Kardinali Parolin: Papa kërkon politika që kujdesën për migrimin
R. SH. – Qyteti i Vatikanit
Pas thirrjes së bërë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së diele që kaloi, që “udhëtimet e shpresës të emigrantëve të mos kthehen më në udhëtime vdekjeje”, Papa Françesku kërkoi edhe një herë, dje, në mesazhin me rastin e hapjes së kursit të formimit “Katedra e pritjes” në Sacrofano, afër Romës, “pritje dhe solidaritet” për ata persona që detyrohen t’i braktisin vendet e tyre .
Në tekstin e mesazhit, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinal Pietro Parolin, i cili e lexoi në ditën e parë të takimit të promovuar nga Shoqata ‘Fraterna Domus’, që zhvillohet nga 6 deri në 10 mars, Papa Françesku uron "një angazhim të ripërtërirë për përkrahjen e frymës së pritjes dhe të solidariteti, për promovimin e paqes dhe të vëllazërisë ndërmjet popujve”. Për më tepër, Papa Françesku “inkurajon që prania e shumë vëllezërve dhe motrave emigrantë të konsiderohet si një mundësi që na ofrohet për një rritje njerëzore, për një takim e dialog ndërmjet kulturave dhe feve”.
Udhëzimet që ofron Kisha
Para fjalës së tij, kardinali Parolin, i pyetur nga gazetarët, reflektoi mbi "dramën" e tmerrshme të mbytjes së anijes me migrantë në brigjet e detit në Cutro, Kalabri, ku humbën jetën 71 persona, ngjarje e tmerrshme kjo "që tronditi të gjithë dhe na fton t’i rishikojmë politikat e pritjes së migrantëve. Besoj – tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit – se Kisha ka ofruar, në këtë fushë, një sërë parimesh dhe udhëzimesh që duhen pasur parasysh kur është fjala për rishqyrtimin e këtyre politikave” në këtë drejtim.
Një qëndrim më pozitiv ndaj migracionit
Mënyra më e mirë e këndej më e rëndësishme për të shmangur masakrat e mëtejshme të emigrantëve në "udhëtimet e shpresës", sipas Sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë "është rregullimi i flukseve, në mënyrë që migrimi të jetë i sigurt". Dhe ndaj fenomenit, për kardinalin Parolin “mbi të gjitha duhet të ketë një qëndrim më pozitiv, fatkeqësisht ne jemi të dominuar nga frika. Ne kemi nevojë, shtoi kardinali, për një pritje që merr parasysh situatën nga vijnë këta njerëz dhe situatën në të cilën ndodhemi".
Para së gjithash shpëtimi njerëzve, edhe në det
Mbi apelin e Papës bërë gjatë lutjes së Engjëllit Tënzot të dielën e kaluar për të ndaluar "trafikantët e qenieve njerëzore" si kontrabandistët e paskrupullt, Kardinali Parolin i bashkohet dënimit të "atyre që spekulojnë dhe përfitojnë nga ky fenomen i trafikimit të qenieve njerëzore" dhe bën thirrje që, krahas masave të tjera, të jenë “edhe masat për t'i ndalur ata që fitojnë mbi jetën e njerëzve". Sekretari i Shtetit të Vatikanit nuk hyri në çështjen e normave të reja të kërkuara nga Italia për OJQ-të që merren me shpëtimin e emigrantëve në det, por nënvizon se për Selinë e Shenjtë “vlen përherë parimi se para së gjithash është çështje e shpëtimit të njerëzve, pra nuk duhet të lejojmë që jetët njerëzore të shkatërrohen” siç ndodhi në brigjet e detit Crotone.