Kardinali Cantalamessa: “Mund të jesh i thellë, pa qenë i errët"
R. SH. - Vatikan
"Teologjia mund të kontribuojë në paraqitjen e mesazhit ungjillor në mënyrë domethënëse për njeriun e sotëm dhe t'i japë jetë të re fesë sonë e lutjes sonë". Kështu u shpreh Kardinali Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, në predikimin e tretë të Kreshmëve, mbajtur në Sallën Pali VI, në prani të Papës. "Lajmi më i bukur, të cilit Kisha e ka për detyrë t’i bëjë jehonë në botë është: “Zoti ju do”, theksoi kardinali: “Është siguri, e cila duhet t’i shkallmojë kanatat, që i mbajmë përherë mbyllur brenda nesh për të dëgjuar gjithnjë pëshpëritjen “Zoti të gjykon”. Fraza e Shën Gjonit “Zoti është dashuri” duhet ta shoqërojë si sfond çdo kumt të krishterë, edhe kur duhet të kujtojë nevojat konkrete dhe praktike të kësaj bote.
“Kur e takojmë Shpirtin Shenjt - theksoi Kardinali Cantalamessa - mendojmë para së gjithash për një dritë që ndriçon situatat e këshillon rrugëdaljet e duhura. Mendojmë shumë pak për Shpirtin Shenjt si dashuri. E pra kjo është përmasa e parë dhe kryesore e Shpirtit, për të cilën ka aq shumë nevojë Kisha. Vetëm bamirësia ndërton, ndërsa dija shpesh vetëm ndan”. "E pse jemi kaq të etur për të ditur, kaq shumë të ngazëllyer për perspektivën e inteligjencës artificiale e kaq pak për të dashur?", pyeti kardinali rregulltar: "Sepse dije do të thotë fuqi, ndërsa dashuri, do të thotë shërbim". "Nuk ka asnjë përmbajtje feje, sado e lartë të jetë, e cila nuk mund të bëhet e kuptueshme për çdo inteligjencë që kërkon të vërtetën". Këtë theksoi kardinali Cantalamessa, teza e të cilit është: "Etërit e Kishës na mësojnë se mund të jesh i thellë, pa qenë i errët".