Papa me refugjatët nga korridoret humanitare dhe familjet që i mirëpresin
R.SH. / Vatikan
Nesër, 18 mars, në orën 11.30, Papa Françesku do të presë në audiencë, në Vatikan, të gjithë refugjatët e ardhur në Itali e në Evropë falë "korridoreve humanitare" krijuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, së bashku me Federatën e Kishave Ungjillore, Tavola-n Valdese, Caritas-in Italian dhe CEI (Konferencën Ipeshkvnore Italiane).
Është ngjarja e parë publike e Papës me emigrantët, pas tragjedisë së Cutro, ndaj pritet që Salla e Palit VI në Vatikan - sipas agjencisë së lajmeve ANSA - do të mbushet me familje nga shumë vende në luftë ose të prekura nga emergjenca të rënda humanitare si Siria, Iraku, Afganistani, Somalia, Sudani i Jugut, Nigeria, Kongo dhe Libia.
Nga shkurti i vitit 2016 e deri më sot, me "korridoret humanitare" - që të shpëtojnë nga udhëtimet e dëshpërimit nëpër shkretëtirë dhe nëpër Detin Mesdhe duke garantuar hyrje të rregullta - mbi gjashtë mijë njerëz arritën shëndosh e mirë në Evropë. Prej tyre, më shumë se pesë mijë në Itali.
Përveç organizatorëve të korridoreve humanitare, do të ketë edhe shoqata, dioqeza, famulli dhe familje që i mirëpresin dhe i integrojnë refugjatët, duke përfshirë Bashkësinë Papa Gjoni XXIII, Arci etj.etj. Gjatë audiencës, e cila do të përfundojë me fjalimin e Papës Françesku, do të dëgjohen disa dëshmi nga refugjatët si dhe nga italianët që janë zotuar t'i integrojnë me sukses në vendin e tyre.