Papa: Kreshmët janë kohë për të luftuar për liri
R.SH. – Vatikan
“Në këtë kohë të #Kreshmëve, ta ndriçojmë brendësin tonë, duke u vendosur përpara #Fjalës së Zotit në #lutje, që në ne të ketë hapësirë për një luftë të dobishme kundër të keqes që na robëron, një luftë për liri”. Këtë sugjeron Papa Françesku në një tweet, sot 7 mars 2023, në faqen @Pontifex.
Krezhmët kohë për ta luftuar të keqën me Krishtin
Duke u nisur nga realiteti i jetës së përditshme, i jetës konkrete me batica e zbatica, Kisha na kujton edhe se Udha e Kryqit të Jezu Krishtit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi egoizmin, të paqes mbi dhunën, të jetës mbi vdekjen.
Jemi në Kohën e Kreshmëve, e pyesim si duhet jetuar kjo kohë liturgjike e shpirtërore që i paraprin festës së Pashkëve? Kisha përgjigjet duke treguar të vetmen rrugë, që duhet përshkuar në luftën kundër së keqes. Do të thotë të jetojme një kohë impenjimi të posaçëm në luftën shpirtërore për t’iu kundërvënë së keqes, që është e pranishme në botë, në secilin nga ne dhe rreth nesh. Kjo do të thotë ta shikosh të keqen në sy e të jesh gati të luftosh kundër pasojave e, posaçërisht, kundër shkaqeve të saj, deri në shkakun e fundit, që është shejtani apo djalli i mallkuar.
Kuptimi i Kreshmëve, ka të bëjë edhe me përgjegjësinë e secilit nga ne pikërisht në betejën kundër së keqes. Lidhur me këtë, për ne të krishterët tingëllon më urgjente se kurrë thirrja e Krishtit për ta marrë secili ‘kryqin’ e vet, çdo ditë, e për ta ndjekur me përvujtëri e besim Mësuesin Hyjnor. E mos të harrojmë se Kryqi i Krishtit nuk është sinonim me vujatjen, me gjëmën, me fatkeqësinë, që duhet të bësh çmos ta shmangësh, por është mundësi që të ecësh në gjurmët e Krishtit e kështu të fitosh forcë në luftën kundër mëkatit dhe kundër së keqes.
Rruga e kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi vetëdashjen, të paqes mbi dhunën. Po t’i shikojmë në këtë këndvështrim e dritë, Kreshmët janë vërtetë rast i mirë impenjimi asketik e shpirtëror, mbështetur mbi forcën e hirit të Zotit. Kështu, mesazhi që Kisha vijon t’ia drejton besimtarëve në kohën e Kreshmëve, na kujton fjalët e Jezusit pikërisht për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit, për t’u lutur e për të bërë pendesë. T’i lutemi Zotit që t’i jetojmë me fe Kreshmët, për t’i bërë ballë së keqes së bashku me Krishtin.