Kërko

Muzetë e Vatikanit. Një fjalë përtej vdekjes

Ta kumtosh Krishtin do të thotë të dëshmosh se të besosh në Të dhe ta ndjekësh, nuk është thjesht fjalë e vërtetë dhe e drejtë, por edhe e bukur, prekëse. “Zemra e Ungjillit është bukuria e dashurisë shëlbuese të Zotit, që shfaqet në Jezu Krishtin e vdekur dhe i ringjallur”. Frymëzuar nga këto fjalë të Françeskut, vijon bashkëpunimi i Muzeve të Vatikanit me Vatican News nga Kreshmët, deri në Tetëditshen e Pashkëve për takimet me kryeveprat e koleksioneve papnore, shoqëruar me fjalët e papëve

R.SH. - Vatikan

Antonio Canova, Vajtimi mbi Krishtin e Vdekur, Plaster, rreth 1820 © Muzetë e Vatikanit

Boca është pjesë e provave dhe e studimeve të Antonio Canovës në vitet e fundit të jetës së tij, për një monument të madh mermeri, që nuk u përfundua kurrë. Ideja e artistit duket me gjithë shkëlqimin e saj në thjeshtësinë e renditjes piramidale të figurave, me Virgjërën e ulur, që mban në prehër korpin e vdekur të Jezusit, me kokën e përkulur e me gjymtyrët që i varen butësisht deri në tokë. Mënjanë të bie menjëherë në sy figura prekëse e Magdalenës që, në gjunjë, me përkushtim, cik lehtë-lehtë shpatullën e Shëlbuesit.

Muzetë e Vatikanit
Muzetë e Vatikanit
“Vdekja, vetmia dhe frika nuk janë më fjala e fundit. Ka një fjalë që shkon më tej dhe që vetëm Zoti mund ta shqiptojë: fjala Ringjallje! Me fuqinë e dashurisë së Zotit, ajo e mund të keqen, i lan fajet, ua kthen pafajësinë mëkatarëve, gëzimin të pikëlluarve, zhduk urrejtjen, mposht rreptësinë e të fuqishmëve, krijon pajtimin dhe paqen”.
(Françesku – Urbi et Orbi – 1 Prill 2018)
24 mars 2023, 14:27