Kërko

Ceremonia në Athinë e tre fragmenteve të Partenonit, dhuruar nga Papa Kishës Ortodokse Ceremonia në Athinë e tre fragmenteve të Partenonit, dhuruar nga Papa Kishës Ortodokse 

Në Athinë, fragmentet e Partenonit, nga Muzetë e Vatikanit: emocioni i Ieronymos II

Kryepeshkopi ortodoks i Athinës falënderon Françeskun për dhuratën, "provë e prekshme e fryteve të pjekura nga marrëdhëniet vëllazërore që ekzistojnë ndërmjet të krishterëve", duke i ftuar edhe të tjerët të ndjekin shembullin e Papës. I pranishëm, edhe një delegacion i Vatikanit. Imzot Farrell i Dikasterit për Promovimin e Unitetit të Krishterë e quan gjest kishtar solidariteti dhe miqësie me popullin grek.

R. SH. - Vatikan

Pas më shumë se dy shekujsh, tre fragmentet e Partenonit të ruajtura në Muzetë e Vatikanit, rikthehen në Athinë. Pas shpalljes së 7 marsit të kaluar, pasditen e 24 marsit u zhvillua ceremonia përfundimtare e ribashkimit me skulpturat e tjera të tempullit, të ekspozuara në Muzeun e Akropolit, në kryeqytetin grek.  

Dëshmi e prekshme e fryteve të dialogut

Emocion dhe gëzim të madh shprehu Fortlumturia e Tij Ieronymos II, kryepeshkop i Kishës Ortodokse të Athinës, i cili u prek thellë "për realizimin e nismës së “Vëllait të dashur", Papës Françesku i cili, me gjestin e tij ekumenik të paqes, i ktheu fragmentet "në shtëpi", në sallën e Partenonit të Muzeut të Akropolit. Rikthimi, tha ai, "është provë e prekshme e fryteve të prodhuara nga marrëdhëniet vëllazërore që ekzistojnë ndërmjet nesh, të krishterëve, të udhëhequr nga e vërteta, dashuria, respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë" dhe tregon "se rrugëzgjidhjet janë të mundshme për çdo problem dhe mosmarrëveshje ekzistuese, me kusht që të ketë vullnet të mirë dhe dëshirë të sinqertë për të bashkëpunuar”. E akoma: “Përmes këtij akti rikthehet e vërteta dhe shërohen ato plagë e trauma që vijnë nga e kaluara”, të cilat ribashkohen “në këtë monument unik të trashëgimisë kulturore botërore, si pjesë të tij të pandashme”. Dëshira e Ieronimit II është që kjo nismë “të imitohet edhe nga të tjerët”, mbasi Papa Françesku dëshmoi se “është e mundshme dhe e prekshme”.

Gjest kishtar miqësie me popullin grek

I pranishëm, edhe një delegacion i Vatikanit, i përbërë nga Imzot Brian Farrell, sekretar i Dikasterit për Nxitjen e Unitetit të Krishterëve; nga nënsekretari, Andrea Palmieri; Nunci Apostolik në Greqi, Imzot Jan Romeo Pawloksi dhe drejtoresha e Muzeumeve të Vatikanit, Barbara Jatta. Prania e Dikasterit që merret me marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet Kishave - nënvizoi imzot Farrell - do të thotë se rikthimi "duhet parë si gjest kishtar, kulturor dhe shoqëror i miqësisë dhe i solidaritetit me popullin grek" dhe për këtë arsye ka "një domethënie të veçantë në pohimin gjithnjë e më të fortë të miqësisë dhe afërsisë shpirtërore ndërmjet Kishave tona”.

Takimi i kulturave, mjet për paqen

Vendimi për kthimin e tre fragmenteve u mor nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Greqi, në dhjetor 2021. "Njerëzit vullnetmirë", përsëriti imzot Farrell "mund të shohin në këtë ngjarje shprehjen e një shprese të përbashkët që kulturat tona të ndryshme dhe vetë arti, të jenë gjithmonë mjet i privilegjuar për dialogun dhe takimin ndërmjet popujve”. "Me këtë shkëmbim - ritheksoi - ne pasurojmë njëri-tjetrin me larminë e mrekullueshme të historive tona, me arritjet tona dhe me aspiratën universale për paqe dhe vëllazëri". Tani që "jemi dëshmitarë të mungesës së paqes në botë, veçanërisht përsa i përket kontinentit tonë, Evropës, takimi ndërmjet kulturave të ndryshme mund të jetë mjeti që i krijon familjes njerëzore mundësinë të lulëzojë përsëri, si dikur”.

Përshkrimi i tre fragmenteve

Të tre fragmentet, që vijnë nga pjesë të ndryshme e tempullit, ndërtuar nga Perikliu ndërmjet viteve 447 e 432 para Krishtit, u skalitën nga skulptori i madh Phidias. E para është kokë kali, që të kujton mosmarrëveshjen ndërmjet Athinës dhe Poseidonit për sundimin e Atikës. I dyti, kokë  djali, mbartës ëmbëlsirash, që të kujton festën e themelimit të Athinës, gjetur në qelinë më të thellë të Partenonit. Fragmenti i tretë është koka e një burri me mjekër, ndoshta  pjesë e ndonjërës prej metopeve që paraqitshin kentauromakinë a luftën ndërmjet Kentaurëve - krijesa gjysëm kal e gjysmë njeri, figura ikonografike shumë të përdorura në artin grek, në ballinën jugore.

26 mars 2023, 15:34