Kërko

Mbrëmësoret e "Te Deum" Mbrëmësoret e "Te Deum" 

Në Bazilikën e Vatikanit, një rrugë e re për ata që duan të luten

Hyrja në Bazilikë për ata që dëshirojnë të mblidhen në lutje, të rrëfehen ose të marrin pjesë në meshë nisi, në formë eksperimentale, që nga mëngjesi i 28 marsit, përgjatë korridorit të djathtë. Kjo mundësi u krijua në bashkëpunim me Inspektoratit Italian të Sigurisë Publike, me Guvernatoratin dhe Xhandarmërinë e Vatikanit. Kardinali Gambetti: "Duam t’ia rikthejmë Shenjtërores të gjitha mundësitë, që pasurojnë jetën shpirtërore, liturgjike dhe festive” të njerëzve.

R. SH. - Vatikan

Një portë e re kushtuar shtegtarëve dhe besimtarëve për të hyrë në Bazilikën e Shën Pjetrit. U përurua dje në mëngjes ad eksperimentum për ata që dëshirojnë të luten dhe të marrin pjesë në sakramente.

U përurua një shteg përmes navatës së djathtë

Rruga, shpjegon një njoftim për shtyp nga Fabrika e Shën Pjetrit, të çon brenda Bazilikës së Vatikanit përmes korridorit të djathtë. Krijon, kështu, mundësinë për të kaluar para Zojës së Dhimbshme, apo “Pietà-së” së famshme të Mikelanxhelos, pastaj para Altarit ku pushon në paqe Shën Gjon Palit II, Kapelës së të Shenjtnueshmit Sakrament, Kapelës Gregoriane me figurën e Zojës Ndihmëtare, zonës së caktuar për sakramentin e Rrëfimit apo të Pajtimit e, më pas, para Altarit të Katedrës dhe Kapelës së Shën Jozefit, për kremtimin e meshëve. Pasi të keni arritur në këtë të fundit, udha  ju çon në dalje, duke kaluar nëpër Kriptën e Vatikanit.

Pa radhë, ata që duan të luten ose të marrin pjesë në sakramente

Orari i hapjes së itinerarit të ri është i njëjtë me atë të hapjes së Bazilikës: çdo ditë nga 6.50 deri në 18.40. Hyrja për në vendet e kremtimeve liturgjike përmes kalimeve të veçanta është falas, ashtu siç është edhe udha që përshkojnë turistët në Bazilikë.

“Paraqesim një rrugë të privilegjuar në baza eksperimentale, për t’i lejuar besimtarët, grupet e lutjes dhe shtegtarët të vijnë e të luten në Shën Pjetër dhe të marrin pjesë në sakramente lehtësisht, pa pritur në radhë të gjata – saktëson kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Shën Pjetrit. - Në përputhje me dëshirën e Atit të Shenjtë, dëshirojmë ta lehtësojmë sa më shumë hyrjen në shenjtërore për pasurimin e jetës shpirtërore, liturgjike dhe festive”. Rruga e re pret gjithashtu edhe shtegtarët që duan të sodisin “shtigje” të ndryshme, të cilët do të mund të tregojnë kredencialet e tyre dhe të marrin pergamenën “testimonium”, e cila vërteton se shtegtuan në Bazilikë.

29 mars 2023, 15:17