Kërko

Një Papë dhe tre jezuitë u japin emrin katër asteroidëve

Trupat qiellorë morën emrin e Papës Gregori XIII (Ugo Boncompagni) dhe të meshtarëve të Shoqërisë së Jezusit, Johann Hagen, Bill Stoeger dhe Robert Janusz, të gjithë të lidhur me Observatorin e Vatikanit (Specola Vaticana). Emri zyrtar u njoftua nga Bashkimi Ndërkombëtar Astronomik

R.SH. – Vatikan

Quhen 562971 Johannhagen, 551878 Stoeger, 565184 Janusz dhe 560974 Ugoboncompagni katër asteroidët “të pagëzuar” me emrat e tre astronomëve të Observatorit të Vatikanit (Specola Vaticana) dhe të Papës Gregori XIII, emri i të cilit ishte Ugo Boncompagni, lindur në shekullin XVI, i njohur për reformën e kalendarit, që pikërisht prej tij quhet gregorian. Gjithashtu, Gregori XIII pati filluar traditën e astronomëve dhe të observatorëve papnorë. Astronomët, që u dhanë emrat tre prej asteroidëve, janë jezuitët Johann Hagen, drejtor i Observatorit të Vatikanit nga viti 1906 deri më 1930, Bill Stoeger, (1943-2014), kozmolog dhe teolog dhe Robert Janusz, aktualisht pjesë e personelit të Observatorit vatikanas. Emrat e katër asteroidëve "të famshëm" u publikuan nga Bashkimi Ndërkombëtar Astronomik në buletinin e tij të fundit, më 7 shkurt.

Asteroidët dhe Shoqëria e Jezusit

Mbi tridhjetë asteroidë sot mbajnë emrin e po aq jezuitëve. Ndërmjet tyre Át Christopher Clavius, i ngarkuar nga Papa Gregori XIII për të punuar në projektin e kalendarit - asteroidi "i tij" quhet 20237 Clavius ​​- dhe Át Giovanni Battista Riccioli (1598-1671) i cili zhvilloi sistemin e nomenklaturës hënore, që përdoret ende sot. "Deti i Qetësisë", për shembull, vendi i mirënjohur ku zbarkoi Apollo 11, u emërtua prej tij. Sipas Bashkimit Ndërkombëtar Astronomik, caktimi i emrit për një asteroid bëhet përmes një procesi që, në disa raste, mund të zgjasë me dekada.

Kur zbulohet një asteroid i ri, që s’është tjetër, veçse një planet i vogël, i jepet një emërtim paraprak, bazuar në datën e zbulimit. Pasi vëzhgohet disa herë, ndërsa i afrohet Tokës, i jepet një numër përfundimtar, por zbuluesi ftohet të sugjerojë një emër. Nuk lejohen emra kafshësh shtëpiake, emra me natyrë tregtare, emra individësh, ose ngjarjesh të njohura kryesisht për arsye politike a ushtarake. Gjithashtu, të drejtat e emrit nuk mund të blihen. Emrat e propozuar vlerësohen më pas nga një panel prej pesëmbëdhjetë astronomësh profesionistë nga e gjithë bota me interesa kërkimore, që lidhen me planetet e vogla dhe me kometat.

01 mars 2023, 11:28