“Kisha në botën e sotme”, reflektim mbi Koncilin II të Vatikanit, duke shikuar drejt Jubileut
R.SH. – Vatikan
Sekretari i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, seksioni për arsimin, imzot Cesare Pagazzi, shkruan një nga 34 broshurat e serisë "Fletoret e Koncilit", menduar si përgatitje për Jubileun 2025 nga Dikasteri për Ungjillëzimin. Reflektim rreth “Gaudium et spes”, broshura titullohet “Kisha në botën e sotme”, siç sqaroi vetë prelati në një intervistë për Telepace-n. Kushtetuta konciliare përqendrohet në praninë dhe në stilin e Kishës në kohët e sotme. Temë, saktëson ai, që shprehet më mirë në jetën e Kishës, në çastin e kremtimit të Eukaristisë, kur besimtarët dëshmojnë dhe kujtojnë “praninë e dashur dhe të mëshirshme të Zotit”.
Zoti ngushëllon si një nënë
Këshilla praktike për lexuesit e broshurës është zbatimi i stilit dhe i qëndrimit të Jezu Krishtit, në jetën e përditshme, pasi Ai nuk përjashton askënd. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kuadrin e Jubileut 2025, që Papa Françesku ia ka kushtuar shpresës. Në “Gaudium et spes”, thekson imzot Pagazzi, “gjejmë vizionin katolik të dashurisë për njëri-tjetrin, i cili merr parasysh të gjithën, të plotën dhe tërësinë”. Edhe trishtimi, nënvizohet në broshurë, ka vlerë ungjillore. “Zoti – pohon imzot Pagazzi – na ngushëllon kur na mban afër, por na ngushëllon edhe kur distancohet, sepse ushqen shpresën se mund t’ia dalim me forcat tona”.
Shpresë, më shumë se dështime
“Aty ku të gjithë shohin dështime – vëren meshtari – prindërit, për shembull, të thonë ‘ti mundesh’, pra, janë kujdestarët e shpresës”. Jubileu i vitit 2025, përfundon ai, do të thotë “të kundrojmë për një vit Zotin, i cili na thotë gjithnjë ‘ti mundesh’”.