Kërko

Papa e Kuria Romake në Ushtrimet Shpirtërore për përgatitjen e Pashkëve

Në Vatikan gjatë kësaj jave të parë të Krezhmëve mbahen Ushtrimet Shpirtërore për përgatitjen e Pashkëve. Papa i ndërpret veprimtaritë, edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 1 mars. Veprimtaria e ardhshme publike e Françeskut do të jetë lutja e Engjëllit të Tënzot e së Dielës

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku dhe Kuria Romake ia kushtojnë këtë javë të parë të Kreshmëve Ushtrimeve Shpirtërore, me lutje vetmitare personale,  për përgatitjen e Pashkëve. Muajin e kaluar Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë pati dhënë njoftimin lidhur me ftesën e Papës drejtuar gjithë kardinajve banues në Romë, krerëve të dikastereve dhe eprorëve të Kuries Romake që ta jetojnë në uratë e meditim javën e lutjes, për përgatitjen e kremitimit të Pashkëve.

Gjatë kësaj jave ndërpriten të gjitha veprimtaritë e Shenjtit Atë Papë, duke përfshirë edhe audiencën e sotme të përgjithshme. Takimi i ardhshëm publik i Françeskut do të jetë ai i Lutjes së Engjëllit të Tënzot i së dielës së ardhshme, 5 mars.

Papa i nxit krerët dhe anëtarët e Kuries Romake "ta jetojnë kohën e ushtrimeve shpirtërore në mënyrë personale". Për të lehtësuar Ushtrimet Shpirtërore, Ati i Shenjtë u kërkoi t’i ndërpresin "veprimtaritë e punës së përditshme” e të luten nga pasditja e së dielës së kaluar, 26 shkurt, deri në pasditen e së premtes së ardhshme, 3 mars.

Po kujtojmë se në Vatikan Ushtrimet Shpirtërore të kohës së Ardhjes e të Krezhmëve, u themeluan nga Papa Piu X, më 1929. Papa Ratti ishte admirues i bindur e ithtar shpirtëror i shën Injacit të Lojolës, që njihet si ideatori i ushtrimeve shpirtërore, parë si vepra “më e urtë dhe kodi universal i qeverisjes shpirtërore të shpirtrave”.

Në vazhdim, disa dokumente papnore si Kushtetuta Apostolike ‘Summorum Pontificum‘ e 25 korrikut të vitit 1922, enciklika e 20 dhjetorit të vitit 1929 ‘Mens Nostra’ e dokumente tjera, vlerësojnë rëndësinë e Ushtrimeve Shpirtërore dhe informojnë botën katolike duke e promovuar këtë ‘praktikë të dobishme’ për përtëritjen shpirtërore të çdo besimtari. “Sëmundja e madhe e epokës moderne është mungesa e reflektimit”..., ushtrimet shpirtërore e mundësojnë njeriun të vështrojë në brendësi të shpirtit, të mendojë e të reflektojë për vetveten, vlerat e vërteta të jetës, drejtimin e udhës e cakun e jetës. Kështu mund të gjendet paqja e brendshme e fuqia e veprimit në jetën e përditshme.

01 mars 2023, 11:58