Kreshmët në Muzetë e Vatikanit. Art për të medituar e për t’u lutur
R.SH. - Vatikan
Arti i Muzeve të Vatikanit u hap të gjithëve dyert për të medituar misteret e fesë gjatë Kreshmëve. Që nga 3 marsi i kaluar, çdo të premte të kësaj stine të rëndësishme të vitit liturgjik, në përgatitje për Pashkë, koleksionet papnore ofrojnë një vizitë të posaçme me prijës, në italisht ose anglisht, me porta të hapura për të gjithë, duke përfshirë edhe familjet me fëmijë si dhe njerëzit me aftësi të kufizuara motorike dhe intelektuale. Synimi është t’i afrojë vizitorët me veprat dhe artistët, që pasqyruan ndër shekuj, me art të pamort, Mundimet dhe Ngjalljen e Zotit.
Itinerari do të propozohet sërish në datat 17, 24 dhe 31 mars dhe mund të rezervohet me e-mail në education.musei@scv.va: fillon që nga kohët paleokristiane me sarkofagët e shekujve të parë, për të kaluar tek kryeveprat e Pinakotekës dhe të Galerive të Epërme, deri sa arrihet tek mrekullitë e afreskuara nga artistët e katërqindës dhe nga Michelangelo, në Kapelën Sikstine.
Art e ungjillëzim
"Artistët e mëdhenj gjatë shekujve - shpjegon për Vatican News Motra Emanuela Edwards, drejtuese e Zyrës së Veprimtarisë Didaktike të Muzeve të Vatikanit - na lanë një trashëgimi të madhe, që mund të na ndihmojë të mendojmë për çdo çast të Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit. Vepra tepër prekëse, që i lartojnë zemrat njerëzore te Zoti, e jo vetëm gjatë kësaj kohe. Vizita jonë është shembull që tregon se thesaret e koleksioneve të Vatikanit mund të përdoren si mjet ungjillizimi përmes artit. Kreshmët janë kohë për lutje dhe përtëritje. Muzetë deshën të japin ndihmesën e tyre për jetën e Kishës, duke propozuar disa vepra si një mjet për të medituar mbi misteret kryesore të fesë”. Ndërmjet tyre, spikat arti i shekujve të parë të krishterimit, i cili komunikon menjëherë me figurat e tij të skalitura, aq të gjalla, sa të nisësh me ta bisedën për jetën, për vdekjen e për çka na pret pas saj!
Nga Sarkofagu- tek Caravaggio
Sarkofagu i Mundimeve, ruajtur në Muzeun Pio Cristiano na ofron një sërë skenash, që shkojnë nga "dënimi i Zotit nga Pilati - deri te ikonografia e Anastasis, domethënë, tek “Të ngjallurit e të vdekurve” e cila - vazhdon murgesha, "përfaqëson për herë të parë në art kryqin dhe Ringjalljen e Krishtit”.
Mbërrijmë te Pinakoteka. Caravaggio na rrëmben sakaq. Arti i tij i katër shekujve më parë është më i fuqishëm se metaversi, apo hapësira tredimensionale: për një çast e harron se je spektator. I kapërthyer nga rrënqethjet, të duket vetja si dëshmitar varrimit të Krishtit: "Guri i themelit - vëren motra Emanuela Edwards - hyn në hapësirën tonë dhe i bën jehonë Shkrimeve: Guri i flakur nga ndërtuesit, bëhet gur themeli. Kreshmët janë kohë për ta bërë Zotin qendër të jetës sonë, prandaj kjo vepër është veçanërisht e rëndësishme për t’u soditur në këtë kohë pritjeje”.
Intriga e artit
Përshkojmë sallat e ekspoziave e sytë tanë takohen me sytë e fryrë nga lotët të Virgjërës, të Gjon Pagëzusit e të Magdalenës në skenën tragjike të Zojës së Dhimbshme, vepër e Carlo Crivelli-t. Vijojmë shtegtimin tonë të jashtëzakonshëm duke kaluar nëpër Galleria degli Arazzi - Galerinë e Qilimave. Nga drita e zbehtë e korridorit të gjatë, diktuar nga nevojat e ruajtjes, kalojmë në sallën ku shpërthen drita e Krishtit të Ngjallur, e riprodhuar nga dyqani i tapicierit flamand Pieter Van Aelst, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, mbi kartonet e nxënësve të Raphaelit. U ekspozua për herë të parë në Kapelën Sikstine, në vitin 1531. Pikërisht ky vend, seli e Konklavit, më i kërkuari nga vizitorët, që vijnë në Muzetë e Vatikanit nga të gjitha anët, përfundon edhe Udha e Kreshmëve.
Meditim për të gjithë
Varur në mur, të bie në sy Darka e Mbrame nga Cosimo Rosselli: "Kjo është ndoshta vepra ime më e preferuar" - rrëfen motër Emanuela - “Në këtë pikturë të jashtëzakonshme mund të shohim çastin e themelimit të Eukaristisë, ndërsa jashtë dhomës ku zhvillohet skena kryesore e Darkës, nga dritaret e pasme shihen disa skena nga Mundimet: Shën Pjetri duke ikur në çastin e Kryqëzimit. Çast i mahnitës meditimi për të gjithë ne”.
Bibla përmes figurave
Të mahnit fakti sesi si këto vepra arti, krijuar shekuj më parë, kanë ende kaq shumë forcë dhe aftësi për t’u përcjellë mesazhe tronditëse burrave dhe grave të ditëve tona. “Të gjithëve u pëlqejnë fotografitë që tregojnë histori. Pamjet e bukura - sipas kryetares së Zyrës së Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit - tërheqin vëmendjen dhe interesin tonë, duke na ngjallur kureshtjen për ta kuptuar mesazhin e tyre. Veprat e këtij lloji mund t'i shohin edhe jobesimtarët, si pjesë të një përvoje kulturore. Një vepër e artit kishtar është Bibël për figurat që të gjithë, pavarësisht nga besimi i tyre, përpiqen t’i kuptojnë – e të preken nga historia e dashurisë që u flet nga piktura, skulptura a nga qilimat çuditërisht mahnitës, që vijonë në shekuj të tregojnë historinë e pashoqe të Zotit të kryqëzuar e të Ngjallur ”, të cilën mund ta sodisim si të gjallë këto ditë nëpër korridoret e pafundme të Muzeve të Vatikanit, ku rijetojmë Misterin e Pashkëve të Ngjalljes!