Kërko

Kardinali Kurt Koch në Kosice të Sllovakisë Kardinali Kurt Koch në Kosice të Sllovakisë

Koch në Sllovaki: “dialogu ndërfetar, themel për paqen”

Prefekti i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve ishte për vizitë në Bratislavë dhe në qytete të tjera sllovake nga 28 deri më 30 mars. Pati takime të shumta ekumenike dhe ndërfetare, përfshirë një simpozium në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Trnavës mbi temën e marrëdhënieve ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve

R.SH. – Vatikan

         “Sot kemi prirjen të themi: jo, feja është diçka private. Sigurisht, feja është personale, por nuk është private! Nëse feja nuk është publike, shoqëria nuk është në gjendje të ketë dialog ndërfetar, por ky dialog është themeli i paqes”. Kardinali Kurt Koch reflekton në mikrofonin e Vatican News, në fund të vizitës së tij triditore në Bratislavë dhe në qytete të tjera të Sllovakisë, ku ndodhej nga 28 deri më 30 mars. Prefekti i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, njëkohësisht kryetar i Komisionit për marrëdhëniet fetare me hebrenjtë, mori pjesë në takime të ndryshme, si edhe në Simpoziumin me temë “Përmbledhje e shtatë viteve të dialogut ndërfetar ndërmjet bashkësive hebraike dhe katolike në Sllovaki”, organizuar në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Trnavës, që administrohet nga jezuitët. Në intervistë, kardinali shpjegon ç’i mbeti në zemër në përfundim të kësaj vizite…

         Shumë gjëra. Së pari, pata mundësinë ta vizitoj këtë vend të bukur dhe më pas, t’i thelloj njohuritë e mia për realitetet ekumenike në vend. Për shembull, patëm një takim me Mitropolitin Rastislav, kreun e Kishës Ortodokse, audiencë tejet e përzemërt, me synimin për t’i thelluar këto marrëdhënie. Isha në Fakultetin e Prešov-it, ku u diskutua një temë shumë e rëndësishme: si mund të arrijmë në bashkimin sakramentor ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve. Kam pasur edhe shumë takime të tjera me Këshillat Ekumenike, në Košice dhe në Bratislavë. Më bëri shumë përshtypje dialogu i rëndësishëm ndërmjet Kishës dhe shtetit, për të përmirësuar realitetin e lirisë fetare në shoqëri. E kjo është tejet themelore, sepse feja është diçka publike.

Pastaj, edhe takimi për dialogun katoliko-hebraik...

Ky dialog është baza e gjithçkaje, sepse ne kemi marrëdhënie të veçanta me popullin hebre, prandaj është e rëndësishme t’i thellojmë ato. Mendoj se dialogu katoliko-hebraik ndihmon edhe në përmirësimin e dialogut ekumenik për të gjitha Kishat dhe bashkësitë, që i kanë rrënjë në hebraizëm.

A mund të na thoni nëse Sllovakia mund të shërbejë si laborator për këtë?

Mendoj se çdo vend ka detyrën e tij të veçantë, pasi situatat dhe prirjet janë shumë të ndryshme, prandaj, secili e çon përpara dialogun në mënyrën e vet. Ky vend mund t'i ndihmojë të tjerët, sepse duhet të zhvillojmë edhe një dialog në nivelin universal. Pa dialogun rajonal, kjo punë do të ishte tejet e vështirë. Kontributi i dialogut ekumenik e ndërfetar është shumë i rëndësishëm për ekumenizmin. Jam shumë i kënaqur me realitetin e me arritjet e këtij dialogu në Sllovaki.

31 mars 2023, 11:33