë të dy presidentët”, shtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit. E pikërisht duke reflektuar për dhjetë vitet e papnisë së Françeskut, që u kremtuan dje, ai i quajti “tejet intensive”, të tilla, që “i kanë dhënë mundësinë Kishës të dëgjohet në botë”.

Mikpritja

Për çështjen e emigracionit, objekti i takimit dypalësh ndërmjet Sekretarit të Shtetitt ë Vatikanit dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, në përfundim të paraqitjes së librit, sipas kardinalit, do të duhej të ktheheshin këshillat e Papës Françesku në politikë shtetërore. “U vu në dukje - sqaroi ai – se politikat shpesh janë frenuese, kufizuese”, ndërsa “duhet kaluar në një politikë më të hapur e më mikpritëse”.

Dialogu me Kinën

Sekretari i Shtetit, duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër, kujtoi më pas rëndësinë e marrëveshjes së arritur gjatë kësaj papnie, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës. Kardinali Parolin nënvizoi se ka shpresë për dialogun, që “të dyja palët duan të vazhdojnë”. “Ne duam vetëm që katolikët të jenë katolikë e t’i mbajnë lidhjet me Kishën universale”, theksoi ai. Duke komentuar vizitën e planifikuar për në fund të prillit në Pekin nga ipeshkvi i Hong Kongut, imzot Stephen Choë, e para pas shumë vitesh, kardinali Parolin e quan “realizimin e asaj përmase tipike të Kishës në Hong Kongut, e cila duhet të jetë urë ndërmjet Kinës kontinentale dhe Kishës universale”. Sipas kardinalit, një udhëtim i Papës Françesku në Mongoli është “i mundshëm, megjithëse ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar”.

Udha sinodale në Gjermani

Së fundi, puetja mbi votimin e ipeshkvijve gjermanë, në përfundim të procesit sinodal, për të miratuar bekimin për çiftet homoseksuale. Selia e Shenjtë është shprehur qartë për këtë çështje, nënvizoi kardinali Parolin, duke theksuar se “dialogu do të vazhdojë brenda rrugëtimit sinodal të Kishës universale". Një Kishë lokale, përfundoi ai, “nuk mund të marrë një vendim të tillë, që ka të bëjë me disiplinën e Kishës universale”.

14 mars 2023, 11:02