Kërko

Mons Eleuterio Fortino dëshmitar e protagonist i dialogut teologjik dhe rrugëtimit ekumenik

Dëshmitar e protagonist i dialogut teologjik dhe i rrugëtimit ekumenik ndërmjet Kishës Katolike e Kishave Lindore, në mënyrë të veçantë ndërmjet të Kishës Katolike e Kishës Ortodokse të ritit bizantin. Kjo u ripohua, në tezën e doktoraturës në Teologjinë e Shenjtë mbrojtur në mënyrë të shkëlqyeshme nga  prifti i ri arbëresh, papàs Alex Talarico, më 2 mars 2023, në Universitetin Papnor Angelicum në Romë

R.SH. / Vatikan

Dëshmitar e protagonist i dialogut teologjik dhe i rrugëtimit ekumenik ndërmjet Kishës Katolike e Kishave Lindore, në mënyrë të veçantë ndërmjet Kishës Katolike e Kishës Ortodokse të ritit bizantin. Kështu 13 vjet pas vdekjes del në pah, për herë të parë në kuadrin akademik të teologjisë, veprimtaria e çmuar e priftit arbëresh Papàs Mons. Eleuterio Francesco Fortino, i cili tërë jetën, me pasion, dituri, maturi e përzemërsi, ia kushtoi njohjes, afërmit, dialogut dhe udhës drejt bashkimit ndërmjet të krishterëve.

Kështu, teza e doktoraturës në Teologjinë e Shenjtë mbrojtur nga prifti i ri arbëresh, papàs Alex Talarico nga Eparkia e Lungros (CS), diskutuar, më 2 mars 2023, në Universitetin Papnor të Shën Tomës Akuinas - Angelicum në Romë, nënvizoi pikërisht rolin dhe kontributin e dhënë nga Papàs Mons. Eleuterio Fortino, me prejardhje nga Eparkia (Dioqeza) e Ritit Bizantin të Lungro (CS) në Itali, për shumë vite si Nënsekretar i Këshillit (sot Dikasterit) Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Një tezë dokotrature që përshkoi biografinë e veçanërisht veprimtarinë poliedrike të Mons Eleuterio Fortinos në fushën e dialogut Ekumenik, me nxitjet, intuitat e marrëdhëniet frytdhënëse në fushën Ekumenike.

Relatorët prezantuan në mënyrë shkencore dhe skrupuloze materialin e pasur në lidhje me veprimtarinë e Mons Eleuterio Fortinos si Nënsekretar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, pra si ekumenist dhe në mënyrë të përmbledhur si një njeri me kulturë të lartë që diti të lidhë e përfaroi botën lindore me atë perëndimore, si edhe një material të pasur me të dhëna bibliografike nga shkrimet a më mirë të themi nga esét e tij, rreth 500, përmes të cilave mund të vlerësohet mendimi e vizioni tij në fushën ekumenike dhe kulturore.

Sigurisht që ka ende shumë argumente për t'u studiuar e shtjelluar mbi veprimtarinë e Mons Eleuterio Fortinos, në fushën e kulturës arbëreshe, të kulturës shqiptare, për angazhimin në shpirtërore e baritore etj; sido që të jetë, mund të jemi të kënaqur sepse nga prifti i ri abëresh papàs Alex Talarico u hodh një bazë solide nga e cila mund të fillohet më me besim për të vazhduar me hetimet e mëtejshme mbi këtë figurë të ndritur të Kishës e botës së dashur arbëreshe, që i përketë të gjithë shqiptarëve dhe Kishës Universale.

Prifti i ritit katoliko-bizantin, Papàs Mons. Eleuterio Francesco Fortino pasi kreu studimet në Seminarin Papnor të Grottaferrata-s dhe në Kolegjin Papnor Grek dhe në Universitetin Papanor Gregoriana gjithnjë në Romë, vazhdoi me studime të mëtejshme në fushën Ekumenike pranë Institutit Katolik në Paris dhe Institutin Ekumenik të Bossey (Gjenevë) Këshilli Botëror i Kishave.

Nga viti 1965 deri në largimin e tij në vitin 2010 Papàs Mons. Eleuterio Fortino e zhvilloi veprimtarinë e tij në shërbim të ekumenizmit pranë Këshillit Papnor për Unitetin e të Krishterëve dhe si bashkësekretar i komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Për përkushtimin e tij të palodhur në misionin e unitetit të të krishterëve Mons Fortino është konsideruar, me të drejtë, si një kujtesë historike, është vlerësuar si shpirti i lëvizjes ekumenike dhe një zë autentik oriental brenda Kuries Romake.

Në vitin 2008, si mirënjohje për veprimtarinë e tij të gjatë në fushën ekumenike, iu dha nderimi akademik dhe kishtar "Trëndafili Argjendtë i Shën Nikollës" nga Instituti Ekumenik i Universitetit të Friburgut (Zvicër) dhe nga Instituti i Kishave Orientale të Resensburgut (Gjermani).

Arsyet: "Sepse Arkimandriti Fortino e bëri të vetën lutjen e Krishtit "Ut unum sint" "Që të gjithë të jenë një" (Gjn 17.21) gjatë gjithë zhvillimit të veprës së tij ... sepse ai diti të lidhte kompetencën teologjike me urtësinë e dëshmisë në lutje, përuvujtëri, durim... sepse ai nxitej nga shpirti dhe forca shtytëse e lëvizjes ekumenike… sepse Arkimandriti Fortino gjatë gjithë angazhimit të tij të zellshëm për unitetin e të krishterëve nuk e la pas dore as shërbimin baritor ndaj popullit të Zotit, ndaj komunitetit bizantin italo-shqiptar (abresh) të Romës”.

Si anëtar i diasporës arbëreshe të Italisë, Papàs Mons. Fortino e ka mbajtur gjithmonë një lidhje shumë të fortë me Eparkinë e Lungro-s të italo-shqiptarëve të Italisë kontinentale, duke u angazhuar personalisht në shumë nisma baritore të kësaj Kishe të veçantë katolike të ritit bizantin si: kontributi që dha në Kuvendin e Parë Eparkial të Lungro-s (1995-1996 ), më parë dhe më vonë në Sinodin II Ndëreparkial të tre qarqeve kishtare bizantine në Itali – Eparkisë së Lungros në Kalabri, Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe Manastirit Eksarkik të Grottaferratas në Romë (2004-2005).

Imzot Giovanni Stamati, peshkop (ipeshkëv) i Lungros, në shenjë vlerësimi për meritat e tij, i dha titullin "Arkimandrit", duke kujtuar ndër të tjera se "Kisha e Lungros... sot ndihet e nderuar dhe me të drejtë ka arsye të falënderojë Zotin dhe të gëzohet për të mirat që janë bërë nga ti në shërbimin e çështjes së shenjtë të unitetit të të krishterëve… si edhe bashkimin, me një frymë baritore të lavdërueshme, të punës së zyrës tënde, me kujdesin fetar, shpirtëror, moral dhe kulturor të diasporës italo-shqiptare në Roma, e cila ka gjetur tek ti një pikë të sigurt referimi dhe inkurajimi në besnikërinë ndaj Fesë, ndaj identitetit greko-bizantin dhe ndaj traditave të origjinës arbëreshe.

Prandaj, në shenjë modeste nderimi dhe vlerësimi, të jap titullin Arkimandrit i Kishës së Shenjtë të Lungros me nderimet dhe shenjat e duhura të këtij titulli”.

Bashkia S. Demetrio Corone (CS), në shenjë mirënjohjeje të veprimtarisë së kryer nga Arkimandriti Eleuterio Francesco Fortino në favor të komunitetit arbëresh të Italisë, i dha Çmimin Arbëria sepse “Pranë angazhimit ekumenik në Vatikan, ai ndërlidhi e kultivoi një interes të gjallë dhe të ndjeshëm për botën italo-shqiptare dhe me pasion ka promovuar dhe marrë pjesë në nisma të rëndësishme kulturore në mbrojtje të traditës bizantine dhe kulturës arbëreshe. Figura e tij përfaqëson në Vatikan pikën më të autoritetshme të arbëreshëve, të cilët janë krenarë për prestigjin e tij të padiskutueshëm”.

Kardinali Walter Kasper, President Nderi i Këshillit Papnor për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve, shkroi për Mons. Eleuterio Francesco Fortino:

Veçanërisht i vlerësuar në botën ortodokse dhe i aftë për gjykime të matura në çështjet më delikate, ai e ka kryer gjithmonë shërbimin e tij me pasion, saktësi, respekt dhe me dashuri besnike ndaj Papës. Ai diti të ndërlidhte erudicionin e tij të thellë me përzemërsinë e gjallë, duke krijuar marrëdhënie të sinqerta dhe stimuluese ndërpersonale. Këtë e dëshmoi deri në fund, edhe në Kishën romake të Shën Atanasit në Romë, ku nuk pushoi së përkushtuari veprimtarisë baritore, në mesin e njerëzve që i donte dhe prej të cilëve qe dashur”.

03 mars 2023, 09:57