Nikaragua kërkon nga Selia e Shenjtë mbylljen e selive përkatëse diplomatike
R.SH. / Vatikan
Nikaragua dhe Selia e Shenjtë i pezulluan marrëdhëniet diplomatike. Në një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Nikaraguas pohohet: “Qeveria e Nikaraguas i kërkoi Selisë së Shenjtë mbylljen e selive diplomatike përkatëse”. Nuk bëhet fjalë, pra, për ndërprerjen e marrëdhënieve, siç njoftuan disa media.
Pikërisht një vit më parë, më 12 mars 2022, nunci apostolik në Managua, Imzot Waldemar Stanisław Sommertag, u dëbua nga vendi. Selia e Shenjtë e pati pritur me habi e keqardhje të madhe vendimin e qeverisë së Nikaraguas: “Kjo masë duket e pakuptueshme - nënvizohej në një deklaratë të Selisë së Shenjtë - sepse gjatë misionit të tij imzot Sommertag punoi me përkushtim të thellë për të mirën e Kishës dhe të popullit të Nikaraguas, veçanërisht për njerëzit më të ligshtë, duke u përpjekur gjithnjë të favorizojë marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë Apostolike dhe autoriteteve të Nikaraguas”.
Në një intervistë me gazetën spanjolle Abc dhjetorin e kaluar, Papa Françesku, duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth diplomacisë së Vatikanit lidhur me Nikaraguan, përsëriti se Selia e Shenjtë kërkon gjithnjë t’i shpëtojë popujt dhe se arma e saj është dialogu: "Selia e Shenjtë nuk largohet kurrë e para. Dëbohet! Përpiqet gjithnjë t’i ruajë marrëdhëniet diplomatike e të shpëtojë gjithçka mund të shpëtohet me durim dhe dialog”.
Gjendja shoqërore dhe politike në Nikaragua vitet e fundit është rënduar ndjeshëm me shtypjen e dhunshme të demonstratave, arrestimet dhe dëbimet. Edhe me qëndrimin armiqësor kundër Kishës. E dëshmon këtë arresti shtëpiak, që nga gushti i kaluar, i ipeshkvit të Matagalpës, imzot Rolando Álvarez, dënuar arbitrarisht me 26 vjet burg: tani nuk ka më asnjë lajm për të!