Kërko

Imzot Fortunatus Nwachukwu Imzot Fortunatus Nwachukwu

Nwachukwu, Sekretari i ri i Dikasterit për Ungjillëzimin

Deri tani vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe të Institucioneve të specializuara në Gjenevë, në Organizatën Botërore të Tregtisë, si edhe përfaqësues i Vatikanit në Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin, duke filluar nga dita e sotme, kryeipeshkvi do të shërbejë në Seksionin për ungjillizimin e parë dhe për Kishat e reja të veçanta

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku emëroi Sekretar të Dikasterit për Ungjillëzimin, në seksionin për Ungjillëzimin e Parë dhe për Kishat e reja të veçanta, imzot Fortunatus Nwachukwu, kryeipeshkëv titullar i Acquaviva-s dhe nunc apostolik.

Prelati, me origjinë nigeriane, ka qenë deri tani Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në Institucionet e specializuara në Gjenevë, në Organizatën Botërore të Tregtisë, si edhe përfaqësues i Vatikanit në Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin.

Studimet dhe shërbimi

I diplomuar në Shkrimin Shenjt në Institutin Biblik Papnor, me dy doktoratura, njëra në teologji dogmatike në Universitetin Papnor Urbanian dhe tjetra, në të Drejtën Kanonike në Universitetin Papnor "Shën Toma i Akuinit", Nwachukwu hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në vitin 1994, dy vite pas përfundimit të studimeve në Akademinë Kishtare Papnore, më 1992. Shërbeu në nunciaturat apostolike të Ganës, Paraguajit, Algjerisë, më pas, në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe të Institucioneve të specializuara në Gjenevë.

Shërbeu edhe në Seksionin e Dytë për Marrëdhëniet me Shtetet, në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, ndërsa në vitin 2007 u bë Shef i Protokollit në atë seksion. Më 12 nëntor 2012, Benedikti XVI e emëroi nunc apostolik në Nikaragua; në të njëjtën kohë, iu caktua selia titullare e Acquaviva-s si kryeipeshkëv titullar. Pas shugurimit të tij ipeshkvnor, më 6 janar 2013, në Bazilikën e Shën Pjetrit, themeloi Fondacionin “Fortune Aquaviva”, organizatë që mbështet meshtarët nigerianë, rregulltarët e rregulltaret në nevojë.

Imzot Fortunatus Nwachukwu me Papën Françesku
Imzot Fortunatus Nwachukwu me Papën Françesku

Nunc në vende të ndryshme

Në vitin 2017, Papa Françesku e emëroi atë nunc apostolik në Trinidad dhe Tobago, Antigua dhe Barbuda, Barbados, Dominika, Xhamajkë, Shën Kitts dhe Nevis, Shën Vincent dhe Grenadine e në Guajana, si edhe delegat apostolik në Antile. Në vitin 2018, u emërua nunc në Saint Lucia, Grenadë dhe Bahamas, më pas në Surinam dhe Belize.

Më 17 dhjetor 2021, Papa Françesku e emëroi Vëzhgues të përhershëm të Selisë së Shenjtë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe të Institucioneve të specializuara në Gjenevë, në Organizatën Botërore të Tregtisë, si edhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë në Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin. Detyra e kryer deri në emërimin e sotëm.

15 mars 2023, 13:43