Kardinali Cantalamessa: ungjillëzimi nuk fillon me moralin
R. SH. - Vatikan
Ungjillëzimi “nuk fillon me moralin, por me kerygmën”; ose, nëse flasim me gjuhën e Besëlidhjes së Re, "jo me Ligjin, por me Ungjillin". Këtë e nënvizoi kardinali Raniero Cantalamessa, gjatë predikimit të dytë të Kreshmëve, mbajtur sot, e premte, 10 mars, në Sallën Pali VI, në prani të Papës Françesku.
Predikatari i familjes papnore shtjelloi temën: "Ungjilli është fuqia e Perëndisë për këdo që beson (Rom 1:16)". Lidhur me këtë, pyeti se cila është bërthama kryesore dhe çka nënkupton Shën Pali me Ungjillin kur i thotë këto fjalë. Në letrën drejtuar Romakëve, apostulli vëren: “Drejtësia e Perëndisë u duk” (Rom 3:21). Pra, ja e reja, e theksuar nga kardinali kapuçin: nuk janë burrat ata që, "papritmas, ndryshuan jetën dhe zakonet e tyre dhe nisën të bëjnë mirë". E reja është se, "në përmbushjen e kohës Zoti veproi, e theu heshtjen e, i pari, ia shtriu dorën njeriut mëkatar".
Fjala e Zotit sot i flet një Kishe e cila, “ndonëse e plagosur në vetvete dhe e kompromentuar në sytë e botës, ka një fërgëllim shprese”;gjë që na kujton se duhet të fillojmë prej fillimit nga Vetja e Krishtit, të flasim për të “në kohë dhe jashtë kohe”. Të mos e quajmë “kurrë të plotë, as të kryer diskutimin rreth tij. Jezusi nuk duhet të jetë në prapavijë, por në zemër të çdo kumtimi” - sqaroi Cantalamessa - duke kujtuar se nga Evangelii nuntiandi e Palit VI deri te Evangelii gaudium e Papës Françesku, tema e ungjillizimit ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së Magjisterit. Për këtë kontribuan enciklikat e mëdha të Gjon Palit II - shpjegoi Predikatari - si dhe krijimi i Këshillit Papnor për ungjillizimin e ri, nga Benedikti XVI. Një shqetësim i ngjashëm - shtoi ai - mund të vërehet në titullin e kushtetutës për reformën e Kuries Romake Praedicate Evangelium dhe në emërtimin Dikasteri për Ungjillizimin, dhënë Kongregatës së lashtë Propaganda Fide. Të njëjtin qëllim " ka kryesisht tani Sinodi i Kishës".
Kardinali vërejti se përkufizimi "më i shkurtër dhe më i plotë" i ungjillizimit është ai që e lexojmë në Letrën e parë të Pjetrit. Në të, apostujt quhen: "ata që ju shpallën Ungjillin në Shpirtin Shenjt (1 Pjetrit 1:12)".
Se çfarë nënkuptohet me fjalën "Ungjill", e shpjegon mirë Shën Pali, i cili ishte i pari që e përdori këtë fjalë greke, duke “e bërë kanonike në gjuhën e krishterë" përmes Letrës drejtuar Romakëve
Predikatari shpjegoi, në vijim, çka nënkuptohet me fjalën "Ungjill". Mënyra më e sigurt - kujtoi - është të pyesni atë që e përdori për herë të parë këtë fjalë greke dhe e bëri kanonike në gjuhën e krishterë, apostullin Pal. Ai e shpjegon këtë në Letrën drejtuar Romakëve, ku shkruan:
"Unë nuk kam turp për Ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson" (Rom 1:16).
Kapuçini vuri në dukje se, për suksesin e çdo përpjekjeje të re të ungjillizimit "është jetike ta kemi të qartë thelbin e shpalljes së krishterë, që askush nuk e ka theksuar më mirë se Apostulli, në tre kapitujt e parë të letrës drejtuar Romakëve». Mesazhi i apostullit në ato kapituj mund të përmblidhet në dy pika: “së pari, cila është gjendja e njerëzimit përpara Zotit, pas mëkatit; së dyti, si del njeriu prej saj, pra si shpëtohet me anë të besimit dhe bëhet krijesë e re».
Me kalimin e kohës, mëkati mori formë në idhujtarinë, me të cilën "krijesa adhurohet në vend të Krijuesit". Në të njeriu nuk e “pranon” Zotin, por “bëhet vetë zot; është ai, që vendos për Zotin, dhe jo anasjelltas”. Rolet janë të kundërta. Sot - vijoi tha kardinali - kjo "përpjekje e lashtë merr një pamje të re". Bëhet fjalë për «nihilizëm! Asgjë, në vend të Zotit”.
Prej këndej rrjedh "shpërbërja e përgjithshme e moralit", një "përrua i vërtetë i humbjes" që e tërheq njerëzimin drejt rrënimit. Në pamje të parë është shqetësues fakti se Shën Pali e shikon gjithë këtë çrregullim moral, “jo si shkak, por si pasojë e zemërimit hyjnor". Zoti sigurisht që nuk i “dëshron” gjëra të tilla, por i “lejon” që ta bëjnë njeriun të kuptojë se ku e çon refuzimi i tij.
Kështu u shpreh kardinali, duke e përfunduar predikimin me fjalët e Shën Bonaventurës, që na kujtojnë nga duhet të nisemi, për ta realizuar ose për ta përtërirë “lidhjen tonë vetjake me Krishtitn” e për t’u bërë, kështu, kumtues të guximshsëm të Ungjillit në kohët tona:
“Këtë dije mistike, tejet të fshehur - shkruan – askush nuk e njeh, nëse nuk e merr; askush nuk e merr, nëse nuk e dëshiron; askush nuk e dëshiron nëse nuk përflaket nga prania e Shpirtit Shenjt të dërguar nga Krishti mbi tokë”.