Kërko

Takimi i Papës me popullsitë indigjene në Kanada Takimi i Papës me popullsitë indigjene në Kanada

Kisha mbron indigjenët, “Doktrina e Zbulimit” nuk ka qenë kurrë katolike

"Notë" e përbashkët e Dikastereve vatikanase për Kulturën dhe për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor: "Shumë të krishterë kanë kryer vepra jo të mira kundër indigjenëve". Bulat papnore të shekullit XV, që u dhanë sovranëve kolonizues të drejtën për të përvetësuar pasuritë e popujve autoktonë janë dokumente politike, të shfrytëzuara për akte të pamoralshme. Që nga viti 1537, Papa Pali III deklaroi solemnisht se vendasit nuk duhej të skllavëroheshin e as t’u grabiteshin atyre pronat

R.SH. – Vatikan

         Falë ndihmës së indigjenëve, "Kisha është bërë më e vetëdijshme për vuajtjet e tyre, të kaluara e të tashme, shkaktuar nga shpronësimi i tokave... dhe nga politikat e asimilimit të detyruar, zbatuar nga autoritetet qeveritare të kohës, me synim eliminimin e kulturave të tyre”. Kështu shkruhet në "Notën e përbashkët për Doktrinën e Zbulimit" të Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin dhe të atij për Promovimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, botuar më 30 mars. Në Dokument pohohet se "Doktrina e Zbulimit" (Doctrine of Discovery), një teori që shërbeu për të justifikuar shpronësimin e vendasve nga sovranët kolonizatorë, "nuk bën pjesë në mësimet e Kishës Katolike" dhe se bulat papnore, me të cilat iu bënë lëshime këtyre sovranëve, nuk kanë hyrë kurrë në magjisterin papnor e kishtar.

         Është tekst i rëndësishëm që, tetë muaj pas udhëtimit të Papës Françesku në Kanada, vë në dukje qartë refuzimin e Kishës Katolike për mendësinë kolonizuese. “Gjatë historisë”, kujtohet në të, “Papët i kanë dënuar aktet e dhunës, të shtypjes, të padrejtësisë shoqërore dhe të skllavërisë, përfshirë veprimet kundër popujve indigjenë”. E, “ka pasur edhe shembuj të shumtë” ipeshkvijsh, meshtarësh, rregulltarësh e laikësh, që “kanë dhënë jetën në mbrojtje të dinjitetit të atyre popujve”. Por në Notë nuk harrohet edhe se "shumë të krishterë kanë kryer ligësi kundër popujve indigjenë, për të cilat Papët e fundit kanë kërkuar falje në shumë raste".

         Lidhur me "Doktrinën e zbulimit", pohohet se "koncepti juridik i "zbulimit" u debatua nga fuqitë koloniale, duke filluar nga shekulli i 16-të dhe, gjeti shprehje të veçantë në jurisprudencën e shekullit të 19-të, në gjykatat e vendeve të ndryshme. Sipas tij, zbulimi i tokave nga kolonizatorët u jepte të drejtën ekskluzive për të shpronësuar indigjenët përmes blerjes, ose thjesht marrjes së tokave të tyre”. Sipas disa studiuesve, kjo "doktrinë" e pati bazën në dokumente të ndryshme papnore, veçanërisht në Bulat e Papës Nikolla V "Dum Diversas" (1452) dhe "Romanus Pontifex" (1455), dhe në atë të Aleksandrit VI "Inter Caetera" (1493). Këto janë akte, me të cilat këta dy Papë autorizuan sovranët portugezë dhe spanjollë të përvetësonin prona në tokat e kolonizuara, duke nënshtruar popullsinë autoktone.

         "Studimet historike tregojnë qartë," thuhet në Notë, "se dokumentet papnore në fjalë, të shkruara në një periudhë të caktuar kohore dhe të lidhura me çështje politike, nuk janë konsideruar kurrë shprehje e fesë katolike". Njëkohësisht, Kisha "e pranon se këto bula papnore nuk pasqyronin si duhet dinjitetin dhe të drejtat e barabarta të popujve indigjenë". Shtohet gjithashtu se “përmbajtja e këtyre dokumenteve është manipuluar për qëllime politike nga fuqitë koloniale në konkurrencë me njëra-tjetrën, për të justifikuar aktet e pamoralshme kundër popullsive autoktone, të kryera, nganjëherë, pa kundërshtime nga ana e autoriteteve kishtare”. Prandaj është e drejtë, thonë dy Dikasteret e Selisë së Shenjtë, "t’i njohim këto gabime, t’i kuptojmë pasojat e tmerrshme të politikave të asimilimit dhe dhimbjen, që ndiejnë popujt indigjenë, duke u kërkuar atyre falje".

30 mars 2023, 17:36