Kërko

Selia e Shenjtë kërkon mbrojtjen e pakicave Selia e Shenjtë kërkon mbrojtjen e pakicave

Pakicat, Selia e Shenjtë: “jo” urrejtjes e diskriminimit, të mbrohen identiteti e të drejtat

Fjala e kryeipeshkvit Fortunatus Nwachukwu, përfaqësues i Vatikanit në Misionin e Përhershëm të OKB-së në Gjenevë, në Sesionin e 52-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut me temë "Dialog aktiv me relatorin e veçantë për problemet e pakicave"

R.SH. – Vatikan

Të vlerësohet kontributi i pakicave etnike, fetare dhe gjuhësore, identiteti e të drejtat e tyre. Kjo është thirrja e kryeipeshkvit Fortunatus Nwachukwu, nunc apostolik në Misionin e Përhershëm të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe në Organizatat e tjera ndërkombëtare në Gjenevë, në Sesionin e 52-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut me temë "Dialog aktiv me relatorin e veçantë për problemet e pakicave”, që u mbajt dje, 23 mars.

Inkurajim e mbrojtje

 “Delegacioni i Selisë së Shenjtë ka parasysh Raportin e Relatorit të veçantë për Çështjet e Pakicave, i cili merr në shqyrtim përpjekjet e bëra gjatë tridhjetë viteve të fundit për të promovuar dhe për mbrojtur të drejtat e njerëzve, që u përkasin pakicave kombëtare, ose atyre etnike, fetare a gjuhësore, që nga miratimi i Deklaratës përkatëse të Kombeve të Bashkuara”, pohoi imzot Nwachukwu. “Selia e Shenjtë – nënvizoi ai - u bën jehonë shqetësimeve të shprehura nga Relatori i veçantë lidhur me mënjanimin, përjashtimin dhe diskriminimin e vazhdueshëm të këtyre pakicave në shumë vende të botës”.

Në shënjestër, 75% e pakicave

Për përfaqësuesin e Vatikanit, “është veçanërisht shqetësuese që 75% e njerëzve pa shtetësi në mbarë botën janë në shënjestër për përkatësinë e tyre në këtë grup”. "Në vend që të trajtohen me frikë, urrejtje dhe diskriminim, këta njerëz duhet të vlerësohen si vëllezër dhe motra të së njëjtës familjeje njerëzore", tha ai, duke kujtuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila pohon se "të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejtat e tyre”. Këto të drejta nuk duhet t’u rezervohen vetëm të pushtetshmëve, ose shumicës, por duhen siguruar për të gjithë, theksoi kryeipeshkvi Nwachukwu.

Pasurim për bashkësitë

Në emër të Selisë së Shenjtë, prelati theksoi me forcë se "grupet e ndryshme etnike, gjuhësore dhe fetare e pasurojnë jetën kulturore dhe shoqërore të bashkësive të tyre". Siç thotë Papa Françesku - "kur hapim zemrat për të ndryshmit prej nesh, kjo u jep atyre mundësinë që, duke mbetur vetvetja, të zhvillohen në mënyra të reja. Duhet të ruhen kulturat e ndryshme, lulëzuar gjatë shekujve, për të parandaluar varfërimin e botës”. "Njëkohësisht - përfundoi përfaqësuesi i Vatikanit - këto kultura duhet të inkurajohen që t’i hapin dyert për përvoja të reja, përmes takimeve me realitete të tjera, përndryshe, ka rrezik t’i nënshtrohen sklerozës kulturore. Duhet të komunikojmë me njëri-tjetrin, të zbulojmë dhuratat e çdo njeriu, të inkurajojmë gjithçka na bashkon dhe t’i konsiderojmë dallimet si mundësi për t'u zhvilluar, duke e respektuar njëri-tjetrin”.

24 mars 2023, 16:18